BREAKING NEWS

BE pret të hapë fluturimet nga 15 Qershori, ç’do ndodhi me Shqipërinë

BE pret të hapë fluturimet nga 15 Qershori, ç’do ndodhi
x

Sport

7 ekipe në garë për 2 vende në Europa League, aleancat këtë herë nuk funksionojnë

7 ekipe në garë për 2 vende në Europa League, aleancat

Kategoria Superiore do të nisë më 3 qershor. Natyrisht, kthehet në fushë për të luajtur ato 10 xhiro të mbetura të kampionatit, pas 3 muajsh ndërprerje të garës për shkak të koronavirusit. Vendin e parë e mban Tirana, e cila është e shkëputur me 9 pikë nga vendi i dytë dhe mbyllja si kampione e garës duket e pashmangshme dhe praktikisht Tirana duket e pakapshme në këto javë të mbetura, prandaj ka gjasa maksimale të marrë pjesë në Champions. Lufta do të bëhet për dy vendet që të çojnë në Ligën e Europës (vendi i dytë dhe i tretë në renditje), pozicione për të cilat janë në garë plot 7 ekipe. Kështu, Kukësi duket më i avantazhuar, pasi është në vend të dytë me 44 pikë, ndërsa më pas vjen Laçi dhe Skënderbeu me 41 pikë. Pas tyre renditet Teuta me 40 pikë. Siç shihet, janë katër ekipe që luftojnë për vend të dytë dhe diferenca është vetëm 4 pikë. Por nuk mund të përjashtohen nga ky objektiv edhe klubet e Bylisit e të Vllaznisë, që kanë respektivisht 36 dhe 35 pikë, të cilat jo vetëm teorikisht kanë shanse të kapin vendin e tretë, pozicion që i çon automatikisht në Ligën e Europës. Janë 10 javë garë dhe të gjithë kanë objektiv Europën, prandaj nuk pritet të ketë aleanca që prishin garën. Të gjithë duan maksimumin për vete dhe kjo e bën garën të ethshme dhe për herë të parë s’do të ketë konjuktura që e prishin kampionatin. Të paktën jo në këtë fazë rikthimi. Tabela e mëposhtme e sqaron më mirë këtë, por edhe deklaratat e lojtarëve të skuadrave të ndryshme si Bregu i Skënderbeut dhe Arapi i Teutës. .

Dejvi Bregu: Skënderbeu e ka një shans për Europën

Me rikthimin e futbollit, 24-vjeçari dejve Bregu ka mundësinë të thyejë rekordin personal të golave dhe në këtë mënyrë në një rrjedhë logjike nuk ka se si të mos ndjehet i lumtur që shumë shpejt ai dhe Skënderbeu do të jenë sërish në fushë në një sfidë kampionatin. “Gjithmonë është bukur të bashkohesh, pasi vinim nga një periudhë mjaft e mirë, qoftë personale, qoftë edhe si ekip. Megjithatë kemi qenë një kohë të gjatë pa aktivitet, ndaj shpresoj të gjejmë sa më shpejt formën më të mirë”, u shpreh Bregu. Aktorët kryesor në futbollin shqiptar në përgjithësi kanë rënë dakord për një temë, koha është e pamjaftueshme, dhe në këtë rrjedhë mendimi është edhe anësori vlonjat, megjithatë shpresa për të bërë mirë është e pranishme tek bardhekuqtë. “Normal që periudha për t’u përgatitur nuk është aspak e mjaftueshme, por unë kam besim te ekipi se mund t’ia dalim, pasi kemi cilësi në grup”, nënvizoi vlonjati. Në çastin kur kampionati u ndërpre për shkak të pandemisë Skënderbeu ndodhej në vendin e 4-ët, një pozicion që edhe mund të të dërgojë në Europë, dhe pikërisht pjesëmarrja në Europë nëpërmjet klasifikimit është objektivi i madh, më pas natyrisht duhet pritur gjykata federale. “Kur ecën mirë, normalisht që do pretendosh për më lart dhe ne e kemi treguar që jemi të barabartë me këdo nga ekipet e para të renditjes. Shpresoj të ruajmë këtë pozicion dhe pse jo të ngjitemi më lart”, shtoi sulmuesi.

Arapi: Teuta e aftë për të zënë një vend që e çon në Europë

Pavarësisht se disa herë “djemtë e detit” janë përgatitur me grupe të diferencuara, ata e kanë pritur me durim rinisjen e seancave stërvitore me kapacitet të plotë, këtë fakt e konfirmon kapiteni i Teutës, Renato Arapi. “I shoh të gjithë djemtë entuziastë për rikthimin në stërvitje, pasi kemi kaluar në periudhë të vështirë. Janë të gjithë në humor dhe të angazhuar maksimalisht për t’u përgatitur sa më mirë për sprintin final të sezonit”, tha Arapi. Përvoja e ka bërë të kuptojë se koha është e shkurtër për të qenë plotësisht gati më 3 qershor, megjithatë sipas 33-vjeçarit, Teuta do të tentojë maksimumin për të qenë në formën e pretenduar. “Duhet të kishim më shumë kohë për stërvitje, por besoj se do të arrijmë një farë niveli për të përballuar me sukses pjesë ne mbetur të sezonit. Çdo gjë që e lejon matematika, nuk është e paarritshme, por ne do të provojmë deri në fund për ta mbyllur sezonin në vendin e dytë, pasi vetëm Tirana është disi e shkëputur”, shtoi futbollisti.