BREAKING NEWS

“Nuk ka arsye që ta mbajmë pagën minimale aty, por...”, Rama jep lajmin fantastik për shqiptarët

“Nuk ka arsye që ta mbajmë pagën minimale aty,
x

Sport

Dhimitraq Xhambazi: Bojkoti solli probleme në kampionat kurse Kombëtarja e ka justifikuar veten

Dhimitraq Xhambazi: Bojkoti solli probleme në kampionat kurse

Kampionati ka luajtur 14 javët e para të tij, ku Vllaznia e Shkodrës është jo vetëm surpriza e bukur e këtij edicioni, por njëherësh dhe kryesuesja e garës e skuadra që ka më shumë shanse të fitojë titullin kampion. E përkundër saj, në qytetin tjetër të emancipimit shqiptar, në Korçë, Skënderbeu shfaqet me probleme, një skuadër që këtë edicion rrezikon shumë, nisur dhe nga pozitat aspak të mira në fund të renditjes. Gjithsesi, gara është e gjatë, janë shumë pikë në lojë dhe gjithçka mund të ndodhë. Kështu beson dhe një nga ikonat e futbollit korçar, Dhimitraq Xhambazi, i cili, në analizën e tij për kampionatin këtë sezon, vuri theksin tek pasojat që la bojkoti, por edhe problemet e paqëndrueshmërisë së skuadrave. Me një arsyetim logjik, argumente të forta sportive, jashtë emocioneve, Xhambazi jep mendimet e tij për fenomenet pozitive dhe negative në kampionat, por nuk lë jashtë vëmendjes as skuadrën përfaqësuese, e cila e realizoi objektivin e saj në Ligën e Kombeve dhe po mendon për eliminatoret e Botërorit Katar-2022. Për Xhambazin, përfaqësuesja është rritur dhe duke u nisur nga suksesi që patëm në Euro-2016, beson se gjërat e bukura nuk ndodhin vetëm një herë, por mund të ndodhin në vijimësi, duke qenë optimist rreth asaj që në Kombëtare janë krijuar kushtet për të pasur më shumë cilësi dhe rezultate.

- Dëshiroj ta nisim këtë intervistë nga Skënderbeu, pozitat e tij në këtë kampionat. Cili është mendimi juaj rreth ecurisë së skuadrës në këto 14 javë të para?

- Nuk na vjen mirë që Skënderbeu është në këtë situatë, por kjo është një gjendje e krijuar si pasojë e dënimit që i erdhi nga Europa. Nga ana tjetër, duhet të pranojmë që një skuadër që nuk ka elementë cilësorë e që bëjnë diferencë, nuk mund të shkojë në majë. Megjithatë, ky është një Skenderbe me lojtarë të rinj dhe kjo gjendje është dhe për këtë shkak. Është fakt që skuadra ka shumë të rinj dhe, sado që është fenomen pozitiv, ata nuk e kanë eksperiencën dhe konsolidimin e duhur.

- A mund të dalë Skënderbeu nga kjo gjendje?

- Shiko! Kampionati është i gjatë dhe ka kohë për të rikuperuar. Janë shumë ndeshje pa u luajtur dhe mundësitë e lëvizjeve me karakter pozitiv janë të mëdha. Nuk duhet të harrojmë se diferencat me pikë midis skuadrave janë të vogla. Por që të realizohet objektivi kërkohet një sforco më e madhe, nuk duhen lënë pikë rrugës, siç kemi bërë në shumë ndeshje. Me Partizanin patëm këtu një humbje fatale, një gol që u pësua nga portieri nuk e kuptoj sesi, një gol i pësuar për mungesë besimi. Është e papranueshme që ne kemi lënë pikë me kundërshtarë të të njëjtit nivel brenda këtu në Korçë. Kemi marrë dy fitore, një me Kastriotin e një me Bylisin, dhe 4 barazime. Epo duhej të kishim më shumë pikë dhe do t’i kishim nëse skuadra do të sforconte pak më shumë dhe nëse do të kishte besim në vetvete.

- Si e shihni në tërësi këtë edicion?

- Edicioni ka përfaqësues një emër, Vllazninë, e cila ka ecur shumë. Ka 32 pikë, në krye, por unë mendoj se me 27-28 pikë tani do të kishim një kampionat më të bukur, më shumë rivalizues. Shkëputja nuk i jep bukuri, përkundrazi, sa i takon nivelit të kampionatit mendoj se është i mirë. Nuk është ndonjë kushedi çfarë, por nivel i mirë. Ka rivalitet, ka ndeshje të bukura, ka përpjekje dhe padyshim dhe ambicie të shumë skuadrave për të pasur sukses. Disa ekipe po përpiqen të bëjnë maksimumin për të qenë në zonën që të çon në Europë dhe kjo i jep garës ngjyra pozitive. Por ka dhe gjëra negative, nëse mund të shprehemi kështu, dhe kjo rënie lidhet me mënyrën se si e konceptuam kampionatin. Nuk duhet të harrojmë faktin se kampionati nisi me dy muaj shkëputje, është periudhë shumë e gjatë dhe e dëmshme dhe efektet e saj po ndihen negativisht në disa drejtime. Kemi një ngjeshje kalendari dhe kjo ngjeshje korrespondon me këto ditë të ftohta janari. 3 ndeshje në një javë nuk janë normale, për më tepër në këtë periudhë. Ndeshja që u luajt këtu në Korçë besoj e dëshmoi këtë. Vetëm lojë që nuk ishte, nuk luhet mbi akull. Unë nuk jam kundër kërkesave që ngritën klubet, përkundrazi, i quaj të drejta. Por kampionati mund të zhvillohej pa hequr dorë nga kushtet. Bojkoti mund të bëhej tani në dimër, jo në atë periudhë. I qëndroj idesë që kërkesat ishin të drejta, por nuk duhej të kishim bërë bojkot. Këtu duhet ta shohim fenomenin të lidhur me anën sportive, për pasojat që ka tek klubet dhe tek lojtarët, gjë që është evidente. Ky kampionat po provon se me dy humbje rresht bie 7-8 vende në renditje. Prandaj dhe trysnia tek skuadrat është e madhe.

- Të flasim dy fjalë për Vllazninë, një surprizë e madhe e sezonit. Çfarë duhet veçuar tek kjo skuadër

- Ndjehem keq për dozën e kritikave që i kam bërë Vllaznisë sezonin e kaluar. E kam bërë se në atë periudhë skuadra e Vllaznisë kishte probleme të shumta. Vllaznia e një sezoni më parë mezi kalonte “klasën”. Por këtë herë Vllaznia është krejt ndryshe. Unë kam parë tek ata një motivim të madh, luajnë mirë e më mirë, po marrin pikë brenda e jashtë fushës së tyre dhe besoj se dalin kampionë. Ata i karakterizon qetësia dhe kanë vetëbesim në lojën e tyre. Kur shoh lojën e Vllaznisë më kujtohet Skënderbeu i disa viteve më parë, i cili e gjente golin me lehtësi dhe e arrinte suksesin me mjaft qetësi e harmoni në lojën e tij.

- Ky kampionat ka shumë të rinj, por dimë pak rreth cilësisë së tyre. Cili është mendimi juaj për të rinjtë e kampionatit?

- Do të doja të flisja shumë, por nuk kam njohuri të plota për ta. Duke bojkotuar, plus problemet që kanë në tërësi klubet tona, them që si ka kapur si duhet syri. Gjithsesi, edhe në këtë aspekt, ky kampionat i ka vlerat. Në aspektin e lojës nuk është shumë i plotë, e megjithatë gjithçka mund të ndodhë. Ajo që më shqetëson është se me përjashtim të Vllaznisë, e cila ka ecur shumë mirë, ekipet e tjera kanë probleme. Ja, p.sh., Kukësi, një skuadër që ka lojtarë cilësorë, por ka pasur probleme në ecurinë e tij. Tirana ka pasur problemet e veta, gjithashtu, plus skuadrat e tjera, prandaj mbetet një kampionat për tu parë deri në fund.

- Kombëtarja mbylli vitin 2020 me angazhimet e saj në Ligën e Kombeve, me një objektiv të realizuar, pasi siguroi vendin e parë në grup dhe ngjitjen në një divizion më lart. Në pikëpamjen e objektivit është “ok”, por loja pati probleme. Si do ta përshkruanit ecurinë e përfaqësueses në Ligën e Kombeve?

- Këtu duhet të bëjmë një dallim, pasi duhet të veçojmë lojtarët që janë prodhim i kampionatit shqiptar dhe që luajnë në kampionatin shqiptar nga lojtarët që vijnë nga jashtë. Gjendja e këtyre të fundit është e ndryshme, pasi vijnë nga kampionate cilësore, lojtarë që luajnë në ekipe të organizuara e me rregulla të forta. Në aspektin e rezultateve është fakt që lojtarët dhe stafi e realizuan objektivin madhor, duke qenë vend i parë në grup dhe u ngjitën në Ligën B, pra Kombëtarja, për mendimin tim, e ka justifikuar veten. Por kjo s’do të thotë se nuk kemi mundësi për më mirë. Në ekip ka lojtarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia dhe rrjedhimisht ka kërkesa të ngritura, kërkesa për më shumë. Madje vetë ekipet e Kosovës dhe të Maqedonisë kanë shanse të arrijnë më shumë në objektivat e tyre. Pra, në këtë këndvështrim, unë shoh që edhe përfaqësuesja jonë mund të arrijë më tepër, sepse i ka mundësitë.

- Është hedhur shorti për eliminatoret e Botërorit dhe kuqezinjtë i kanë mësuar kundërshtarët. Kemi në grup Anglinë, rival shumë i vështirë, por edhe ekipe si Polonia e Hungaria që kanë bërë progres vitet e fundit. Më pas kemi në grup dhe skuadra si Andorra e San Marino, që gjithsesi nuk duhen nënvlerësuar. Si e shihni grupin dhe sa shanse kemi të kalojmë në një stad më lart?

- Gjithçka mund të ndodhë në futboll, asgjë nuk është e paarritshme. Pak ditë më parë u eliminua Bajerni nga një skuadër e ligës së katërt. Por në nivelin ku jemi, nuk mendoj se mund të matemi me përfaqësuesen angleze. Megjithatë, mund të përballemi me Poloninë dhe Hungarinë dhe nëse arrijmë të parakalojmë në renditje Hungarinë, besoj se kemi regjistruar sukses.

- Trajneri Edi Reja ka bërë shumë ndryshime gjatë muajve të fundit në përfaqësuese, ndonjëherë i diktuar nga nevoja për shkak se pandemia dhe dëmtimet e shumta e kufizuan atë. A ka ndonjë element nga të rinjtë që iu ka hyrë në sy, ndonjëri që ju ngjan juve në cilësi?

- Kombëtarja jonë ka lojtarë shumë të mirë, ka shumë me cilësi sikurse ne. Mos harrojmë se në rininë tonë ne kemi luajtur në kushte të vështira, nuk bënim kaq shumë ndeshje ndërkombëtare, madje luanim shumë rrallë. Sot është një situatë krejt tjetër, qoftë në cilësi, kushte infrastrukturore, organizim e sidomos në vlera monetare. Sot kemi lojtarë cilësorë që vijnë nga jashtë, nga kampionate dhe ekipe cilësore. Ekipi ynë ka cilësi dhe mund të përballet si i barabartë. Por ky rivalitet është brenda limiteve tona. Ajo që duhet të bëjë skuadra është të fokusohet tek ndeshjet dhe të bëjë më të mirën e saj, duke luajtur me dinjitet. Dhe nëse i bën mirë detyrat e saj natyrisht që ka edhe surpriza. A nuk e kemi ne një eksperiencë të bukur nga Euro-2016? Sigurisht që po, ishte një moment kënaqësie për të gjithë kombin dhe sporti i futbollit e siguron këtë. Prandaj them që skuadra, nëse punon dhe merr më të mirën e saj, e ka cilësinë për të bërë surpriza, për të bërë ndeshje më të mëdha e më rezultative.