Rajoni

SHBA bllokon investimet në Kosovë, Richard Grenell: Hiqni tarifën ndaj Serbisë, ndryshe nuk ka investime

SHBA bllokon investimet në Kosovë, Richard Grenell: Hiqni tarifën

Ambasadori Richard Grenell që është edhe i dërguari i SHBA për dialogun Prishtinë –Beograd ka përsëritur thirrjen për heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake. Kjo është cilësuar si thelbësore nga ana e Grenell, duke theksuar më pas se kjo është kusht për investimet e ardhshme. I besuari i Trump duket se ditën e djeshme ka përdorur tone të ashpra me Kryeministrin e ri të Kosovës dhe Kryetaren e Kuvendit duke deklaruar para tyre anulimin e çdo projekti aktual në rast se nuk hiqet taksa dhe nuk hiqet dorë nga reciprociteti. Nëse Kosova pranon direktivat e SHBA, Grenell ka thënë se qeveria Trump është e gatshme të bëjë investime të konsiderueshme në Kosovë. Grenell nuk i ka lënë kërcënimet vetëm në takimin me Kurtin dhe Osmanin, por i ka konfirmuar edhe me anë të një postimi në Twetter. “Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenell. LVV i është përgjigjur kësaj kërkese me anë të Kryetarit të grupit parlamentar duke deklaruar se nuk do të lëkunden vendimi për zëvendësimin e taksës me reciprocitet. “Përgjigja jonë është plani qeverisës, dhe qëndrimi ynë politik për temën e njëjtë, qëndrim që nuk ka ndërruar, sepse nuk ka pse të ndërrojë”, tha Selimi. Ndërkohë qëndrimi i BE në lidhje me temën nuk është akoma shumë i prerë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaron se dialogu duhet që të rifillojë në besim të plotë midis Prishtinës dhe Beogradit. “Së pari, rifillimi i dialogut kërkon besim të plotë midis Beorgadit dhe Prishtinës”, tha Stanon ndërkohë që BE ka kërkuar vakur edhe pushimin e fushatës së shtetit serb mbi tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës.

Opozita shfaqet e ndarë mbi kërkesën e Grenell

Teksa deri tani opozita kosovare duket se ka qenë në unanimitet për mos heqjen e taksës së vendosur nga qeveria Haradinaj, ditën e djeshme kanë ardhur zëra kundërshtues nga selia e PDK-së. Sekretari i PDK-së për Prishtinën, Bujar Cakolli, nëpërmjet një postimi në Facebook u shpreh pro heqjes së taksës. “Problem do të ishte nëse SHBA do të na kërkonte të hiqnim taksën dhe të blinim produktet serbe. Mirëpo duke qenë se kërkesa e Amerikës është vetëm “hiqni taksën”, qeveria e Kosovës, qoftë ajo e Haradinajt por edhe e Kurtit, duhet ta plotësonin kërkesën Brenda 24 orësh. Kjo kërkesë është shumë e vogël në krahasim me atë se çfarë ka bërë Amerika gjatë historisë sonë për të na shpëtuar nga fundosja si popull dhe duke pasur parasysh rolin e saj përcaktues për lirinë dhe krijimin e shtetit tonë”, ka shkruar Cakolli. Qëndrimi i Cakollit bie në kundërshtim më qëndrimin e shefit të tij, Kadri Veseli, i cili që në fillim është shprehur kundër marrjes së kësaj mase, si parakusht për rifillimin e dialogut. “Taksa ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutjen e tepruar të Kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, kishte thënë Veseli.

Mblidhet grupi i AAK

Ditën e djeshme është mbledhur dhe grupi parlamentar i AAK, ku u mor vendimi për përdorjen e të gjitha metodat demokratike e faktike për të mos e lejuar heqjen e taksës. AAK ka mbledhur nënshkrimet e antarëve për kundërshtimin e heqjes së taksës dhe do të bisedojnë me partnerët opozitarë e pastaj të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme. Gazmend Abrashi, deputet i AAK-së, u shpreh i bindur se partia e tij do të argumentojë pse taksa duhet të mbetet në fuqi. “Ne jemi ata të cilët do të protestojmë fuqishëm me gjuhën e argumenteve që taksa duhet të qëndrojë dhe mendojmë se taksa është i vetmi instrument që e mban të sensibilizuar çështjen e Kosovës, çështje kjo e cila mbas 20 vjetëve për herë të parë është kthyer seriozisht në tavolinën e bisedimeve me dy aktorët kryesorë me Amerikën dhe Gjermaninë”, u shpreh Gazmend Abrashi deputet i AAK.