BREAKING NEWS

Aromë trazirash në prag të 25 prillit, Berisha kërcënon me revolta nëse humbet zgjedhjet, Meta sfidon SHBA dhe paralajmëron rrëzimin e reformës në drejtësi

Aromë trazirash në prag të 25 prillit, Berisha kërcënon
x

Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë, mbyllen listat e kandidatëve, Vjosa Osmani rreth 10 emra në listat e Lëvizjes Vetëvendosje

Zgjedhjet në Kosovë, mbyllen listat e kandidatëve, Vjosa Osmani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka mbyllur procesin e regjistrimit të listave te kandidateve për zgjedhjet e 14 shkurtit.  Janë regjistruar 1079 kandidatë, të cilët do të garojnë për 120 mandate deputetësh. Tashmë pritet të fillojë edhe verifikimi për këta kandidatë, që janë paraqitur nga 28 subjekte politike. Në total janë 21 parti, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Procesi i verifikimit pritet të mbyllet deri më 20 janar. Ndërkohë nga Shoqëria Civile është ngritur shqetësimi, se pothuajse të gjitha partitë kanë prezantuar në listat e tyre persona të inkriminuar apo me probleme me ligjin. Disa nga partitw kanw bwrw publike emrat. LDK

ka konfirmuar si kryesues të listës Avdullah Hotin, që është kështu edhe kandidati për Kryeministër nga kjo parti, i ndjekur nga Behgjet Pacolli, Lirije Kajtazi, Anton Quni dhe Arben Gashi. Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka komentuar listën e kandidatëve të kësaj partie. Ai ka thënë se LDK-ja ka hyrë në garë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e bindur në fitore, sepse LDK-ja sipas tij është subjekti me listën me kandidatët më të përgatitur, të gjithë profesionistë të dëshmuar në sfera të ndryshme të jetës. “Kemi vizion të qartë për jetësimin e ëndrrave të gjeneratave të tëra për Kosovën shtet demokratik, të integruar në BE dhe në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të. Të gjithë qytetarët e Kosovës, do të përfitojnë nga programi qeverisës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse është program me përmbajtje që synon kthimin e normalitetit në çdo sferë të jetës. Ju ftoj që të përcaktoheni për kthimin e normalitetit në jetën tonë, të votoni listën e LDK-së të cilës i prij unë, kandidat për kryeministër”, ka shkruar ai në Facebook. Gjithsesi jo gjithçka ka shkuar mirë, pasi lista e LDK-së ka krijuar pakënaqësi në AKR, parti e cila do të kandidojë bashkë me LDK-në. Pakënaqësia ka ardhur si pasojë e renditjes së kandidatëve të AKR, problem ky që me shumë mundësi do të gjejë zgjidhje shumë shpejt sipas sekretarit të përgjithshëm të AKR-së, Vesel Makolli, i cili u shpreh se grupet punues të dy partive janë duke punuar për të ndryshuar listën dhe renditjet. “Nuk flitet për përçarje, por flitet për një mos-kënaqësi tonën për shkak të mos respektimit të marrëveshjes që është bërë në nivel më të lartë të liderëve, më konkretisht bëhet fjalë për radhitjen e kandidatëve tonë që na kanë ndryshuar, andaj ne jemi deklaruar për pakënaqësinë tonë dhe gjatë ditës së sotme grupet tona punuese të përbashkëta janë duke punuar të tejkalohet kjo mos kënaqësi”, tha ai.

Osmani “pushton” listat e LVV

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do jetë numri dy në listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas mediave kosovare, veç saj në listën e LV-së do të jenë edhe të paktën tetë kandidatë të tjerë nga iniciativa e Osmanit, por që sinjalet janë që mund të jenë edhe më shumë. “Jemi me shumë se çfarë kam lexuar në media, pasi në shumë s’e kam parë as emrin tim, por besoj se jemi mjaftueshëm”, është shprehur për KP një nga kandidatët, i cili në zgjedhjet e vitit 2019 ka kandiduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por që tani ka vendosur të kandidojë me Osmanin në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra pritet që Osmani të marrë diku te 10 deputetë.

PDK dhe AAK mbi listat

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në zgjedhje partia e tij do të përfaqësohet me një listë që përbëhet prej grupmoshave të ndryshme, duke respektuar kuotën gjinore, të rinj e të reja të cilët kanë arritur të mirë përgatiten profesionalisht në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

 “Dy e treta e listës përbëhet nga kandidatë që për herë të parë sfidohen në garën zgjedhore”, ka shkruar ai në Facebook. Ndërkohë edhe PDK i ka bërë publikë emrat me të cilët do të përfaqësohet në këto zgjedhje. Lista kryesohet nga kryetari i partisë Enver Hoxhaj, ndërkohë që nëpërmjet një deklarate, PDK e konsideron listën e vet si listën e kandidatëve të rimëkëmbjes.