BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Rajoni

Thellohen përplasjet Hoti-Osmani, kryetarja e Kuvendit akuza për dialogun me Serbinë, reagon kryeministri

Thellohen përplasjet Hoti-Osmani, kryetarja e Kuvendit akuza për

Ditët e fundit ka pasur një ashpërsim të retorikave midis Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani dhe zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës. Kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se Kryeministri Hoti nuk ka përvojë të mjaftueshme që të udhëheqë dialogun me Serbinë duke thënë se kjo mungesë paraqet një handikap për Kosovën në raport me Serbinë. “Puna e dialogut është që bëhet fjalë për një proces jashtëzakonisht kompleks që kërkon aftësi negocimi në fushën e negociatave të karakterit ndërkombëtar të cilën Hoti nuk e ka. Ai s’e ka sepse nuk e ka mbuluar këtë fushë asnjëherë në karrierën e tij, qoftë si politikan qoftë si ekonomist. Është rrezik që të shkohet me eksperimente, pra nuk mund të thuash ta provojmë le të eksperimenton. Problemi është që përballë e ka një president i cili e ka mbuluar këtë fushë dhe këtë dialog që së paku një dekadë. E dyta është që nuk ka qenë i përfshirë në asnjë nga proceset e shtetndërtimit, qoftë përgatitjeve rreth shpalljes së pavarësisë, nuk ka asnjë përvojë në negocimin e Paketës së Ahtisarit që t’i dijë detajet e koncesioneve që janë bërë. Ai nuk ka qenë i përfshirë për aq sa jemi ne të njoftuar në negociata intensive në Bruksel, njëherë me Thaçin kryeministër dhe pastaj me Mustafën”, tha Osmani. Ajo ka përdorur krahasimin e situatës aktuale me një situatë hipotetike ku vetë ajo do të merrte përsipër të menaxhonte fushën e shëndetësisë ndaj së cilës nuk ka asnjë informacion si funksionon. “Në këtë rast pasojat janë për tërë vendin, sepse është një proces jetik jo vetëm për shtyllat themelore të shtetësisë por që përfundon me njohje”, ka thënë ajo. Osmani gjithashtu u shpreh se çdo qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo qeveri është e ndërtuar vetëm falë presidentit Thaçi dhe se Avdullah Hoti mban postin e kryeministrit me vullnetin e Thaçit dhe se kjo dihet fare mirë, sipas saj, pavarësisht që s’e pranojnë. Për më tepër Osmani ka hedhur akuza ndaj bashkëpartiakut të saj se punoi për një koalicion me AAK-në dhe Nismën edhe kur ishin duke negociuar me Vetëvendosjen. “Kjo qeveri është plan, nuk është pasojë. Së paku unë e kam vërejtur nga 6 tetori e tutje, mund të ketë pas edhe më herët. Tash nga diskutimet që i kam me njerëz të ndryshëm më tregojnë që ka pas plan dhe pastaj ka pas veprime intensive ku edhe vetë Hoti, së paku nga ajo që më kanë treguar deputetët e LDK-së, kur ne negocionim me Vetëvendosjen ai fliste me deputetë të LDK-së dhe iu thoshte që kjo do të dështojë. Ne do të shkojmë në Qeverinë LAN dhe kërkonte votën e tyre. Më konkretisht në muajin janar takohej me deputetë të LDK-së dhe këtë ma kanë thënë vetë deputetët e LDK-së”, tha Osmani

Reagimi i Hotit ndaj Osmanit dhe PDK-së

Deklaratave të Osmanit i është përgjigjur Kryeministri Hoti, duke vënë në dukje faktin se as ajo nuk kishte përvojë të mjaftueshme në udhëheqjen e Kuvendit dhe se është detyra e saj e parë në atë institucion. Më tek Hoti u shpreh se Osmani duhet të koncentrohet në kryerjen e detyrave kushtetuese. “Kryetarja e Kuvendit nuk ka përvojë në udhëheqjen e Kuvendit, është detyra e saj e parë në krye të Kuvendit edhe është mandati im i parë, vetëm i pari në krye të qeverisë. Të koncentrohemi të gjithë në kryerjen e detyrave kushtetuese që i kemi secili në krye të institucioneve që jemi”, ka thënë Hoti. Kreu i Ekzekutivit pas mbledhjes së Qeverisë në konferencën për media ka reaguar edhe për kritikat që i janë drejtuar atij nga zyrtarë të partisë së tij Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryeministri Hoti ka thënë se është e drejtë e secilit të shpreh opinion për punën e Qeverisë. Ai tha se fokusi i tij kryesorë është në menaxhimin e pandemisë me COVID-19, dhe se situata sipas tij ka filluar të menaxhohet dhe të futet nën kontroll. “Tani kritikave nuk mund t’i përgjigjem sepse ne nuk bëjmë censurë, është e drejtë e secilit të shfaqë opinionet e veta për punën që po bëjmë. Fokusi im është në menaxhimin e pandemisë dhe më vjen mirë që me një angazhim të shtuar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe gjithë ekspertëve shëndetësor situata ka filluar të menaxhohet më mirë dhe të futet nën kontroll”, ka thënë Hoti.