BREAKING NEWS

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e
x

Rajoni

Josep Borrell: Pas 10 vitesh dialog duhet marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë

Josep Borrell: Pas 10 vitesh dialog duhet marrëveshje përfundimtare

Mes deklaratave të aktorëve politikë të Kosovës, deklaratave të presidentit serb se pret një periudhë plot presion në lidhje me njohjen e Kosovë dhe nxitjet nga ndërkombëtarët për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare, dialogu është bërë më shumë se kurrë temë e nxehtë. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka deklaruar ditën e djeshme se ka ardhur plotësisht koha që pas 10 viteve që procesi i dialogut është në vijim me ngrirje dhe rifillime të shumta, tashmë duhet të arrihen në një marrëveshje përfundimtare. Ai siguroi se unioni është duke punuar fort me të dy shtetet që të arrihet në një marrëveshje të tillë. Me sa duket, deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç i referohen pikërisht punës në vijimësi nga BE që përmend edhe zoti Borrell. “10 vjet më parë, takimi i parë i dialogut Beograd-Prishtinë u mbajt në Bruksel. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, është koha për të përmbyllur procesin. Bashkimi Evropian është duke punuar me palët në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që do të hap rrugë për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Borrell në postimin e tij në Twitter. Ndërkohë, në 10 vjetorin e fillimit të procesit të dialogut Kosovë- Serbi, Emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, është shprehur se vlerëson që gjatë kësaj kohe janë arritur disa marrëveshje të cilat janë të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë. “10 vjet pasi palët u ulën për herë të parë në Bruksel, dialogu solli marrëveshje të rëndësishme. Ata bënë një ndryshim real për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për aspiratat evropiane të një rajoni të tërë”, ka shkruar ai në Twitter. Sakaq, Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme (EEAS) vlerësoi se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është bërë thelbi i punës së BE-së në Ballkanin Perëndimor, një element kryesor i pajtimit, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pasqyrimi i plotësimit të perspektivës në BE për rajoni. Në një deklaratë të lëshuar me rastin e 10- vjetorit të fillimit të dialogut, EEAS konstaton se janë arritur marrëveshje të rëndësishme të cilat sot mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se janë integruar strukturat e drejtësisë dhe policisë në veri të Kosovës, kurse Kosova e ka kodin e saj telefonik ndërkombëtar dhe mundësinë për të marrë pjesë në forume rajonale. “Kishte momente të vështira dhe periudha krize, dhe nganjëherë mund të dukej e pamundur t’i vazhdosh bisedimet. Mirëpo, në fund edhe Kosova, ashtu edhe Serbia treguan përkushtim të palëkundur, duke ditur që rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian kalojnë përmes dialogut”, thuhet në deklaratën e EEAS. Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme vlerëson gjithashtu se një dekadë është një periudhë e gjatë dhe se mund të pritet që dialogu tani do të arrijë pjesën e tij të fundit. “BE beson vendosmërisht se është koha që dialogu të përmbyllet me sukses me një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratën e EEAS.

Albin Kurti kërkon përgatitje përpara dialogut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti priti ditën e djeshme në një takim përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjornstad, dhe ambasadorin norvegjez në Prishtinë Jens Erik Grondahl. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga Lëvizja Vetëvendosje, Bjornstad dhe Grondahl me këtë rast uruan Kurtin për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit dhe i uruan sukses në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja. “Kurti ndërkaq tha se është duke u përkushtuar që qeveria e re të konsolidohet pa ndonjë vonesë dhe se detyra e parë dhe urgjente e saj do të jetë sigurimi i vaksinës kundër COVID-19. Për këtë, të dyja palët ndanë bindjen që shtetet mike duhet ta ndihmojnë Kosovën për ta siguruar atë në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejt”, njofton LV. Në njoftim bëhet me dije se është diskutuar edhe mbi dialogun me Serbinë. “Kurti përsëriti qëndrimin e LV se ky proces duhet të përgatitet mirë dhe të jetë parimor e me qytetarët si përfitues”, thuhet në njoftimin e LV.

Më të lexuarat