BREAKING NEWS

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e
x

Rajoni

Ndërkombëtarët shtojnë presionet ndaj Kurtit e Osmanit për dialogun me Serbinë, raporte të ftohta mes dy qeverive

Ndërkombëtarët shtojnë presionet ndaj Kurtit e Osmanit

Pas përfundimit të procesit të konstituimit të institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit edhe zyrtarët ndërkombëtarë, ashtu siç edhe pritej, kanë nisur me deklaratat e tyre për të nxitur një takim sa më të shpejtë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për të vazhduar procesin e dialogut. Zëdhënësi i politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Peter Stano ka bërë të ditur së unioni është duke pritur një rifillim të dialogut. “Ne e mirëpresim zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës dhe i shprehim urimet tona Vjosa Osmanit. Përgëzojmë angazhimin konstruktiv të një numri deputetësh të opozitës që mundësuan që procesi zgjedhor të përfundonte. Kosova tani mund të përqendrohet në punët e rëndësishme të saj. Ajo duhet të çojë përpara reformat që lidhen me anëtarësimin në BE dhe procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja”, deklaroi Stano. Edhe shefi i diplomacisë Evropiane Joseph Borrel ka thënë se Kosova duket ta ketë në fokus edhe dialogun me Serbinë.

Qëndrimi i krerëve të Kosovës dhe Serbisë

Pavarësisht faktit që janë nën presion të vazhdueshëm për të rifilluar bisedimet në kuadër të dialogut, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti Serb Aleksandar Vuçiç, duket se nuk e shohin si prioritet një gjë të tillë. Kryetari i Parlamentit të Serbisë dhe udhëheqësi i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi dje se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë nuk varet nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Ish-zëdhënësi i Sllobodan Milosheviçit tha se udhëheqësit kosovar mendojnë se në këtë formë “Serbia e njeh Kosovën”. “Çfarë lloj dialogu është ai, nëse ata nuk e njohin marrëveshjen e Brukselit”, tha Daçiç. Ndërkohë presidentja e re e Kosovës, zonja Vjosa Osmani ka deklaruar se përparësia numër një në lidhje me dialogun me Serbinë është pa dyshim fati i të zhdukurve. "Për sa kohë që nuk ka drejtësi për të gjitha viktimat që janë marrë kaq mizorisht peng dhe janë ende të listuara si të zhdukura, për sa kohë që nuk ka drejtësi për ta, është e pamundur të mendosh për paqen", tha Osmani. Presidentja Osmani ka deklaruar se dialogu është rruga që Kosova e ka përpara, por siç ka thënë ajo, “ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë”. “Paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia, kur të kërkojë falje ajo dhe kur të vendoset drejtësi për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”, ka thënë Osmani. Ajo ka zhvilluar dje një takim me Ambasadorin e SHBA, Philip Kosnett. “Presidentja Osmani po ashtu e siguroi Ambasadorin Kosnett që do të angazhohet në plotni që të krijojë një platformë të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, duke cekur që në këtë drejtim theks të veçantë do t’i jap konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin”, njoftoi presidenca. Ndërkohë sipas Kushtetutës së Kosovës, dialogu politik do të udhëhiqet nga kryeministri i sapozgjedhur Albin Kurti, por gjithmonë në bashkërendim dhe duke u konsultuar me presidenten Osmani. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka sqaruar një gjë të tillë vitin e kaluar. Sakaq, kryeministri Kurti ka thënë se për dialogun me Serbinë duhet të vendosen katër parime. Siç ka theksuar ai, duhet të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur, duhet të pranohet e vërteta nga Serbia për krimet që ka kryer në Kosovë, të dyja palët duhet të jenë të barabarta në diskutim dhe që nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët. Por, ndaj këtyre parimeve, ka reaguar Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë. Shefi i kësaj zyreje, Petar Petkoviç ka theksuar se Kurti përmes qëndrimeve të tija ka paralajmëruar fundin e dialogut dhe anulimin e gjithë asaj për të cilën është arritur pajtimi në tavolinën e bisedimeve në Bruksel. Ai ka thënë se “kërcënimet e Kurtit se kusht për vazhdimin e dialogut është që Beogradi ta njohë Kosovën, t’i pranojë krimet e pretenduara në Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë e shembin dhe e shkatërrojnë të ardhmen e dialogut dhe gjetjen e kompromisit, sidomos me qëndrimin e Kurtit se ai nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Më të lexuarat