BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Rajoni

Vjosa Osmani në vështirësi për tu bërë presidente, PDK deklaron votën kundër, LDK dhe AAK në dilemë

Vjosa Osmani në vështirësi për tu bërë presidente,

Hapi i radhës pas seancës së të hënës për konstituimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë është votimi për kreun e shtetit. Gjatë të gjithë kësaj jave, kryeministri i ardhshëm Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Vjosa Osmani kanë zhvilluar takime me partitë politike dhe përfaqësues të komuniteteve jo shumicë, në mënyrë që kur kandidatura e zonjës Osmani për presidente të ardhshme të votohet, të jetë siguruar kuorumi i nevojshëm i pranishëm në sallën e Kuvendit, si dhe votat e nevojshme për ta zgjedhur zonjën Osmani në krye të vendit. Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, është ende e paqartë në qëndrimin që do të mbajnë për Osmanin presidente. Kryeministri aktual Avdullah Hoti, është shprehur se kandidatura e Osmanit nuk do të votohet. “Ne nuk votojmë asnjë president ne jemi parti opozitare. I takon shumicës të bëjë konsultime për ta zgjedhur presidentin. Presidenti i vendit duhet të jetë jo politik”, tha ai. Kryeministri në detyrë tha më tej se i takon shumicës të bëjë konsultime për zgjedhjen e presidentit. Ndërkohë, kryetari i LDK Lumir Abdixhiku tha se ende nuk kanë vendosur rreth votimit për formimin e institucioneve, saktësisht presidentit. Ai tha se në fundjavë do të formohet Kryesia e partisë dhe pastaj do të vendosin. Sakaq, edhe qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me votimin e presidentit të vendit është i paqartë. Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se kanë ftuar një takim me Grupin Parlamentar për të diskutuar se a do të qëndrojnë në sallë ditën kur do të votohet presidenti.  “Ne e kemi ftuar një takim të Grupit Parlamentar dhe do të diskutojmë qasjen tonë. Sikurse e dini seanca e parë është konstituimi i Kuvendit dhe kuptohet do të jemi pjesë e kësaj seance. Ndërsa, për çdo seancë tjetër do të diskutojmë veç e veç, për çdo temë të rendit të ditës ose ato që janë obligime të Grupit Parlamentar. Por nuk e kam përgjigjen sot”, ka deklaruar ai.

PDK me vendim të prerë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka bërë të qartë që deputetët nga partia e tij as nuk do të marrin pjesë në votimin që do të kryhet mbi kandidaturën e Vjosa Osmanit në krye të shtetit dhe as nuk do ta votojnë atë. Për kreun e PDK, kjo temë është e mbyllur dhe as nuk është për diskutim.  “Qëndrimi i PDK-së është i qartë. Ne nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim. Prandaj çështjet e tilla të qëndrimeve në sallë mendoj që janë tema të natyrës teknike. Kjo temë është e mbyllur. A qëndron në sallë apo jo, nuk ka asnjë vlerë. Vlera është, a merr pjesë apo nuk merr pjesë në votim”, tha ai. Vendimi i PDK është marrë pasi kjo parti nuk e mbështet aspak kandidaturën e zonjës Osmani. “Kemi pasur një mbledhje jashtëzakonisht të mirë të Këshillit Drejtues, ku kemi nxjerrë tri katër vendime që janë jetike për PDK-në. Një vendim i rëndësishëm është që Këshilli Drejtues në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente”, tha Hoxhaj. Ndërkohë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani thotë se deputetët kanë obligim kushtetues që të qëndrojnë në sallë kur të votohet presidenti. “Deputetët nuk mund të mungojnë pos me leje të kryetarit të Kuvendit. Nëse kandidati nuk i merr 80 vota pro, shkohet në raundin e dytë. Por nëse nuk janë 80 vota në kuti [kuorumi i 2/3 së deputetëve], procesi nuk vazhdon dhe brenda 60 ditëve nëse nuk vjen në rend ditë zgjedhja e presidentit përsëri, shkohet në zgjedhje”, tha ai. Votën pro e kanë konfirmuar: Duda Balje nga SDU, Elbert Krasniqi nga IRDK, Emilja Rexhepi nga NDS, Erxhan Galushi nga LPRK, Bekim Arifi nga PAI dhe Bahrim Shabani nga Koalicioni VAKAT. Ndërsa, dy përfaqësuesit e KDTP-së, Fikrim Damka dhe Fidan Jilta, deputeti nga komuniteti goran Adem Hoxha dhe Fadil Gashi nga Iniciativa Rome, kanë thënë se diskutimet do të vazhdojnë.Në bazë të këtyre deklaratave del që Albin Kurti si kryeministër mund t’i ketë mes 62 deri në 65 vota në Kuvend, ndërkohë duhen 80- për të kaluar në fazën e dytë, sipas zotit Hasani.

Më të lexuarat