BREAKING NEWS

U zhduk në rrethana misterioze, Policia jep informacion: 3 të arrestuar për pengmarrjen e Jak Prengës në Kamëz, 7 të tjerë në kërkim

U zhduk në rrethana misterioze, Policia jep informacion: 3 të
x

Sport

4 javë garë, Skënderbeu s’ka mbrojtje, Vllaznisë i mungon sulmi

4 javë garë, Skënderbeu s’ka mbrojtje, Vllaznisë i

Janë luajtur katër javët e para të Kategorisë Superiore dhe është fakt që kjo gjysmë e parë e fazës së parë të kampionatit është dominuar nga Tirana, e cila ka grumbulluar 10 pikë, me tri fitore e një barazim, duke mbajtur vendin e parë në renditje. Natyrisht, kampionati sapo ka filluar dhe është ende herët për të dhënë deduksione të natyrës së pritshmërive sportive për një sezon të gjatë, por është fakt që Tirana këtë edicion synon titullin dhe ka potencial të mirë për të arritur objektivin e saj. Ndërkohë, ekipet që do ta rivalizojnë do të jenë Partizani, kampion në fuqi, si dhe Kukësi e Teuta, që kanë një grup të konsoliduar, kanë bërë ndryshime në merkato për mirë dhe kanë cilësi të admirueshme për të pretenduar trofe. Nga ana tjetër, janë dy skuadra me emër të madh por që nuk i kanë punët në terezi dhe këtu përfshihen Vllaznia dhe Skënderbeu, që kanë oshilacione në lojë e rezultate. Skënderbeut i fut “ujë” mbrojtja, kurse Vllaznisë nuk i prodhon asgjë sulmi. Dy reparte të kundërta për ekipet e kundërta gjeografikisht në kampionatin tonë, teksa situata me repartet problematike ka mbërritur deri tek tifozët që kërkojnë reflektimin e ekipeve.

Skënderbeu probleme me mbrojtjen

NëKorçë janë të bindur: Skënderbeu nuk do të jetë e njëjta skuadër, deri këtu nuk po themi përfundimin e një ekuacioni për të cilin na u desh vite ta zgjidhnim, kjo është evidente, dhe ai ekip që dominonte në Shqipëri vështirë se në Korçë do ta përjetojnë sërish në një të ardhme të afërt, gjithsesi Ilir Daja dhe rezistentët, së bashku me afrimet e merkatos, po kërkojnë që të bëjnë kampionatin e tyre pa e ulur kokën përballë askujt. E thënë kjo, problemet, sidomos në fazën mbrojtëse, janë në dritën e diellit. 8 gola të pësuar në 4 ndeshje, 6 vetëm në dy takimet e fundit ndaj Bylisit dhe Tiranës. Turtulli e Pollozhani duhet ende të përshtaten, ndërsa Jorgo Pëllumbi, i cili është i pasur me talent, po luan me shqetësime fizike dhe për rrjedhojë nuk ka shfaqur maksimumin e mundshëm. Është krejt normale që Skënderbeu të ketë luhatje, sepse ishte në ajër, i pasigurt për identitetin dhe të ardhmen, e më pas u ndërtua skuadra me shpejtësi dhe 6 pikë nga 12 mund të konsiderohen edhe si një start pozitiv, megjithatë duhet forcuar kështjella, në të kundërt çdo sulm rrezikon të kalojë përtej portave të kalasë së Skënderbeut.

Vllaznia probleme me sulmin, vetëm 1 gol në 4 takime

Objektivi i një skuadre në fushën e futbollit është të fitojë dhe që të fitosh duhet të realizosh gola, por Vllaznia ka probleme me golin. Nuk është rastësi që futbollistët më të paguar në tregun botëror dhe lojtarët, kartoni i të cilëve mbërrin në shifra stratosferike, janë ata që e kanë këtë talent, dinë se si të shënojnë. Nuk është detyra më e thjeshtë në botë, përkundrazi, për të ardhur te Kategoria Superiore, skuadra e klubit më të vjetër në Shqipëri (Vllaznia) po vuan pikërisht në këtë element mjaft të rëndësishëm të lojës, rezultatet kanë ardhur, golat jo. Vetëm 1 gol i realizuar në 4 javët e para dhe 0 gola në 3 ndeshjet e fundit. Më shumë ka shënuar portieri i Bylisit, Hidi, se i gjithë ekipi kuqeblu. I vetmi rast i finalizuar, edhe ai që në raundin e pare, kundër Laçit, erdhi nga një mesfushori si Hygor. Duhet ende të gjejnë veten sulmuesit Ardis Kruja, Uanderson, Sinho, Zogaj, pse jo edhe Gilman Lika, lojtarë që e kanë për detyrim për të qenë më pranë portës dhe rrjedhimisht kanë përgjegjësinë për ta përcjellë topin në rrjetë. Gjithçka kërkon kohën e vet, por diçka duhet të ndryshojë, edhe pse 5 pikët deri diku kënaqin dhe faza mbrojtëse me vetëm 2 gola të pësuar edhe ato në një ndeshje të vetme ndaj Tiranës janë motiv për të buzëqeshur, por stadiumin e ndezin golat.

Adriatik BALLA