BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Rajoni

Kosova ende pa qeveri të re, AAK kërkon rinumërimin e votave pas skandalit me trukimin e zgjedhjeve

Kosova ende pa qeveri të re, AAK kërkon rinumërimin e votave pas

Ndërkohë që qytetarët dhe ndërkombëtarët presin krijimin e qeverisë dhe institucioneve të reja në Kosovë, një kërkesë e anëtarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duket se do ta vështirësojë situatën. Ibrahim Selmanaj ka kërkuar një rinumërim të plotë të votave në mbledhjen e KQZ-së, duke pretenduar se parregullsitë e procesit, nuk janë të lokalizuara vetëm në qendrat e numërimit, por që në ato të votimit. “Qëndrimi i AAK-së, hetuesia duhet seriozisht të merret me këtë rast dhe me secilin komisioner, përgjegjës dhe në secilën kuti të votimit që janë bërë ndërhyrje. Kërkoj nga KQZ që të bëhet rinumërim i plotë, që të pastrohet ky proces dhe secili të përgjigjet për veprën që ka bërë”, është shprehur ai. Selmanaj tha se ka pasur parregullsi në procesin e numërimit dhe ka shtuar se hetuesia duhet të merret me secilin komisionar që kuptohet se ka bërë dallavere. Ai ka kërkuar nga KQZ-ja që të bëhet rinumërim i plotë në mënyrë që të pastrohet si proces dhe secili të përgjigjet për keqpërdorimet. Ndërkohë, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka është shprehur se nuk mund të bëjë asnjë deklaratë duke qenë se procesi është në zhvillim e sipër. “Hetimet janë në zhvillime e sipër. Kemi persona të ndaluar nga prokuroria dhe unë nuk dua të flas më shumë për këtë. Kemi rinumëruar të gjitha votat me kusht dhe me postë. Pasi të kryhen hetimet ne do ta kemi informatën e plotë se çka ka ndodh dhe kush është i involvuar”, tha ajo. Gjithashtu ajo rikujtoi faktin që pjesë e procesit nuk janë të gjitha kutitë e votimit, por vetëm disa të cilat janë rinumëruar ditën e parë në Qendrën e Numërimit të Votave. “Sa i përket rinumërimit total të propozuar nga Ibrahimi nuk mund të jap ndonjë mendim, ato janë çështje e KQZ-së dhe nëse merr përkrahje te KQZ-ja atëherë do të ndodhë. Tani për tani,134 kuti nuk janë objekt i hetimi”, tha Daka. Lidhur me kërkesën e anëtarit të AAK-së Ibrahim Selmanaj, zonja Daka tha se gjithçka varet nga KQZ si institucion dhe jo prej saj. “Sa i përket rinumërimit total të propozuar nga Ibrahimi nuk mund të jap ndonjë mendim, ato janë çështje e KQZ-së dhe nëse merr përkrahje te KQZ-ja atëherë do të ndodhë”, përfundoi kryetarja e KQZ-së.

Kundërshtitë brenda KQZ-së

Kërkesa e Ibrahim Selmanaj për rinumërim të plotë të votave, është përballur me kundërshti nga anëtari në KQZ i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi. Një gjë e tillë sipas Kurteshit do të bënte që procesi të merrte nuanca politike. “Nuk jam pajtuar që ky ka qenë procesi më i mirë zgjedhor, por kërkesa për rinumërim të plotë i tejkalon kërkesat ligjore, dallimet e mospërputhje shihen mirë se ku janë. Unë e kuptoj që gjithmonë ata që marrin më pak vota, nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatin”, ka thënë Kurteshi. Më tej anëtari nga radhët e Vetëvendosjes ka bërë me dije se një rinumërim i plotë i votave do ti tejkalonte çështjet e karakterit juridik. “Një rinumërim i plotë merr karakter politik dhe i tejkalon çështjet e karakterit juridik. Nuk ka shenja që është i domosdoshëm rinumërimi i plotë. Nëse kjo ndodh do të ishte shenj e qartë që ky proces zgjedhor ka qenë krejt i kriminalizuar dhe i keq”, tha Kurteshi. Reagim pastaj pati nga Ibrahim Selmanaj nga AAK, i cili tha se rinumërimi i votave është mënyrë demokratike. Ndërkohë edhe nga radhët e LVV-së ka pasur ankesa dhe pakënaqësi në lidhje me procesin e numërimit të votave. Edhe ish-kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Liri Loshi ka hedhur dyshime se atij mund t’i jenë vjedhur votat. “Ka një mospërputhje që kam hetuar me votat e mia në Pejë, bie fjala, ku komisionerët numëruan 353 vota në emrin tim, ndërkohë që nga të dhënat e KQZ dolën të ishin vetëm 214 vota! Pra, në Pejë, sipas kësaj mospërputhje më munguan 139 vota. Mospërputhje të ngjashme mund të ketë pasur gjithandej Kosovës, por unë rastësisht këtë defekt e kam kapur në Pejë”, ka shkruar Loshi në Facebook.

Më të lexuarat