BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Sport

11-shi më i mirë i Bundesligës, Gjasula i Shqipërisë në formacionin e “yjeve” në Gjermani

11-shi më i mirë i Bundesligës, Gjasula i Shqipërisë

Zbriti nga kategoria, por ai vetë u zgjodh në 11-shen e yjeve në Bundesligën gjermane, duke marrë lëvdata për sezonin e mrekullueshëm që zhvilloi, tamam si një gladiator, falë edhe kokores që mban pa e hequr në çdo ndeshje. Aventura e Klaus Gjasulës me Paderbornin në Bundesliga zgjati vetëm një sezon, por kaq i mjaftoi mesfushorit të kombëtares sonë për të lënë gjurmë në historinë e kësaj lige. 30-vjeçari ishte një nga lojtarët kryesorë të ekipit të tij, duke luajtur titullar dhe i dhënë mjaft grintë ekipit në mesfushë. Ai luajti 28 ndeshje si titullar dhe shënoi 2 gola. Gjasula është një lojtar, që luan me ndërhyrje në limitet e rregullores dhe kjo e ka bërë të ndëshkohet me plot 18 kartonë të verdhë dhe të bëhet lojtari më “i zverdhur” në histori gjatë një edicioni të Bundesligës. Ky është një rekord negativ, por gjermanëve nuk u ka kaluar pa evidentuar as cilësitë e tij. Të paktën “Der Spiegel” jo, pasi kjo gazetë e vendos Gjasulën në formacionin e vitit. Gazeta ka një histori të veçantë për çdo lojtar të formacionit dhe Gjasulën e përshkruan kështu: Klaus Gjasula. Atij iu vendos emri Klaus nga prindërit e tij sepse ata ishin fansa të mëdhenj të filmit “Black Forest Clinic”, me Klausjurgen Vusoë si personazhi Profesor Brinkman. Emri i vëllait të tij është Jurgen. Ndërkohë, mbrojtësi me origjinë shqiptare i Padërborn ka bërë emër edhe për veten e tij për arsye të tjera. Përkrenarja e tij, të cilën e ka vendosur për shkak të një frakture në kokë që nga viti 2013, e bën atë optikisht unik në kampionat. Ky sezon ishte rekord për të. Me kartonin e tij të 17 të verdhë, që e mori në ndeshjen kundër Verder Bremen, ai vendosi një rekord të Bundesligës dhe uli nga froni Tomas Hajto të Shalkes. Jo domosdoshmërisht diçka për të cilën krenohemi. Gjasula është një djalë i ashpër, por ai nuk është aspak i dhunshëm. Faullet e tij janë kryesisht taktike dhe askush nuk është dëmtuar në rastet kur ai është ndëshkuar me karton të verdhë. Dhe në fund të fundit, 30-vjeçari ka lënë gjurmë të përhershme për Padërborn, kur klubi duhet të garojë përsëri në Bundesliga 2 në sezonin e ardhshëm. Formacioni i përzgjedhur nga “Der Spiegel”: Jan Somer; Darida, Trimel, Dejvis; Gjasula, Kostiç, Uritz, Myler; Baungardner, Haland, Anderson.

Kombëtarja

Trajneri Edi Reja deklaroi dy ditë më parë për mediat italiane se kapiteni i skuadrës së përfaqësueses së Shqipërisë, Elseid Hysaj, duhej të qëndronte tek Napoli, për të mbajtur nivel të lartë performance dhe për të ruajtur pozitat e tij jo vetëm në kampionatin italian, por edhe në kombëtaren kuqezi. në fakt, kjo nuk vlen vetëm për Hysajn, pasi trajneri komunikon me lojtarët dhe i nxit ata të punojnë më shumë për të qenë në fushë me skuadrat e tyre, pasi që të ftohesh në Kombëtare më së pari një lojtar duhet të ketë minutazh të plotë ose të mjaftueshëm. Një nga arsyet pse Klaus Gjasula ka marrë vëmendjen e tij është se lojtari është aktivizuar rregullisht këtë edicion me Padërbonin dhe ka qenë një nga pikat e forta të Kombëtares në ndeshjet e shkuara kualifikuese të Europianit. Edhe pse Shqipëria nuk ia doli të kualifikohet, pasi kishte në grup skuadra të forta si Franca e Turqia, sërish luajti mirë nën drejtimin e Rejës dhe në këtë paraqitje të mirë një futbollist bëri diferencë dhe ai është Klaus Gjasula. Shpesh në analizën sportive mesfushori është cilësuar edhe si “truri” i skuadrës, por shumë të tjerë e kanë vlerësuar si “regjisor” në Kombëtare, duke lënë në hije Xhakën dhe duke nxjerrë në “pension” Migjen Bashën. Jo vetëm kaq, por trajneri Reja në skemat e tij ka lënë të kuptohet se Gjasula është më i preferuar se Memushaj dhe pavarësisht eksperiencës në kampionatin italian të futbollit, duket se Gjasula përmbush më së miri kriteret e dëshiruara nga Reja për një futbollist që punon në mbrojtje dhe në sulm dhe di të hapë lojën sipas nevojave të grupit dhe në varësi të rezultatit. Kjo filozofi e të kuptuarit të lojës, e bën Gjasulën të vëmendshëm dhe mjaft të dashur për skemat taktike të stafit teknik të skuadrës kombëtare.