BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën shqiptare

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën
x

Rajoni

Kreu i Veteranëve të UÇK del para Gjykatës Speciale: Mbrojtëm pragun e shtëpive tona, nuk kam kryer asnjë krim lufte

Kreu i Veteranëve të UÇK del para Gjykatës Speciale:

Ditën e djeshme është zhvilluar seanca e radhës në Gjykatën Speciale për Kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati. Në seancën e djeshme Gucati është shprehur pas konfirmimit të aktakuzës se vetëdeklarohet i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës. Ai ka sqaruar se ndjehet i pafajshëm për sa kohë ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë mbrojtur pragun e shtëpive. “Unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi mbrojtur pragun e shtëpisë dhe atdheun tonë dhe si pasojë unë jam plagosur dhe sot jam invalid i luftës së UÇK-së. Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm. Unë kam të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të drejtën e të shprehurit të mendimeve të mia”, ka thënë Gucati para gjyqtarit të Speciales. Më tej kryetari i OVL së UÇK-së është zotuar se do t’i mbrojë deri në fund vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbroj vlerat e kombit shqiptar dhe UÇK-së dhe do të vazhdoj ti mbrojë këto vlera deri në fund”, tha Gucati, ndaj të cilit janë ngritur gjashtë akuza nga kjo gjykatë. “1. Pengim i peronave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të kërcënimit, 2. Pengim i peronave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në një veprim të një grupi, 3. Frikësim gjatë procedurës penale, 4. Hakmarrje, 5. Shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes publikimit të paautorizuar të informacioneve të fshehta dhe 6. Shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të identiteti të dëshmitarëve të mbrojtur”, janë akuzat e ngritura ndaj Gucatit, akuza që u lexuan nga Sekretarja e Gjykatës Speciale. Ajo shtoi se këto vepra penale u kryen në mes 7 dhe 25 shtatorit 2020 dhe se ekziston dyshimi që Hysni Gucati mban përgjegjësi penale për kryerjen e këtyre veprave penale.

Edhe Haradinaj në Gjykatën Speciale

Ditën e djeshme është zhvilluar gjithashtu edhe seanca ndaj nën kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj. Në fjalën e tij, Haradinaj e ka cilësuar Gjykatën Speciale si një gjykatë të njëanshme, politike dhe selektive. Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe të Policisë së Kosovës. Tri herë gjatë shtatorit, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar - në mënyrë anonime - dosje që lidhen me Prokurorinë Speciale. Përmbajtja e tyre nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo. Haradinaj theksoi se është e pakuptimtë që ata të përgjigjen për sekretet që u dolën kësaj gjykate. “Ne duhet të përgjigjemi se përse u dolën sekretet e tyre. Ato nuk ishin një e dy fletë, por me mijëra faqe. OVL nuk ka pasur qasje e as nuk ka dhe nuk mund të fajësohet për nxjerrjen e këtyre dokumenteve nga sirtarët”, tha Haradinaj. Sipas nën kryetarit të OVL së UÇK-së, u shpreh se në vend të tij dhe të shokëve të tij të arrestuar në Hagë, do të duhej të ishin kolegët e kësaj gjykate. “Në vendin tim, ku jam ulur duhej të ishin koleget të kësaj gjykate. Mohimi i faktit duke anashkaluar se kush i nxori këto dokumente nga sirtarët, dhe kush i solli në selinë tonë dhe tani për këtë ne të mbajmë përgjegjësinë është çmenduri dhe aspak drejtësi. Kjo gjykatë është politike, selektive, dhe e njëanshme dhe po bindem se është edhe e korruptuar sepse ndryshe nuk do t’u dilte i tërë ai material nga zyrat e tyre”, tha Haradinaj. Ai shtoi se kjo gjykatë po mundohet të njollosë luftën e UÇK-së dhe luftëtarëve të saj dhe të dënoj përfaqësuesit e këtyre luftëtarëve. Seanca për deklarim rreth fajësisë apo pafajësisë, pritet të mbahet më 7 ose 8 janar 2021.