Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Rajoni

Nisin bisedimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, ja qëndrimet e 2 shteteve dhe zyrtarëve amerikanë

Nisin bisedimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, ja

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë kanë zbritur dje në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë. Përpara nisjes, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, në një deklaratë për mediat, ka siguruar se me Serbinë nuk do të diskutohet asgjë tjetër përveç njohjes reciproke, dhe rruga për në këtë pikë sipas tij arrihet me marrëveshje ekonomike. “Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç njohjes reciproke. Marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve mes dy vendeve, që është njohja reciproke”, tha Hoti. Lidhur me ngjarjen e sotshme është deklaruar edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla e cila ka vlerësuar se Serbia është në disavantazh me Kosovën dhe se duhet të ndihet e turpëruar. “Sot delegacioni i Kosovës që hyn në Shtëpinë e Bardhë ka mandat dhe mirëbesim të dialogojë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran përballë Serbisë, e cila do të duhej të ndihet e turpëruar që ulet në tavolinë përballë Kosovës në disavantazh, pa kërkuar falje për krimet gjenocidale, dhe pa vënë para drejtësisë kriminelët e luftës. Sot delegacioni i Kosovës ulet përballë Serbisë me këto parime të pa negociueshme: ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës, me objektivin e vetëm për njohje reciproke me Serbinë. Çdo gjë tjetër jashtë kësaj kornize parimesh, është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe NUK BESOJ se kemi rrezik për t’u shqetësuar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Richard Grenell dhe Eliot Engel mbi takimin

Me gjithë pritshmëritë për një marrëveshje në rrafshin politik, duket se edhe SHBA është tërhequr nga një skenar i tillë dhe është më e përqendruar në marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve. I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell është shprehur ditën e djeshme se popujt e dy vendeve meritojnë normalizim ekonomik dhe shansin për një ekonomi më gjallëruese. Me anë të një postimi në Twitter Grenell ka thënë se është i fokusuar në rininë e cila do karrierë, vende të mira pune dhe lidhje me Perëndimin. “Njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë meritojnë normalizim të ekonomisë dhe shansin për një ekonomi më gjallëruese. Sot, jam i fokusuar në rininë që duan karrierë, punë të mirë dhe lidhje me Perëndimin. Ju kam dëgjuar dhe do të shtyj para këtë. Le ta lëmë mënjanë politikën!”, ka shkruar Grenell. Ndërkaq, udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka thënë se rikthimi i dialogut këtë javë në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë është hap pozitiv, ndonëse ka përmendur se zgjidhja përfundimtare duhet të përfshijë disa parime kyçe. Engel ka thënë se dokumenti përfundimtar duhet të çojë drejt njohjes reciproke. Megjithatë, Engel ka shprehur dilema nëse mund të arrihet një gjë e tillë tani.

“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili është duke larguar vendin e tij nga komuniteti veriatlantik dhe është duke e afruar me Rusinë, ka kundërshtuar vënien e njohjes reciproke në tavolinë. Në fakt, delegacioni serb ka thënë se do të jetë pjesë e negociatave për të diskutuar çështje ekonomike. Ndonëse nuk ka asgjë të keqe për rritje të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik, konflikti politik kërkon zgjidhje politike”, ka theksuar ai.

Reagime të politikës serbe

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se delegacioni i Serbisë në bisedimet me Kosovën në Uashington, është i hapur për një bisedë konstruktive, se do të mbrojë "interesat serbe" dhe se do të paraqesin një agjendë të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Ai bëri me dije edhe se do të refuzojnë çdo kërkesë politike jashtë interesave serbe.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, tha se në Uashington do të ketë presione të mëdha si për Serbinë ashtu edhe për Vuçiçin. "Nëse dikush mendon se të bëjë presion mbi Serbinë përmes disa agjendave të fshehura, unë jam i bindur se presidenti Vuçiq do të përgjigjet në mënyrën që është në interesin tonë kombëtar dhe shtetëror," tha Daçiç.