BREAKING NEWS

Thellohet skandali, Ilir Meta 13 shkresa shantazhuese ndaj KLGJ e KED brenda vitit, ja si po tenton të kapë Gjykatën e Lartë e Kushtetuese

Thellohet skandali, Ilir Meta 13 shkresa shantazhuese ndaj KLGJ e KED brenda
x

Rajoni

Lëvizja fundit e Turqisë në Mesdhe, Greqia thërret mbledhje emergjente në BE

Lëvizja fundit e Turqisë në Mesdhe, Greqia thërret mbledhje

Greqia do të kërkojë një mbledhje urgjente të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Lajmin e bëri të ditur zyra e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ndërsa përshkallëzohen tensionet me Turqinë sa i përket kërkimit dhe shpimeve për gaz natyror dhe naftë në Mesdheun Lindor.

Sipas zyrës së tij, Mitsotakis ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, të cilin e informoi për situatën në Mesdhe, ndërkohë që në agjendë ishte edhe një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Të hënën, Ankaraja zyrtare lajmëroi se një anije kërkimi do të kryente hulumtime në një zonë mes Qipros dhe Greqisë, gjë që shtyu kryeministrin grek të mblidhte Këshillin Kombëtar të Sigurisë. Ndërkaq, të martën, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu deklaroi se Ankaraja do të japë licenca për hulumtim sizmik dhe shpim në zona të reja të Mesdheut Lindor deri në fund të muajit gusht dhe do të vazhdojë veprimtarinë e saj në rajon.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur pala turke ka shprehur zemërimin për marrëveshjen e nënshkruar mes Greqisë dhe Egjiptit për zonat ekonomike, të drejtat e kërkimit dhe kufijtë detarë, që Ankaraja pretendon se ka për qëllim ta mbajë jashtë Mesdheut Lindor.

Në anën tjetër, vetë Turqia nënshkroi një marrëveshje të ngjashme me qeverinë e Libisë, duke ngjallur zemërim në Greqi, Qipro dhe Egjipt, që deklaruan se u ishin shkelur të drejtat ekonomike në Mesdhe.

Palët kanë zhvilluar negociata në Berlin dhe ishin pranë lëshimit të një deklarate të përbashkët, por marrëveshja greko-egjiptiane bëri që Ankaraja të ndalte bisedimet.

Greqia dhe Turqia, fqinje dhe aleate në NATO, prej dekadash kanë përplasje për një sërë çështjesh, përfshi kufijtë detarë dhe kanë qenë në prag lufte tre herë që prej viteve 1970.

Zbulimet më të fundit për gaz natyror dhe planet për kërkim në Mesdheun Lindor kanë shtuar tensionet mes vendeve.