Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kush e rrëzoi kryeministrin? Ish-diplomati amerikan zbulon prapaskenat pas takimit me Ramush Haradinajn dhe del me deklaratë të fortë: Bisedova të mërkurën. Nuk dha asnjë shenjë...

Postuar: 20/07/2019 - 12:37

Bisedova me Kryeministrin të mërkurën. Ai nuk dha ndonjë shenjë për këtë që ndodhi dhe ka gjasë që nuk e ka ditur" kështu ka deklaruar eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer nga Prishtina ku ndodhet për vizitë per vendimin e Ramush Haradinajt per te dhene dorëheqjen nga posti i Kryeministrit.

Serwer tha se mendon se Haradinaj ka bërë veprimin e duhur por se tani qeveria është në një pozicion të pakëndshëm ku tensionet me Serbinë kohët e undit kanë qenë shumë të larta.

Përsa i takon ndikimit që ky zhvillim do të ketë për një dialog Kosovë-Serbi, është e qartë tha Serwer se një ndryshim qeverie do ta vononte më tej dialogun. Sipas Serwer thirrja e Ramushit në Hagë ka shumë më tepër gjasa që ta shtojë përkrahjen politike ndaj tij, sesa ta dëmtojë atë.

Reagimi i Daniel Serwer:

Kam qëndruar në Prishtinë gjatë tërë javës, ku dje kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje. Një tribunal special që do të merret me krimet e kryera pas luftës së viteve 1998-1999 i ka dërguar ftesë për të shkuar në Hagë. Ende nuk dihet nëse ai është i akuzuar ose dëshmitar. Ai është gjykuar dy herë në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe është shpallur i pafajshëm.

Bisedova me Kryeministrin të mërkurën. Ai nuk dha ndonjë shenjë për këtë që ndodhi dhe ka gjasë që nuk e ka ditur.

Është një kohë e vështirë këtu. Taksat që Ramushi i ka vendosur ndaj prodhimeve serbe e kanë bllokuar dialogun e Bashkimit Evropian mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili kishte për qëllim t’i zgjidhte shumë çështje që kanë mbetur një gjeneratë pasi Slobodan Milosheviqi e dëboi gjysmën e popullsisë shqiptare, por që u dorëzua pas fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s për ta sjellë administrimin e Kombeve të Bashkuara në provincën e kontrolluar nga Serbia. Kosova tashmë është demokraci parlamentare, – që ende nuk njihet si shtet sovran nga disa shtete – në të cilën duhen të mbahen zgjedhje brenda 45 ditëve nga dorëheqja e kryeministrit. Opozita, e cila kërkonte zgjedhje në tetor, ka pak gjasa që të jetë e gatshme për to në fillim të shtatorit.

Dikush mund të mendojë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë prapa manovrës juridike që bëri që Ramushi të japë dorëheqje. Gjykata Speciale është e themeluar sipas ligjeve të Kosovës, por përbëhet kryesisht nga evropianët me një kryeprokuror amerikan, të caktuar nga Administrata e Trumpit. As që keni nevojë të jeni mbështetës me përvojë i teorive konspirative për të paramenduar se amerikanët, të cilët ishin të zemëruar me taksën e Ramushit dhe kundërshtimin e shkëmbimit të territoreve në baza etnike me Beogradin, kanë vendosur ta heqin qafe atë.

Nëse është kështu, ata kanë bërë një gabim të madh. Dy betejat e kaluara të Ramushit në Hagë nuk i kanë bërë asgjë, përpos që ia kanë rritur popullaritetin në Kosovë. Taksa dhe kundërshtimi i shkëmbimit të territoreve janë të popullarizuara. Thirrja e Ramushit në Hagë ka shumë më tepër gjasa që ta shtojë përkrahjen politike ndaj tij, sesa ta dëmtojë atë.

Por mund të ndodhë që gjykata, duke vepruar në bazë të pavarësisë së saj, të vlerësojë se ka arsye për ta marrë në pyetje Ramushin ose edhe ta akuzojë atë. Thjesht nuk e dimë. Është e qartë, serbë dhe shqiptarë janë vrarë pas luftës. Shumica e njerëzve këtu mendojnë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), në të cilën Ramushi ishte komandant rajonal, është pjesërisht përgjegjëse për këtë. Unë jam në favor të asaj që fajtorët të mbahen përgjegjës për këto krime. Por do të ishte tërësisht papjekuri të gjykojmë se kush është fajtori.

Deri tash, reagimi popullor ndaj dorëheqjes së Ramushit është i qetë. Ne morëm pjesë mbrëmë në Festivalin e Filmit në Prishtinë, i cili po mbahet përballë zyrës së Kryeministrit. Një turne i basketbollit të rrugës mbahej në hapësirën mes tyre. Njerëz familjarë ecnin të gëzuar nëpër sheshin “Nënë Tereza”. Sigurisht që tërë kjo mund të ndryshojë, por tash për tash duket se njerëzit janë më të interesuar të kënaqen në motin e kthjellët dhe të freskët, sesa të brengosën për atë që i ka ndodhur kryeministrit.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, i cili gjithashtu ishte pjesë e kuadrit të UÇK-së, tashmë duhet ta mbikëqyrë themelimin e një qeverie të përkohshme. Vetë ky proces do të jetë i vështirë, sepse Ramushi ka një shumicë të ngushtë në kuvend. Rezultati i zgjedhjeve është i paparashikueshëm. Ky është lajmi i mirë: Pavarësisht shkeljeve të partive politike në fushata dhe në qendra votimesh, shtypi këtu është i lirë në bazë të standardeve evropiane dhe zgjedhjet janë garë serioze politike. Formimi i koalicioneve para dhe pas zgjedhjeve lë shumë paqartësi rreth rezultatit të tyre.

Zgjedhjet janë përçarëse në mënyrë të natyrshme. Para se të kthehet në besime me Beogradin, Prishtina do të ketë nevojë për më shumë unitet sesa që ka pasur gjatë qeverisjes së Ramushit. Këshilla ime për këdo që vjen në pushtet: Mënyra e vetme për të arritur një marrëveshje të mirë do të jetë largimi nga një marrëveshje e keqe dhe mënyrë e vetme që një marrëveshje e mirë të zbatohet është duke e bindur shumicën e qytetarëve se ajo është e mirë.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/08/2019 - 15:39

Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re,  nënshkruajnë marrëveshje për koalicion parazgjedhor.
 

Postuar: 23/08/2019 - 15:32

Kuvendi i Kosovës u shpërnda këtë të enjte, ndërsa presidenti Hashim Thaçi ka thënë se shumë sh

Postuar: 23/08/2019 - 15:12

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin e tmerrshëm që ka ndodhur në Prishtinë, derisa

Postuar: 23/08/2019 - 11:28

Katica Janeva katër vite më parë ishte një simbol për drejtësinë në vend dhe rikthimin e besimit

Postuar: 23/08/2019 - 08:48

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Izmi Zeka është përfshirë në një aks

Postuar: 23/08/2019 - 07:52

Me 89 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërnd

Postuar: 22/08/2019 - 15:30

Ambasada amerikane në Prishtinë ka dalë me një deklaratë, menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendi