Sport

Agim Canaj: Futbolli ynë pa strategji, punohet sot për sot, mungon vëmendja për akademitë

Agim Canaj: Futbolli ynë pa strategji, punohet sot për sot, mungon

Futbolli shqiptar po kalon vështirësitë e tij, që shfaqen në këtë periudhë me dy elementë kryesorë: mungesa e një strategjie zhvillimi afatgjatë e ku fokusi duhet të jenë të rinjtë, si dhe mungesa e buxhetit që i ka telendisur shumë klube në pikë të hallit, aq sa të mos regjistrohen dot në UEFA. E megjithatë luhet futboll, me të mirat dhe të këqijat e veta, dhe ky sezon është madje shumë i ndërlikuar, si pasojë e ngjeshjes së shumë skuadrave në klasifikim dhe gara për titull është e hapur për 8 ekipe. Sidoqoftë, në vijim besohet se do të ketë një diferencë mes tyre dhe këtë diferencë do ta bëjnë ato pak blerje që kanë bërë klubet në janar. Për këto zhvillime të kampionatit dhe të merkatos, gazeta “Sot” intervistoi teknikun e njohur të futbollit tonë, Agim Canajn, i cili me elokuencë dhe vështrim disi kritik, tregon mangësitë me të cilët përballet kampionati ynë, strategjitë e munguara të klubeve, problemet në zbatimin e Ligjit për Sportin, si dhe mungesën e vëmendjes ndaj akademive, dëshmuar me pakësimin e prodhimit të elementëve të rinj cilësorë. Sipas tij, merkato e këtij dimri ishte e vaktë, ndërsa sheh si surprizën e vërtetë të edicionit, të paktën deri tani, Bylisin. Nuk mungojnë mendimet e tij për krizën e Partizanit, Tiranën e Egbosë, apo dhe “mbrëmjen e yjeve”, si solidaritet për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

-Merkato e janarit u mbyll dhe klubet po bëjnë llogaritë e lëvizjeve. Në tërësi nuk pati afrime të bujshme, ishin kryesisht blerje të huaja dhe emra anonimë. Së dyti, Partizani, kampion në fuqi, po kalon një moment të vështirë. Sa besoni se merkato e këtij dimri do të ndikojë në objektivat sezonale të klubeve pretendente?

Para se të jap një përgjigje konkrete më duhet të bëj një hyrje përgjithësuese për situatën ku ndodhet sot futbolli shqiptar. Është një moment krize për shumë klube dhe ne duhet të pranojmë se shteti ynë nuk ka vënë dorë në sport për shumë e shumë vite. Disa gjëra janë bërë dhe tani së fundmi ka nisur të vihet dorë në aspektin ligjor, dëshmuar me Ligjin e Sportit, por deri në zbatimin e tij ka ende punë për t’u bërë. Sporti shqiptar në tërësi ka nevojë për infrastrukturë, mbështetje financiare e strategji zhvillimi afatgjata. Ne jemi ende larg këtyre zhvillimeve normale dhe kjo e bën gjendjen jo fort të mirë. Për të folur për merkaton e këtij dimri, në vijim të parashtrimit që bëra, dallohet qartë se klubet janë në vështirësi. Mungojnë strategjitë afatgjata të zhvillimit të tyre, punohet sot për sot, me idenë “del apo nuk del gjë”. Dhe, duke mos pasur strategji të tillë, objektivat e tyre nuk funksionojnë. Nuk ka qenë kështu me disa ekipe para disa vitesh, të tilla si Tirana dhe Dinamo, që kishin një “status-quo”, klube me objektiva, shisnin lojtarë, gëzonin situatë të shëndoshë, një ekuilibër më të mirë financiar etj. Kurse tani asgjë. Mund të veçoj Kukësin, që duket disi më mirë dhe që ndodhet në vend të parë, por e përgjithshmja është se ka probleme të mprehta me klubet e futbollit në Shqipëri. Një element tjetër si dëshmi e kësaj krize të klubeve lidhet me të rinjtë, ku klubet prodhojnë shumë pak elementë cilësorë. Edhe kur ka të rinj, ata ingranohen shumë pak në ekipet e para, e kjo e vret të ardhmen.

-Meqë po flisnim edhe për rëndësinë e merkatos, sipas jush, cila skuadër ka bërë lëvizje më të mira në këtë fazë?

Laçi është një skuadër që po punon shumë mirë me elementin e ri. Ka bërë lëvizje interesante në treg, ka marrë dy-tre lojtarë të mirë, pra një klub që përpiqet dhe besoj ka bërë ndërhyrje pozitive. Kurse Ballshi (Bylis) është për mendimin tim surpriza e vërtetë e këtij edicioni. Duket e habitshme por Bylisi është një skuadër pretendente në kampionat, ka objektiva të qarta dhe po luan për një vend në Europa League. Një surprizë e bukur e kampionatit të sivjetmë.

-Nuk i shmangemi dot Partizanit, gjithë ai ekip, por dukshëm në krizë. Cili është mendimi juaj për këtë rënie, çfarë po ndodh me Partizanin?

Rënia e Partizanit është evidente, dominancë e një krize. Skuadra nuk po gjen qetësi as me lëvizjet e trajnerëve dhe kjo e bën situatën serioze. Pas mbylljes së sezonit të kaluar me Gegën, ku Partizani fitoi titullin, u ndryshua stafi. Trajneri i ri solli mentalitet tjetër, ndryshoi strukturën e grupit dhe të lojës, pra u bënë shumë ndryshime, por kjo nuk funksionoi dhe deri tani dështim. Mos harrojmë që largimi i Asanit sjell rënien e cilësisë, por edhe problemi i Malës nuk përtypet lehtë. Të tjerët që kanë ardhur po luajnë nën nivelin e disa lojtarëve që ishin. Me pak fjalë Partizani ka krizë dhe këtë e dëshmojnë më mirë rezultatet, pasi në 7 ndeshjet e fundit ka 6 humbje. Tani vjen një moment kritik, ku nëse nuk reflekton në dy ndeshjet e radhës, pra nëse në dy sfidat e ardhshme nuk bëhet kthesë, atëherë Partizani zhytet keq dhe e ka të vështirë të realizojë objektivat sezonale. Çfarë i mungon Partizanit? Unë mendoj se skuadra e kuqe nuk ka ekuilibër të brendshëm dhe ky ekuilibër duhet parë në marrëdhëniet e ekipit me stafin teknik dhe me stafin drejtues. Nëse hallkat e këtij raporti nuk funksionojnë, atëherë skuadra çalon dhe duket se Partizani ka pikërisht këtë problem.

-E ndërsa Partizani ka krizë, “armikja” e tij, Tirana, është kapur nga euforia dhe nën drejtimin e Egbosë po bën çudira. Ç’ne ky ndryshim i papritur për një skuadër që oshilacionet në lojë e rezultate i kishte “simptoma” prej shumë vitesh?

Tirana është vazhdimisht skuadër me pretendime, por deri më sot ajo ka pasur probleme. I mungonte qetësia në drejtim dhe kjo varej nga raporti në zinxhirin funksional staf drejtues-trajner-ekip. Duket se ky raport në këtë moment është funksional dhe me prirje pozitive. Sa i takon Egbosë, ai ka më shumë se një dekadë që është tek Tirana. Njeri i qetë, me karakter të thjeshtë dhe i pa infektuar nga “uni”. Mendoj se ai ka preferuar të punojë me “formulë kolegjiale”, të bazuar në raporte të mira brenda klubit dhe grupit. Ngasja deri tani dhe puna e bërë ka qenë pozitive. Por kampionati është ende i gjatë dhe duhet parë kjo Tiranë në ato momentet kur do të ketë lëkundje. Sepse vetëm ato e vënë në provë reale dhe atëherë do të shohim se si do të reagojë skuadra.

-Si e shihni fundin e këtij edicioni?

Objektivat e skuadrave dhe pritshmëritë e tyre në këtë edicion duhet t’i analizojmë në bazë të lëvizjeve të bëra në merkaton e janarit. Unë konstatova se kjo merkato ishte e vaktë dhe kjo është lehtësisht e dallueshme. Janari nuk është i mjaftueshëm për të bërë lëvizjet e duhura. Pastaj, klubet kanë financa të dobëta dhe një pjesë e skuadrave mjaftohen me grupin aktual të lojtarëve. Kjo dëshmohet më mirë dhe me gjendjen në renditje, ku shumë skuadra janë pranë njëra-tjetrës. Nuk ka shkëputje, por ka një rivalitet mes ekipesh dhe unë mendoj se kjo e bën garën më atraktive. Nga ecuria e deritanishme, e sigurt është se do të ketë rivalitet deri në fund, kjo pasi thuajse të gjitha skuadrat janë aty-aty.

-Në sportin e një vendi me rëndësi është infrastruktura e tij. Është fakt që qeveria në këto vitet e fundit ka bërë punë të mëdha me impiantet e futbollit, si në Elbasan, Shkodër, etj, por edhe në Tiranë me “Air Albania Stadium” apo dhe “Parkun Olimpik”. Kuptohet, vendi ka nevojë për shumë më tepër. Sa i varur nga infrastruktura është sot sporti ynë e në veçanti futbolli?

Ju e shtruat pyetjen tuaj duke u nisur nga konstatimi dhe fakti është se janë bërë 5-6 stadiume të cilësisë së lartë. Kjo është gjë shumë e mirë. Por ne harrojmë rëndësinë që kanë akademitë e klubeve. Asnjë lloj investimi nuk është më frytdhënës sesa ai për të rinjtë. Për krahasim po marr tregun. Ti mund të ndërtosh një treg të ri, shumë cilësor, por nuk bëhet tregti e mirë nëse në treg mungojnë produktet. Që të gëzosh konsumatorët duhet të kesh treg të ri dhe sa më shumë produkte cilësore. Ndërkohë, sot ka një problem shumë serioz, që është ai i mangësive të jashtëzakonshme në licencimin e skuadrave. Pse ndodh kjo? Sepse klubet kanë borxhe të mëdha, kanë nga 3-4 muaj pa dhënë pagat dhe në Shqipëri ky është problem i madh. Prandaj nuk dihet a do të licencohen këto klube. I shtroj këto probleme sepse i njoh dhe i kam vuajtur vetë në kurriz. Futbolli ynë ka nevojë për afrime financash dhe të rikthehen spektatorët në impiante, që të mbushen stadiumet. Deri tani këtë e mundëson vetëm derbi në kryeqytet. Pse janë të rëndësishëm spektatorët? Sepse e bëjnë garën më të fortë, emocionuese dhe sjellin të ardhura për klubet. Që të ndodhë kjo duhet krijuar klima e besimit mbi garën dhe të organizohen klubet mbi kritere profesionale. Por klubet tona kanë shumë probleme në këtë drejtim. Ju e shihni Flamurtarin se çfarë katastrofe është, por edhe klube të tjera kanë probleme në këtë drejtim. Prandaj kemi insistuar që Ligji për Sportin t’i japë hapësirën e duhur zhvillimore futbollit shqiptar e të mos humbet kohë më tej me problemet dhe çudirat e tanishme.

-Së fundmi, duke rikthyer në vëmendje një ndeshje disi të veçantë që u zhvillua më 10 janar mes përfaqësueseve të veteranëve të vendeve të rajonit, një takim miqësor si solidaritet për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, mund të pranojmë që krahas anëve pozitive, pati dhe debate, që kishin të bënin me listën e të ftuarve. Kushta, Vata e ndonjë tjetër u shprehën kritikë, donin një përfaqësim më të gjerë. Si e mendoni ju këtë rast?

Debate të kësaj natyre, sidomos kur kalon masën, lënë shije jo të mirë. Megjithatë, kjo është një histori shumë e gjatë dhe do shumë kohë për të folur. Ai ishte një event madhështor, organizuar nga një sindikatë. Në fakt, në Shqipëri s’kanë funksionuar asnjëherë organizma të tillë, prandaj, doemos që dikujt do t’i mbetej qejfi. Për të ndërtuar diçka të tillë, pra për një event të këtyre përmasave, duhej që federata të ndërhynte me gjëra më specifike, pra me diçka të menduar më mirë. A duhej të kishte më shumë figura? Sigurisht që po, pasi ky event luhej për diçka madhore, një ngjarje mbi ndeshjen, në kuadër dhe si solidaritet për të prekurit nga tërmeti. Në një moshë të caktuar nuk mund të luhet në fushë, por simbolikisht figurat mund të ishin, patjetër. Unë besoj se duhej marrë mendimi i trajnerëve të ekipeve kombëtare, të kishte një analizë të kujdesshme të historikut të përfaqësueses etj. Sepse këto janë çështje delikate që lidhen me ndjenjat dhe kontributin e shumë figurave dhe brezave. Nga ana tjetër, nuk i vë faj Andi Lilës, ai është djalë i mirë dhe është ende në moshë për të luajtur. Por siç thashë mund të kishim një organizim më të mirë.