BREAKING NEWS

Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve komunikon vendimin e fundit

Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19,
x

Rajoni

Vuçiç përplaset me Haradinajn, kreu i AAK flet për bashkim Kosovë-Shqipëri, alarmohen serbët

Vuçiç përplaset me Haradinajn, kreu i AAK flet për

Dita e djeshme, veç zhvillimeve në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, është karakterizuar nga një shkëmbim replikash mes kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Në një prezantim të programit të partisë së tij AAK, Haradinaj ka folur edhe rreth asaj se çfarë e pret Kosovën në vitet e ardhshme dhe ka parashikuar që mund edhe të ndodhë një referendum për tu bashkuar me Shqipërinë n rast se shteti kosovar nuk njeh përparim në arenën ndërkombëtare. “C?ka ndodh pas katër ose pesë viteve nëse nuk ka progres në Kosovë, dhe duhet ta kuptoni saktë pse po e bëj këtë pyetje. Nëse Kosova nuk është në dyert e NATO-së, e nëse Kosova nuk ka liberalizim të vizave nga BE-ja, nuk ka njohje nga pesëshja e BE-së dhe na zvarrisin si na kanë mbajtur deri tash, e nëse nuk jemi në dyert e OKB-së? Nuk kemi për të pranuar të ngelemi as në një konflikt të ngrirë e as nuk kemi për të pranuar të ndahemi, por kemi për të zhvilluar një referendum për bashkim me Shqipërinë, mbajeni në mend këtë”, u shpreh Haradinaj. Për atë që pret të ndodhë, kreu i AAK-së ka fajësuar BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë të cilët nuk kanë bërë atë që duhet për të lehtësuar rrugën europiane të Kosovës. “Jo se duam ne, por që 20 vjet i kemi dhënë fjalën perëndimit që duam të respektojmë një vizion të përbashkët për një Kosovë euro-atlantike, për të hyrë në BE, për të shkuar në NATO, për tu bërë anëtare e OKB-së, të na njohë Serbia, dhe me dëshirën që BE-ja të bindë pesë vendet që ende nuk na kanë njohur. Pse na mbajnë kështu të izoluar, pse na lënë në pritje, e kohë pas kohe na thonë se e keni këtë faj e atë faj. A nuk pat asnjë faj Serbia dhe vendet e tjera fqinje? Nuk mund të rrimë zvarrë derisa dikush ta ketë disponimin me u kry çështja e Kosovës”, ka paralajmëruar ai.

Reagimi i Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh se deklarata e kandidatit për President të Kosovës, Ramush Haradinaj për një bashkim të mundshëm me Shqipërinë, është një kërcënim jo vetëm për Serbinë, por për të gjithë rajonin, Evropën dhe madje të gjithë botës. “Por nuk duhet të kthehet me një kërcënim. Ju po bëni çfarë të doni, dhe ne do të kemi një përgjigje të mirë dhe adekuate dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen”, tha Vuçiç në Pallatin e Serbisë. Më tej kreu i shtetit serb vijoi me kërkesën për një reagim nga Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian në lidhje me deklaratën e Haradinaj. Përpjekje kjo për tu viktimizuar në sytë e botës, pavarësisht se janë pikërisht politikanët serbë madje edhe vetë Vuçiç të cilët deklarohen herë pas herë ashpër kundër Kosovës. “Unë do të doja të kisha dëgjuar më shumë reagime nga Uashingtoni dhe Brukseli dhe qendrat e tjera të fuqisë në botë, sepse Zoti na ruajt që dikush nga Serbia të bënte një deklaratë të këtij lloji, ata gati do të na bombardonin. Por është e kotë të flasësh më shumë për standarde të dyfishta”, ka shtuar Vuçiç. Më tej presidenti serb foli lidhur me skenarin, ku Haradinaj arrin ta marrë postin e presidentit të Kosovës dhe karrigen e Kryeministrit të ketë Albin Kurti. Vuçiç tha se mund të krijohet një situatë shumë e pafavorshme, në të cilën si Qeveria ashtu edhe Presidenti i Kosovës do të përpiqet për bashkimin me Shqipërinë. “Ne do të jemi në gjendje të reagojmë ndaj kësaj. Unë nuk po kërcënoj askënd, por krijimi i një Shqipërie të Madhe është një kërcënim për Serbinë dhe rajonin dhe për Evropën dhe botën”, tha ai. Nga ana tjetër, Haradinaj ka replikuar me Vuçiçin duke u shprehur me anë të një postimi në Facebook. .“Mos keni frikë, z. Vuçiç. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po kërkon atë që i takon. Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, ka shkruar Haradinaj, duke përfunduar se për sa kohë që Vuçiç e konsideron të rrezikshëm, kjo do të thotë që është në rrugë të drejtë për të mirën e Kosovës.