Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Rajoni

Pakti në Uashington Prishtinë-Beograd alarmon rusët, nisin sulmet e kërcënimet ndaj Serbisë

Pakti në Uashington Prishtinë-Beograd alarmon rusët, nisin sulmet

Marrëveshja e nënshkruar në Uashington më 4 shtator midis Kosovës dhe Serbisë, ka acaruar marrëdhëniet midis shtetit serb dhe aleatit të tij të përhershëm Rusisë, duke i larguar shumë nga njëri tjetri. Marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë ishte e karakterit ekonomik, por sipas medias ruse Kommersant, kjo marrëveshje mund të ketë edhe pasoja serioze gjeopolitike. Sipas një postimi në Telegraf kjo e përditshme ruse ka theksuar faktin që në muajin qershor, Rusia e kishte paralajmëruar presidentin serb Aleksandar Vuçiç, për disa pjesë që ishin përfshirë në tekstin përfundimtar marrëveshjes. Gazeta thekson se nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Rusia pas nënshkrimit të marrëveshjes, por se “pjesërisht” qeveria kishte reaguar me anë të shkrimit në Facebook të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova. Ajo publikoi një mesazh turpërues pas vizitës së Vuçiçit në Shtëpi të Bardhë. “Nënshkrimi i njohjes reciproke midis Kosovës dhe Izraelit i dëshmuar nga Vuçiç në thelb legjitimon aspiratat e Prishtinës për vetëvendosje. Autoritetet ruse duket se e kanë paralajmëruar presidentin e Serbisë për disa pjesë të marrëveshjes së Uashingtonit”, raporton Kommersant. Po ashtu, kjo gazetë shkruan se, Beogradi nuk e ka informuar Moskën për pjesët e marrëveshjes, përfshirë zhvendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem, njohjen e Hezbollahut si një organizatë terroriste dhe ndalimin e teknologjive kineze. Lidhur me mesazhin e zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, reagoi edhe presidenti serb Vuçiç i cili tha se, me anë të këtij mesazhi, Zakharova ka treguar primitivizëm dhe se ai nuk do të merret me ta. “Ka njerëz që thjesht urrejnë dhe po kërkojnë një mënyrë për t’ju thënë diçka. Ata gjithmonë flasin më së shumti për veten e tyre. Maria Zaharova gjithashtu flet më shumë për veten e saj. Primitivizmi dhe injoranca që ajo e ka treguar, flet për të, e besa edhe për ata që e kanë e kanë emëruar. Unë nuk do t’i përgjigjem asaj”, tha ai.

Ndikimi rus në Serbi

Lidhur me ngjarjen, mediat në Serbi shkruajnë se si shteti rus ka bërë përpjekje për të ndikuar në mjedisin serb. Sipas gazetës Blic, Moska në Serbi ka financuar organizata dhe media pro-ruse. Lista përfshin më shumë se 100 organizata të ndryshme, me një qëllim të qartë dhe unik që të distancojnë Serbinë nga BE dhe NATO. Kjo gazetë pyet se, nëse marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë tashmë janë kaq të zbehura, a është koha që të mbyllet e ashtuquajtura Qendra Humanitare në Nish, e njohur si një bazë ruse? Kjo qendër sipas ekspertëve të sigurisë konsiderohet si një qendër ruse e spiunazhit. Drejtori i Qendrës për Rajonalizëm, Aleksandar Popov, gjithashtu beson se Serbia duhet të dijë se cili është interesi i saj strategjik, duke iu referuar statusit diplomatik të Qendrës në Nish. Siç thotë ai, Rusia ishte irrituar nga këmbëngulja e vazhdueshme për këtë, për shkak të së cilës ajo po i bënë presion Serbisë. “Tani diçka e tillë është edhe më pak e sigurt, dhe pyetja është nëse Qendra Humanitare do të qëndrojë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, pyetja është nëse BE-ja do ta kushtëzojë ndihmën për Serbinë. Prandaj duhet të dimë se cili është interesi ynë strategjik”, tha Popov.

Marrëveshja është akt juridik detyrues për palët

Marrëveshja e arritur në Uashington në kontekstin juridik cilësohet si marrëveshje me natyrë hibride apo në kuadër të saj si zotime, që janë akte të njëanshme juridike, thonë ekspertë të çështjeve juridike ndërkombëtare. Sipas tyre, zotimi i njëanshëm është formë e marrjes së detyrimeve në planin ndërkombëtar. Të dyja palët nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i kanë nënshkruar zotimet e tyre. Njëkohësisht, presidenti Trump ka nënshkruar një letër përmes të cilës ai i ka përgëzuar palët për guximin lidhur me arritjen e përparimit për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i quajti këto negociata si përparim diplomatik historik, duke shtuar se normalizimi ekonomik i arritur në Shtëpinë e Bardhë, është çelësi për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.