Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Rajoni

Josep Borrell: Nëse nuk arrihet stabiliteti mes Kosovës dhe Serbisë, BE e ka humbur qëllimin e saj

Josep Borrell: Nëse nuk arrihet stabiliteti mes Kosovës dhe

Një deklaratë e fortë ka ardhur ditën e djeshme nga një nga përfaqësuesit e lartë të diplomacisë evropiane. Josep Borrell është shprehur se nëse Bashkimi Europian nuk do të mundet dot që të stabilizojë situatën në Ballkan duke ofruar një zgjidhje të përhershme midis Kosovës dhe Serbisë, atëherë BE nuk e meriton që të quhet një forcë gjeopolitike. Në një intervistë të dhënë për “Financial Times”, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, veç përgjigjeve lidhur me politikat e BE, bëri me dije se një nga çështjet e rëndësishme për të cilat shqetësohet unioni është Ballkani. “Nëse nuk e stabilizojmë Ballkanin, do të jetë e vështirë të konsiderojmë veten një forcë gjeopolitike, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë këtë, veç evropianëve”, tha Borrell. Diplomati i lartë evropian tha se Brukseli angazhohet për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun Evropian, por që ka mosmarrëveshje të shumta midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, por që deri tani ende Serbia nuk ka arritur që ta njohë. Duke folur për politikën e jashtme të BE-së dhe ngjarjet në rajon, Borrell vlerësoi se Ballkani ishte “fuçi me barut” dhe se BE-ja përballet me detyrën më të madhe, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe përmirësimin e sigurisë në atë pjesë të Evropës. Në intervistë ai foli edhe për sfidat tjera me të cilat përballet BE-ja. “Në 10 muajt e fundi, fqinjësia jonë është në flakë, nga Libia deri në Bjellorusi. Të gjitha pjesët janë përputhur shumë më keq sesa që kam parashikuar”, deklaroi Borrell në intervistë”, theksoi ai. Borrell paralajmëroi se pritet që ministrat nga BE-ja më 21 shtator të dakordohen për sanksione për funksionarët bjellorusë për montimin e zgjedhjeve të muajit të kaluar presidenciale dhe për aksionet e ndërmarra kundër kundërshtarëve politik.

Fabrici vlerëson pozitivisht dialogun

Sem Fabrici, ambasadori i BE-së në Serbi, njëkohësisht edhe ndërmjetësues në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit deklaroi se BE-ja është e gatshme të vazhdojë një proces me aq shpejtësi saç duan të dyja palët. Ai shton se BE-ja ka theksuar se nuk sheh arsye për zvarritje të procesit dhe për shtyrje të mëtejshme të tij. Fabrici theksoi se nuk ka arsye që të flitet për afate kohore ose për afate artificiale për dialogun. Megjithatë, siç është deklaruar më parë edhe nga përfaqësuesi i lartë Borrell, përfaqësues special i BE-së, Miroslav Lajçak dhe vendet anëtare të BE-së nuk ekziston asnjë arsye objektive që procesi të ketë vonesa të panevojshme. I pyetur nëse dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është në vijim të plotë, pas rrethit të tretë në Bruksel, Fabrici i përsëriti fjalët e Borrell se dialogu “asnjëherë nuk është i lehtë” por se gjithsesi mund të siguronte që “se momenti është i mirë”.

Mustafa kundërshton deklaratat ndaj tij

Kreu i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, me anë të një postimi në Facebook sqaroi se dialogu është një proces i cili udhëhiqet nga Kryeministri Avdullah Hoti dhe se nuk është Mustafa ai që jep direktivat. “Duhet te sqarohem lidhur me disa deklarata që po jepen rreth dialogut dhe rolit tim dhe të liderëve tjerë të koalicionit qeverisës. Unë, si Kryetar i LDK-së nuk i jap udhëzime Kryeministrit Hoti. Unë konsultohem me Kryeministrin dhe partnerët e koalicionit për dialogun dhe për çështjet e tjera programore. Kërkoj dhe do të kërkoj të implementohet Programi qeverisës, kurse dialogu të zhvillohet në kuadër të parimeve për të cilat jemi pajtuar”, shkruan Mustafa. Më tej ai i quajti të pavërteta deklaratat e Ministrit të Drejtësisë. “Preferoj të kemi konsultime të rregullta dhe me përmbajtje me partnerët e koalicionit dhe me Kryeministrin, por edhe ta respektojmë Kryeministrit dhe ti besojmë që ai ta kryej detyrën e tij. Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme. Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës”, përfundoi Kreu i LDK-së.