BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Rajoni

Presidenti Vuçiç u rikthehet provokimeve, flet për forcën ushtarake serbe dhe godet Kosovën

Presidenti Vuçiç u rikthehet provokimeve, flet për

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka nisur të “tregojë dhëmbët” ndërkohë që situata paraprake me rifillimin e dialogut me Kosovën është goxha e tensionuar. Shkak për një tensionim të tilla pa dyshim janë bërë dy dokumentet “non paper” të publikuara nga mediat. Presidenti serb ka theksuar faktin që ushtria serbe është më e fuqishmja në rajon, duke mos përfshirë atë hungareze dhe rumune, por ka shtuar se në të vërtetë Kosova ka pas vetes ushtrinë amerikane. Duke komentuar paralajmërimin e ministrit kroat të Mbrojtjes se Kroacia është e gatshme të ndihmojë Kosovën në synimin e saj për transformimin forcës së sigurisë në ushtri, si dhe për të rritur numrin e ushtarëve të saj në KFOR pesë herë, Vuçiç tha se ushtria kroate pesë vjet më parë ishte dy herë më e fortë se ajo serbe, por se tani nuk është më e njëjta situatë. “Kroacia ka një ushtri shumë të fortë. Shqiptarët në Kosovë nuk janë në atë nivel, por e kanë Bondsteel-in dhe ushtrinë amerikane pas vetes. Le ta bëjnë ata punën e tyre. Serbia është një vend sovran dhe do të bëjë pjesën e saj. Unë me krenari mund të them sot se ushtria serbe nuk është më e dobët se ndonjë ushtri e ndonjë vendi tjetër fqinj, pa llogaritur ato rumune dhe hungareze. Ne po forcohemi shpejt. Të gjithë të tjerët nuk janë më të fortë se Serbia”, tha ai. Më tej Vuçiç ka komentuar dokumentin “non paper” të cilin e ka konsideruar si më të mirin të ofruar deri tani për Serbinë. “Kjo tregon se ata që thonë se ju kurrë nuk mund të merrni një marrëveshje më të mire, nuk kanë të drejtë. Vetëm se ndonjëherë vjen, nuk po them që tani është kështu, një situatë ku në të vërtetë nuk ka më mirë”, tha Vuçiç, duke shtuar se ish-presidenti i Jugosllavisë, Slobodan Milosheviç duhej ta kuptonte deri kur të mundeni, dhe kur jo. Gjithsesi ka dy pika në dokument të cilat i pari i shtetit serb mendon se janë të pa pranueshme. Njëra prej tyre është njohja e pavarësisë së Kosovës për të cilën tha se është një gjë e vështirë dhe e papranueshme për Serbinë,“por se është një letër shumë më e mirë se Plani i Ahtisaarit dhe nga gjithçka që i është prezantuar Serbisë deri në këto momente. Ndërsa pika tjetër i referohet Mitrovicës dhe detajet të lidhura me këtë zonë. “Është e vetmja zonë urbane që e kanë serbët dhe që duan t’u marrin. Ka edhe gjëra të tjera. Letrën [non paper] e ka përpiluar dikush shumë kompetent, i cili kupton gjithçka. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për ne”, tha Vuçiç.

Haradinaj risjell bashkimin me Shqipërinë

Ndërkohë që dialogu gjendet në një pikë jo të mirë dhe kur presidenti serb përmend ushtrinë, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka risjellë në vëmendjen mundësinë e bashkimit me shtetin shqiptar. Një lëvizje e tillë mund të vijë sipas Haradianj, nëse nuk do të arrihet të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në NATO. “Kurrë në jetë shqiptarët nuk kanë qenë më afër një organizimi të sigurisë, çfarë është NATO, Shqipëria është NATO e ne jemi afër NATOS, edhe Kosova duhet të jetë në NATO…Nëse i pamundësohet Kosovës anëtarësimi në OKB, anëtarësimi në NATO ne duhet të bashkohemi me Shqipërinë”, tha ai. Më tej zoti Haradinaj ka siguruar se për të mirën e Kosovës, partia e tij edhe pse në opozitë është shumë e gatshme që të bashkëpunojë me qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Për vizitën e zotit Kurti në Bruksel dhe vizitat e shumta të cilat i ka pasur me zyrtarë të lartë europianë, Haradinaj tha se Kurti nuk ka bërë asgjë më shumë sesa që i ka kryer detyrat e tij të besuara nga Parlamenti. Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se obligim i kryetarit të Qeverisë është t’i mbrojë interesat e shtetit. Ndërsa sa i përket ftesës së Kurtit për t’u koordinuar me partitë opozitare rreth procesit te dialogut, ai tha se AAK është gjithmonë e hapur kur janë në pyetje interesat e Kosovës. “Aleanca si parti parlamentare i kryen obligimet e veta të gjitha në parlament në të gjitha situatat, është e hapur të bisedojë për interesat e Kosovës”, tha ai.