Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Rajoni

Vuçiç raporton te Putin për paktin e Uashingtonit, Rusia shfrytëzoi pandeminë për të shtrirë ndikimin në Ballkan

Vuçiç raporton te Putin për paktin e Uashingtonit, Rusia

Një raport i Fondacionit Rusia e Lirë me seli në Shtetet e Bashkuara, ka dalë në përfundimin që Rusia dhe Kina kanë përdorur pakënaqësitë e shteteve ndaj Bashkimit Europian gjatë periudhës së pandemisë, për të përfituar që të shtojnë influencën e tyre në këto vende. Sipas raportit, Rusia bëri përpjekje që të shfrytëzojë ndihmën e saj ndaj Serbisë në kohën e pandemisë së COVID-19, për të siguruar një mbështetje të Kombeve të Bashkuara që do të mund të lehtësonte sanksionet perëndimore ndaj saj. Sipas VOA, studimi ka në vëmendje kritikat e ashpra të 15 marsit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç ndaj Bashkimit Evropian i cili “u vonua” të ndihmojë Italinë e cila ishte goditur rëndë nga pandemia si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa vlerësoi shumë ndërkaq ndihmën nga Kina. Sipas raportit ai kishte dy arsye për një qasje të tillë; së pari, ai duhej ta zhvendoste vëmendjen nga përgjegjësia për situatën me pandeminë, që ishte injoruar fillimisht nga autoritetet dhe së dyti, mesazhet anti-BE të tij ishin lëvdata ndaj aleatit autoritar të Serbisë, Kinës. Deklarata e presidentit serb Vuçiç se "solidariteti evropian ishte një përrallë" ishte natyrisht një fyerje e dukshme për Bashkimin Evropian. Në periudhën midis viteve 2000-2018, BE-ja i dha Serbisë "grante me vlerë prej rreth 3.6 miliardë eurosh, ndërsa grantet kineze për Serbinë arritën në rreth 30 milionë euro. Asnjë ndihmë financiare ruse për Serbinë nuk është regjistruar publikisht në të njëjtën periudhë. Për më tepër në 20 vjetët e fundit BE ka dhuruar 200 milionë euro dhe ka lëvruar kredi prej 250 milion eurosh për forcimin e sistemit shëndetësor të Serbisë. Qartazi, thuhet në raport, as Kina e as Rusia nuk mund të konkurrojnë me BE-në në shumën e ndihmës financiare ndaj Serbisë. Por, fusha ku ata mund të konkurrojnë është koha e vendimmarrjes, meqë Pekini dhe Moska janë superiore ndaj Brukselit pasi janë në gjendje të marrin vendime menjëherë - një aftësi e regjimeve autoritare që shmangin dhe përçmojnë debatin në procesin e vendimmarrjes. Raporti thekson se një periudhë e shkurtër kohore , rreth një javë, midis lutjes së presidentit serb për ndihmë nga Kina dhe premtimeve të BE-së për t’i dhënë miliona euro Serbisë për ta ndihmuar atë të luftonte pandeminë, u shfrytëzua në mënyrë cinike nga Pekini dhe Moska për të sulmuar Brukselin dhe kryeqytetet e tjera evropiane, ndërsa synonin të çonin përpara qëllimet e tyre. Për Kinën, thuhet në raport, ato synime ishin kryesisht ekonomike, meqë ajo është e interesuar të investojë në Serbi. Përkundrazi, Rusia u nxit nga lufta e saj politike me perëndimin në përgjithësi dhe BE-në në veçanti. Rusia i ofroi Serbisë fjalë për një mbështetje të madhe por nuk arriti të ofrojë shpejt ndihmë mjekësore, financiare ose ndihmën e ekspertëve për "popullin vëlla serb". Në atë kohë, thuhet në raport, Beogradi nuk ishte i rëndësishëm për lojën gjeopolitike të Rusisë. Ajo përdori burimet e saj për t’i ardhur rrotull Italisë, anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Vuçiç raporton tek Putin

Presidenti i Serbisë, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e informoi atë në lidhje me bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të mbajtura më 4 dhe 7 shtator. Kremlini njoftoi se biseda u zhvillua me iniciativë të palës serbe, duke shtuar se ajo u përqendrua në çështjen e Kosovës. "Vladimir Putin konfirmoi pozicionin e pandryshuar të Rusisë për një zgjidhje të ekuilibruar dhe kompromisi që është e pranueshme për Beogradin dhe e cila do të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara", thuhet në njoftimin e Kremlinit. Sipas një njoftimi të presidencës serbe, Vuçiç ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Rusisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, si dhe për përpjekjet e saj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon. “Presidenti Putin, tha se Federata Ruse do t'i sigurojë Serbisë mbështetje politike në përpjekjet e saj për të ruajtur integritetin e saj territorial dhe të koordinojë veprimet e saj të politikës së jashtme me Serbinë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së rendit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.