BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Rajoni

Vuçiç vijon të bëjë viktimën përballë ndërkombëtarëve për dialogun me Kosovën, distancohet nga Serbia e Madhe

Vuçiç vijon të bëjë viktimën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç duket se nuk heq dorë nga deklaratat e tij të cilat kanë për qëllim që të “viktimizojnë” Serbinë në sytë e ndërkombëtarëve në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën. Në një bisedë të zhvilluar me “Këshillin e Atlantikut” për gjendjen me pandeminë, është diskutuar edhe mbi procesin e dialogut me Kosovën, një proces që pritet të nisë në maj ose qershor dhe mbi të cilën liderët e të dy vendeve do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë europianë. Edhe pse nuk është e qartë se përse do të duhej që Serbia të kërkonte dëmshpërblime lufte, ndërkohë që e dëmtuara është Kosova, presidenti serb tha se nuk është Beogradi që është duke shantazhuar me dëmshpërblime lufte. “Ju nuk dëgjoni ndonjë shantazh nga Beogradi. Ne nuk kërcënojmë me dëmshpërblimet e luftës dhe procese gjyqësore, por ne dëgjojmë se çdo ditë nga Prishtina dhe nuk ka asnjë reagim nga SHBA-ja dhe BE-ja”, tha zoti Vuçiç. Presidenti serb shtoi se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u nënshkrua në Bruksel dhe se është shumë e rëndësishme që të rritet besimi mes dy shteteve. Vuçiç tha se është e nevojshme që shqiptarët të bien dakord për një kompromis të caktuar, nxitur kjo ndoshta edhe nga letra e dërguar nga presidenti amerikan Joe Biden për presidenten e Kosovës, zonjën Vjosa Osmani ku shkruhej se në procesin e dialogut mes dy vendeve mund të ketë nevojë për kompromise. Vuçiç gjithashtu ka vijuar thumbimet ndaj politikës kosovare duke u shprehur se nuk është Serbia ajo që flet për “Serbinë e Madhe”, por janë shqiptarët ata të cilët flasin shpesh për “Shqipërinë e Madhe”. Në lidhje me atmosferën e dialogut, presidenti serb vlerësoi se atmosfera duhet të ndryshojë nëse qëllimi është të arrihet një zgjidhje kompromisi. "Le të flasim për gjithçka në një mënyrë krejtësisht të ndryshme, për të rritur besimin e ndërsjellë, ne jemi rivalë, por nuk ka asnjë arsye për të vepruar si armiq. Mund të krijohet presion i madh mbi ne politikanët për njohje, por që populli serb nuk do ta pranojë atë" tha Vuçiç. "Dhe keni nevojë për të dy popujt, serbë dhe shqiptarë, dhe kjo është arsyeja pse atmosfera duhet të ndryshojë, dhe atmosfera në Prishtinë është shumë më e keqe se në Beograd, e cila gjithashtu nuk është e shkëlqyeshme kur bëhet fjalë për pajtimin dhe afrimin e një zgjidhje kompromisi me Prishtinën", tha ai.

Bosnje e Hercegovina

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka bërë me dije se Serbia dëshiron raporte partneriteti dhe miqësie me Bosnje dhe Hercegovinën dhe entitetin e Republika Srbska. “As që më bie në mend të flasim për luftë dhe me ata që bëjnë thirrje të tilla”, tha Vuçiç, pasi u pyet nga gazetarët që të komentojë deklaratat e disa politikanëve në Bosnje se nuk ekziston asnjë mundësi për një ndarje paqësore midis entiteteve të Bosnje dhe Hercegovinës, pas informacioneve se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, të ashtuquajturën “non-paper”, ku thuhet se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar. Pas takimit me zyrtarë të entitetit serb të Bosnjës, Vuçiç tha se me kujdes ka dëgjuar mendimet e tyre për situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë. “Për ne është e rëndësishme të ruhet paqja dhe stabiliteti dhe të zhvillojnë ekonominë”, tha ai. Më pak se tre muaj para fillimit të presidencës gjashtëmujore sllovene të Bashkimit Evropian, në media u shfaqën pretendimet lidhur me propozimin e supozuar të Janshës për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon. Sipas përmbajtjes së publikuar, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.