Rajoni

SHBA shton presionet, Pompeo letër Kurtit, thirrje të heqë taksën ndaj Serbisë

SHBA shton presionet, Pompeo letër Kurtit, thirrje të heqë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar presionet ndaj Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të heqë sa më parë taksën ndaj Serbisë. Ditën e djeshme Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo i ka dërguar një letër Albin Kurtit ku i bën thirrje tërheqjes sa më shpejt të sanksioneve ndaj Serbisë. “Heqja e tarifave në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka shkruar Pompeo.

Më lart përfaqësuesi i Shteteve të Amerikës i është referuar marrëveshjes së nënshkruar nga përfaqësuesit e të dy shteteve mbi Hekurudhën dhe linjën ajrore. Më 27 janar, ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë, zhvilluan një takim në Berlin për të rihapur linjën hekurudhore ndërmjet tyre, me ndërmjetësimin ambasadorit amerikan, Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pompeo duket është shprehur se tashmë është koha e përshtatshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. “Tani është koha që të realizoni marrëdhënie normale me Serbinë, që kanë qendër njohjen e ndërsjellë, dhe e cila është thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë afër jush për t’iu mbështetur në këtë proces”, tha Sekretari Amerikan. Pompeo ka shprehur me bindje se Departamenti i Shtetit do të punojë së bashku me të për të përparuar në qëllimet e përbashkëta siç janë: rritja ekonomike dhe sundimi i ligjit. Në letrën e tij ishte shprehur qartë edhe fakti që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një faktor thelbësor për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. “Ne e mirëpresimin zotimin tuaj për ta luftuar korrupsionin derisa përpiqeni t’i përkrahni aspiratat e popullit të Kosovës, përfshirë dëshirën e tyre për transparencë më të madhe dhe mundësi ekonomike. Tani është koha ta kuptoni se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve me Serbinë, i fokusuar në njohjen e dyanshme, është esencial për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës”, ka shkruar Pompeo.

Diskutimi për taksën

Duket se amerikanët po japin sinjale të ndryshme më lidhje me vendosjen e reciprocitetit duke qenë se pak ditë më parë, ambasadori amerikan dhe njëkohësisht i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë- Serbi, ka bërë thirrje për heqje të menjëhershme të taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, por është shprehur kategorik në lidhje me reciprocitetin. “Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë taksën, por ta heqë plotësisht atë”, është shprehur zëdhënësi i ambasadorit amerikan Grenell. Çështja pritet të diskutohet edhe gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih që i zhvillon punimet nga 14 deri më 16 shkurt në të cilën do të marrë pjesë Presidenti serb Alexander Vuçiç dhe sekretari Pompeo. Nga Kosova pjesëmarrës do të jenë Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Albin Kurti. Vuçiç madje është shprehur për mediat serbe se do të jenë në disa panele takimi së bashku me Kurtin, kohë në të cilën do të shohë se si do të jetë reagimi i Kryeministrit të ri të Kosovës, çka mund të përcaktojë më vonë edhe qëndrimin që do të mbahet në bisedimet e mundshme të dy shteteve. Beogradi ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e taksës, por duke mos pranuar reciprocitet. Ndërkohë që zyra për marrëdhënien me publikun e Kryeministrit Kurti ka lajmëruar mediat mbi letrën e Pompeit, duke e konsideruar thjesht si një letër urimi për krijimin e qeverisë së re dhe nuk kishte përmendur askund kërkesën e Sekretarit të Shtetit për heqjen e tarifës.