BREAKING NEWS

Vjen lëvizja që nuk pritej/ Basha bën ndryshimin në minutat e fundit, kush është ish-deputeti dhe emri i njohur demokrat që u riktheu pasi mbrëmë u la jashtë listave

Vjen lëvizja që nuk pritej/ Basha bën ndryshimin në minutat
x

Rajoni

Joe Biden në krah të Kosovës, letër Vuçiç-it të pranojë njohjen e pavarësisë, alarmohet Serbia  

Joe Biden në krah të Kosovës, letër Vuçiç-it

Edhe pse pritshmëritë ishin për një mbështetje të administratës së re në Shtetet e Bashkuara kundrejt çështjes së Kosovës, duke pasur parasysh të shkuarën e presidentit Biden në mbështetje të bombardimit të Serbisë, askush nuk e priste që një gjë e tillë të ndodhte kaq shpejt. Pas fjalimit të dy ditëve më parë të Biden në lidhje me politikat e jashtme, veprimi i radhës i tij ka qenë ultimatumi ndaj Serbisë për një njohje të Kosovës. Në një letër urimi adresuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, Biden ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke. Letra e urimit u dërgua për shkak të 15 shkurtit, Ditës së Shtetësisë të Serbisë dhe madje në të është konfirmuar mbështetja amerikane në integrimin evropian të Serbisë. “Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden. Ky veprim i presidentit amerikan qartëson edhe ndryshimin në lidhje me çështjen, krahasuar me administratën e Trump, e cila kishte prioritet normalizimin ekonomik përpara atij politik. Kështu shihet edhe një përafrim i qëndrimit më qëndrimin e BE, pasi deri tani SHBA dhe BE kanë qenë të ndryshëm, për të mos thënë të kundërt mes tyre. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e analistëve, është marrja e rolit të liderit të SHBA-së në politikën e jashtme. Kjo vërehet në faktin që deklarata e Biden e sheh njohjen si të vetmin opsion, duke hequr dore nga “politika e të dobëtit” e ndjekur nga Trump i cili deklaronte se gjithçka është në dorën e palëve.

Reagimet

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit serb i cili ka falënderuar Joe Biden për urimin, por ka bërë të qartë se e ka bërë të ditur mendimin e tij në lidhje me Kosovën në Uashington dhe se nuk do të ndryshojë mendim në lidhje me këtë çështje. “Sa i përket njohjes reciproke, kjo nuk figuron në asnjë akt të ndonjë organizate botërore. Ne e kuptojmë se kjo është një politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta pranojmë si zgjidhje përfundimtare në Uashington. Unë tashmë ua kam thënë një herë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen dhe përgjigja ime nuk do të jetë ndryshe”, ka thënë Vuçiç. Ai tha se detyra e tij është të mbrojë dhe mbrojë interesat e Republikës së Serbisë. “Për ne është kjo një gjë shumë më e rëndësishme sesa dëshirat shqiptare dhe amerikane. Ne gjithashtu kemi dëshira, por edhe një realitet tjetër, dhe ne kemi një traditë liridashëse të popullit tonë. Kjo nuk është e këndshme sepse është e qartë se e gjithë iniciativa e politikës së jashtme amerikane do të shkojë në atë drejtim të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi”, deklaroi ai. Ndërkohë, kërkesa e Biden është mirëpritur nga politika kosovare. Ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj Stublla ka vënë në pah rëndësinë e prezencës amerikane dhe rolin e saj aktiv të dëshmuar në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën. “Vetëm me përfshirjen e SHBA-ve, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë”, ka thënë ajo. Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar nga Mitrovica se në letrën e presidentit amerikan, garantohet integriteti territorial i Kosovës. Ai shtoi se integriteti territorial i Kosovës nuk është as në shitje, as i hapur për negocim. “Nga Shtëpia e Bardhë vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për Kosovën. Letra e Presidentit Biden është edhe një dëshmi për lidhjen e veçante midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq”, ka shkruar Hoti.