BREAKING NEWS

Donald Trump mban fjalimin e fundit nga Shtëpia e Bardhë: Ju tregoj rrezikun e madh që e pret vendin

Donald Trump mban fjalimin e fundit nga Shtëpia e Bardhë: Ju tregoj
x

Rajoni

Kosova shkon në zgjedhje më 14 shkurt, Kushtetuesja zbardh vendimin e plotë, Kurtit i ndalohet kandidimi

Kosova shkon në zgjedhje më 14 shkurt, Kushtetuesja zbardh vendimin e

Kosova do të shkojë në zgjedhje më 14 shkurt. Ditën e djeshme është bërë publik vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila e quajti të paligjshme qeverinë “Hoti”. Gjykata e cilësoi pa vlerë votën e deputetit Etem Arifi, duke çuar vendin në zgjedhje të reja. Pas kësaj ka ardhur dhe dekreti i presidentes në detyrë Vjosa Osmani, e cila ka vendosur që zgjedhjet e parakohshme të mbahem më 14 shkurt.

Vendimi

Kushtetuesja ka konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve. “Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktgjykim. Gjykata gjithsesi sqaron se ky fakt nuk ka efekt prapaveprues dhe se pavarësisht votës së Arifit, asnjë vendim i marrë deri tani nga qeveria Hoti, nuk do të konsiderohet i pavlefshëm.

Kandidimi i Albin Kurtit

Ashtu siç edhe pritej, publikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur një debat në arenën e politikës kosovare. Ajo që ka krijuar përplasje mendimesh dhe arsyetimesh është fakti nëse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje do të mundet që të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme. Në aktgjykimin e plotë është sqaruar edhe e drejta për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare dhe sipas medieve kosovare Albin Kurti nuk mund të kandidojë për deputet. “Gjykata vëren sqarimin e KQZ-së se “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që donë të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për tu zgjedhur””, thuhet në aktgjykim. Por sipas Kushtetueses, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’iu shqiptohet medoemos si dënim plotësues “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur”, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare. “Kjo meqë, sipas nenit 29.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër të tjera, parashihen edhe këto dy baza: (i) heqja e të drejtës për të qenë kandidat në zgjedhje me vendim të PZAP-it dhe gjykatës; si dhe (ii) pamundësia për të qenë kandidat për shkak të shpalljes fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Këto janë baza të ndryshme/të ndara që shkaktojnë pamundësinë/papërshtatshmërinë për të qenë kandidat. Gjykata është e mendimit se ky interpretim përputhet edhe me leximin e ndërlidhur të neneve 45, 55 dhe 71 të Kushtetutës”, sqaron gjykata.

Reagon LVV

Nga ana tjetër, vendimi i Kushtetueses është interpretuar ndryshe nga persona pranë LVV-së. Avokati i njohur në Kosovë Tomë Gashi, ka komentuar aktgjykimin e plotë dhe del në përfundimin se Kurti mundet të kandidojë. “Pika 297 e Aktgjykimit e sqaron ne tërësi këtë situate duke konstatuar se: nuk lejohet që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidoj për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit. Albin Kurtit në 2018 iu shqiptua masa e dënimit me kusht. Shumë shpejt Albin Kurtin do ta kemi Kryeministër të Republikës së Kosovës -Qeveria Kurti 2”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.