Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Rajoni

Takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, pakënaqësi edhe brenda LDK mbi grupin negociator, ja debatet

Takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë,

Delegacioni i nisur të hënën për në Washington, për të marrë pjesë në takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut midis Kosovës dhe Shqipërisë, duket se ka krijuar pakënaqësi edhe brenda LDK mbi përbërjen e tij. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Frashër Demaj, është shprehur se në delegacioni i Kosovës duhej të kishte në përbërje të tij edhe partitë opozitare dhe aq më shumë ekspertë nga bota akademike. “Është gabim i madh që partitë opozitare nuk janë bërë pjesë e këtij delegacioni. Do të duhej të përfaqësoheshim më mirë. Ka pas mundësi edhe brenda koalicionit për këtë. Për mendimin tim në prapavijë është dashur të kishte edhe personalitete nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Arsyeja e parë përvoja dhe ekspertiza profesionale, e dyta; lidhjet që mund të kenë dhe e treta; eksperienca politike që ata kanë. Mosha mesatare në delegacion është e re. Nuk ka njerëz me eksperiencë aty”, është shprehur Demaj. Deputeti i LDK ka kritikuar Kryeministrin e vendit Avdullah Hoti, duke deklaruar që në momentin që do të mendojë seriozisht për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbin, është detyrë e tij që të sigurohet se në përbërje të delegacionit të palës kosovare, duhet të jenë edhe persona profesionistë.

Gjuriç dhe Hoti mbi 4 shtatorin

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se delegacioni i Serbisë në negociata me Kosovën do të insistojë në respektimin e të drejtës ndërkombëtare, që sipas tij, do të thotë mbrojtjen e monumenteve të shenjta serbe në Kosovë dhe të mundësohen të drejtat e njeriut. “Kemi shumë argumente që mund t’i paraqesim kur bëhet fjalë për fushën e së drejtës ndërkombëtare”, tha Gjuriç. “E drejta ndërkombëtare flet qartë për paprekshmërinë e kufijve të shteteve sovrane”, theksoi ai. Ai përkujtoi se bashkësia ndërkombëtare, ushtarakisht dhe politikisht, ishte një aktor në konfliktet në Kosovë. “Pa pjesëmarrjen e tyre aktive (bashkësia ndërkombëtare), nuk është reale të presim bisedime. Serbia dëshiron të flasë në mënyrë racionale dhe serioze dhe ka përgatitur një paketë serioze për krijimin e bashkëpunimit shumë më të mirë ekonomik dhe lidhjeve infrastrukturore”, tha ai. Ndërkohë Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka deklaruar se delegacioni i Kosovës gjatë qëndrimit në Uashington do të ketë takime në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, zyrtarë të MÇ-së, DFC-së, përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe rrjetin e bizneseve të mërgatës në SHBA. Hoti në një postim në Facebook ka shkruar se në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike për Kosovën dhe se edhe këtë radhë nuk ka asnjë indikacion që do të ndodhë ndryshe.

LVV, deklaratat për dialogun dhe Grenell

Anëtari i Kryesisë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar në një intervistë për mediat vendase se Kosova do të jetë e detyruar të japë diçka shumë të madhe në mënyrë që të fitojë njohjen nga Serbia. “Për ta kurorëzuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë Kosova duhet të jep diçka të madhe. Kjo e madhe që duhet të japë Kosovë është mes “zajednicës”(bashkimi i komunave me shumicë serbe në Kosovë) dhe veriut të Kosovës. Serbia lëviz mes këtyre dy kërkesave”, deklaroi ai. Më tej Konjufca ka thënë se është shumë e rrezikshme kur zyrtarët e shtetit konfliktohen se cili po jep më shumë territor. “Skandal i madh për të mos thënë krim i jashtëzakonshëm që një zyrtarë i lartë i shtetit që është edhe nënkryetar i njërës nga partive më të mëdha të del e të thotë se çfarë duhet të jep Kosova. Është e pafalshme ajo që e ka thënë”, tha ai referuar deklaratave të Lufti Hazirit mbi shkëmbimin e territoreve. Ish-ministri i Jashtëm thotë se Vuçiç po pret oferta nga politikanët e Kosovës se kush është i gatshëm ti ofrojë më shumë territor. Ai madje ka shkuar edhe më tej duke akuzuar politikanët kosovarë se janë duke e trajtuar territorin e Republikës së Kosovës si pronë private apo siç e quajti ai si “bahçja e babës”. “Ne kur zihemi se kush po jep më shumë fshatra, atëherë serbët qeshin me ne. Kjo jo vetëm që nuk është serioze por është edhe shumë e rrezikshme”, tha ndër të tjera Konjufca.