BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Rajoni

Vuçiç provokon Kosovën me luftë si në Nagorno-Karabak, reagime të ashpra në Prishtinë

Vuçiç provokon Kosovën me luftë si në

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë janë në një situatë të pa sigurt dhe të paqartë. Institucionet kosovare bëjnë me dije se dialogu është në gjendje jo aktive dhe se nuk është parashikuar asnjë takim, ndërsa deklarimet e ardhura nga Bashkimi Europian pretendojnë se dialogu është në vijim por në nivel ekspertësh. Ndërkohë një deklaratë e ardhur ditën e djeshme nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka trazuar ujërat. Presidenti i Serbisë paralajmëroi dje se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke treguar llojin e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Vuçiç është zotuar se çfarëdo që të ndodhë me bisedimet në Bruksel, Beogradi do të vazhdojë të forcojë veten ekonomikisht dhe ushtarakisht për të mbrojtur vendin në çdo moment nga çdo agresor i mundshëm. “Për mua, është e rëndësishme t’ju them se konflikti në Nagorno-Karabak tregoi se si një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzohet në një katastrofë të vërtetë. Një arsye është që ne nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë një konflikt të ngrirë. Kompromisi nuk do të thotë që ne do ta arrijmë atë, duhen dy anë”, thotë Vuçiç. Siç deklaron më tej presidenti serb, bota përveç deklaratave, nuk është e gatshme të reagojë dhe çfarëdo që të ndodhë, në fund të fundit ju duhet të mbështeteni në forcën tuaj. “Kjo është arsyeja pse Serbia do të vazhdojë të forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht”, citohet nga mediat e huaja të ketë thënë Vuçiç.

Reagime nga politika e Kosovës

Pas deklaratës kërcënuese të presidentit serb, ka reaguar ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani. “Pres që BE dhe NATO t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiçi”, shkroi ajo. Edhe Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar, duke u shprehur se një deklaratë e tillë e ardhur nga presidenti serb muk është aspak në dobi të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. “Deklarimet e Vuçiç, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke. Ato janë në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në rolin e saj konstruktiv në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit. Qeveria e Kosovës pret nga BE dhe nga NATO të reagojë ndaj këtyre provokimeve. Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO, BE dhe të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, si një vlerë e shtuar për zhvillimin e demokracisë dhe paqes në botë”, është deklaruar Hoti me një status në Facebook. Reagimi i ardhur nga ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka qenë edhe më i ashpër. “Pasi furnizoi me armë konfliktin Nagorno-Karabak, me armë të prodhuara nga Serbia, Vuçiç, ministri i Informacionit në kohën e Millosheviçit, tani po kërcënon të gjithë NATO-n, si dhe po nxit vendet fqinje për përgatitje ushtarake për luftëra të reja në Ballkan. Politika dhe qasja e “këlyshit Rusisë” është qartazi kundër vlerave të BE dhe politikave të sigurisë së Ballkanit. Të gjitha përpjekjet ruse dhe serbe për të minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit janë të papranueshme për Kosovën dhe, me siguri, do të dështojnë, njësoj sikurse kapitullimi i tyre famëkeq në 1999-n” tha ajo. Sakaq, zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi si histerike reagimet e autoriteteve të Kosovës. Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviç, tha se mesazhi kryesor i Vuçiçit ka qenë se për Serbinë paqja është më e rëndësishmja. “Nëse përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë janë njësoj të interesuar për paqe, ata duhet ta mirëpresin dhe mbështesin një angazhim të tillë nga Beogradi. Serbia dhe presidenti i saj konfirmojnë vazhdimisht, edhe me fjalë, edhe me vepra, se ne jemi garantuesi më i fortë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe këtë e kuptojnë dhe e mbështesin të gjithë faktorët relevantë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha ai.