BREAKING NEWS

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat: Ja sa persona janë konfirmuar pozitivë në 24 orët e fundit

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë
x

Rajoni

Thaçi jep alarmin për rrjedhjen e dokumenteve sekrete, Prokuroria e Speciale arreston personin e parë në Kosovë

Thaçi jep alarmin për rrjedhjen e dokumenteve sekrete, Prokuroria e

Ditën e djeshme është arrestuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës me seli në Hagë të Holandës, Sali Mustafa ish-shefi i inteligjencës së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky është i pari veprim i këtij lloji dhe arrestimi është bërë në bazë të një urdhër arresti dhe akuzës së konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Gjykatës së Posaçme. Arrestimin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala i cili theksoi se ende nuk kanë njoftim zyrtar për shkaqet e arrestimit. “Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa, zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes. Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kur do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë”, tha ai. Duke iu referuar njoftimit të prokurorisë, i arrestuari është transferuar në njësitë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara dhe se shumë shpejt do të dalë përpara gjykatësit. Ndërkohë Prokuroria nuk ka dhënë më shumë hollësi për arrestimin dhe as për akuzën kundër zotit Mustafa i cili ishte marrë në pyetje vjeshtën e vitit të kaluar. VOA raporton se Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, tha se i ka ofruar mbështetje operacionale dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar në pajtim me mandatin e tij dhe në pajtim me ligjet e Kosovës, por nuk dha më shumë hollësi. Ky është arrestimi i parë i kryer nga Gjykata e Posaçme e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë. Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Dokumentet e Gjykatës Speciale

Një nga skandalet më të mëdha që përfshijnë Gjykatën Speciale është dorëzimi nga persona të panjohur të dosjeve të kësaj gjykate në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lidhur me këtë çështje është shprehur edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili ka theksuar se rrjedhja e këtyre dosjeve që pretendohet se përmban dëshmi dhe emra edhe të dëshmitarëve të mbrojtur, mund të paraqesë rrezik dhe mund të jetë në dëm të të pandehurve potencialë. “Zhvillimet e fundit ku pretendohet sa ka rrjedhje të informatave të klasifikuara nga këto institucione janë tejet shqetësuese sepse dëmtojnë arsyen kryesore mbi të cilën ishte vendosur zhvendosja e këtyre institucioneve jashtë Kosovës. Po që se vërtetohet se informatat e klasifikuara që kanë rrjedhur janë autentike, pres që autoritetet përkatëse të këtyre institucioneve të kryejnë hetime penale në lidhje me këtë ngjarje dhe që personat përgjegjës për këtë rrjedhje të informatave të klasifikuara, kushdo qofshin ata, të dalin para drejtësisë”, tha Thaçi. Presidenti kritikoi edhe përfshirjen e OVL të UÇK-së në gjithë këtë histori. “Përfshirja e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së në këtë çështje, duke keqpërdorur qëndrimin e tyre publik kundër Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – ka rrezik që të shpërqendroj vëmendjen nga nevoja për të hetuar personat përgjegjës për këtë rrjedhje të informatave të klasifikuara”, tha ai.