BREAKING NEWS

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja
x
BREAKING NEWS

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti
x
BREAKING NEWS

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të
x
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela: Serbët u infiltruan në Shqipëri në vitet ’92-’97 me ndihmën e qeverisë “Berisha” dhe u investuan për të shkatërruar ekonominë e vendit, ja dosja e ‘nxehtë’ që është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe si SPAK mund të çojë pas hekurave 2 ...

Spartak Ngjela: Serbët u infiltruan në Shqipëri në vitet
x
BREAKING NEWS

16 vite nga masakra e “Gërdecit”, ja të fshehtat tronditëse të aferës së fabrikës së vdekjes, në “lojë” ishin 10 miliardë dollarë, nga zhdukja e dëshmitarëve, te kërcënimet e Shkëlzenit për Luan Hoxhën për t’i mbyllur gojën dhe alibitë e Berishës për t...

16 vite nga masakra e “Gërdecit”, ja të fshehtat
x
BREAKING NEWS

Nga zbërthimi i bisedave sekrete, te skema që ndoqi kreu i ARRSH për të përfituar miliona euro nga kompania e tij që e deklaroi të shitur, zbardhen të tjera detaje nga arrestimi i Evis Berberit dhe dy biznesmenëve, ja çfarë u zbulua nga celularët e sek...

Nga zbërthimi i bisedave sekrete, te skema që ndoqi kreu i ARRSH
x
BREAKING NEWS

Pas Ogerta Manastirliut, edhe Belinda Balluku drejt dorëheqjes dhe prangave, ja të gjitha skandalet ku është përfshirë zv/kryeministrja

Pas Ogerta Manastirliut, edhe Belinda Balluku drejt dorëheqjes dhe
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri plas “bombën”, Flamur Noka dhe Luçiano Boçi shkuan në Janinë me një thes me para, ja personazhi misterioz që takuan për të goditur kundërshtarët e Sali Berishës në Tiranë, zbardhen pazaret

Idajet Beqiri plas “bombën”, Flamur Noka dhe Luçiano
x

Sport

Agim Canaj: Panuçi nisi një revolucion të ngadaltë në Kombëtare, tani është “epoka” e tij

Agim Canaj: Panuçi nisi një revolucion të ngadaltë në

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, zbuloi dy ditë më parë listën e lojtarëve të ekipit përfaqësues që do të grumbullohen në kuadër të ndeshjes miqësore të 26 marsit ndaj Norvegjisë. Në listën e publikuar dhe në faqen zyrtare të FSHF-së, bie në sy fakti se nuk janë ftuar disa lojtarë që janë pjesa bërthamë e skuadrës kuqezi, ndërsa janë ftuar për herë të parë disa lojtarë të rinj, madje për herë të parë u ftuan dy lojtarë të kampionatit shqiptar si Enis Gavazaj i Skënderbeut dhe Kristal Abazaj i Luftëtarit. Pra Panuçi kthen sytë edhe nga kampionati shqiptar dhe po u jep një shans lojtarëve të rinj të tregojnë vlerat e tyre në një ndeshje ndërkombëtare. Në një vend ku të gjithë bëjnë trajnerin, opinionistin e specialistin dhe ku specialistët e mirëfilltë lihen në hije, gazeta “SOT” intervistoi njërin prej teknikëve të njohur të kampionatit shqiptar, Agim Canaj, ndoshta njohësi më i mirë i futbollit vendas për shkak të eksperiencës së gjatë të tij në drejtimin e shumë skuadrave. Në listën e Panuçit tekniku Canaj sheh një revolucion të ngadaltë, që synon krijimin e një grupi që trajnerit italian i duhet për ndeshjet e ardhshme zyrtare. Madje Canaj thotë se tani fillon tamam “epoka Panuçi”, pasi deri tani ai punoi me grupin e De Biazit. Në këtë intervistë nuk mungon as analiza e kujdesshme për ekuilibrat e rinj të krijuar në Superiore, “arratinë” e Skënderbeut në kryesim, dhe dueli i zjarrtë i mbijetesës midis Vllaznisë e Teutës, apo dhe mundësitë e përmirësimit të arbitrimit.

Panuçi erdhi këtë herë me surpriza të shumta në listën e tij të lojtarëve. Ka prurje të reja, madje edhe të ftuar nga kampionati shqiptar. Cili është mendimi juaj për listën e lojtarëve të ftuar?

Ka rëndësi të thuhet se Panuçi e mori Kombëtaren gjysmë të gatshme, pra të ndërtuar. Gjeti një ekip të cilin De Biazi e kishte krijuar dhe konsoliduar në rrugëtimin e tij, por tani Panuçi po kërkon të bëjë diçka ndryshe dhe këto lëvizje të fundit mund të shihen si hapi i parë i ndryshimit. Si duhet ta kuptojmë këtë? Miqësoret, siç është dueli me Norvegjinë, shërbejnë për ndeshjet zyrtare dhe sfidat zyrtare vijnë shpejt. Në këto lëvizje unë shoh një tentativë për të krijuar një grup të profilit të tij si trajner, pra tani e tutje do të ndihet “era Panuçi”. Personalisht nuk jam i surprizuar, sepse këta elementë që ai ka ftuar, qoftë dhe nga kampionati shqiptar, janë elementë të spikatur dhe është me rëndësi që ai t’i provojë, t’u japë një shans e pse jo t’i ftojë dhe në ndeshjet zyrtare nëse ata bindin në fushë. Trajneri po synon të krijojë konceptin e tij të lojës. Një grup i caktuar lojtarësh është i disponueshëm për ndeshje të caktuara dhe kjo është normale. Ka zgjedhje që krijojnë frymë grupi. Nga ana tjetër, ne duhet të kuptojmë se çfarë ka synuar Panuçi gjatë këtyre muajve dhe si shembull mund të marrim ndeshjen miqësore me Turqinë. Ai synon një lojë më agresive dhe grumbullon lojtarë që kanë intuitë në sulm. Mos harrojmë: ne kemi vuajtur shumë edhe më parë për lojtarin sulmues, apo daljen te goli. Këtë problem e kemi pasur në vazhdimësi, por tani gjërat janë pozitive dhe kanë ndryshuar për mirë. Trajnerit i del për detyrë ta pasurojë kontigjentin me prurje të reja dhe me lojtarë që i shërbejnë objektivit të tij. Fundja, edhe vetë Panuçi ka deklaruar se dëshiron të përballet dhëmb për dhëmb edhe me rivalë shumë të mëdhenj.

A duhet të pranojmë në këtë moment se ftesa për lojtarë të kampionatit do të thotë se po kthehet vëmendja nga kampionati shqiptar? Apo, këto janë thjesht zgjedhje të momentit bazuar në cilësitë individuale të lojtarëve?

Qëndrojnë të dyja, por më shumë duhet të besojmë intuitën e trajnerit për t’u dhënë shans lojtarëve që pretendojnë të luajnë në ekipin kombëtar. Ne nuk mund të flasim vetëm për Sabjen Lilajn, që është lojtar i sprovuar, me eksperiencë tashmë dhe një futbollist që e ka treguar veten në skuadrat ku ka luajtur përfshi dhe në ndeshjen miqësore me Turqinë fundvitin e kaluar. Ndërsa Abazajn unë do ta quaja “këmbanë alarmi”, këtë herë në sensin pozitiv, pasi tregon se një lojtar kualitativ mund të marrë ftesë në Kombëtare, por për të rritur cilësitë e tij, ai duhet të bëjë një zgjedhje të mirë për vazhdimësinë. Te Korça do të ketë mundësinë të luajë në nivel më të lartë, por nëse Skënderbeu penalizohet, atëherë Abazaj duhet të shkojë jashtë, në një kampionat të huaj, pasi kampionatet jashtë, duhet ta pranojmë, janë më cilësorë se kampionati ynë. Që të rrisin performancën këta futbollistë e kanë të domosdoshme eksperiencën jashtë vendit dhe kështu ka ndodhur më parë me të gjithë lojtarët që janë pjesë e përfaqësueses si Cikalleshi, Balaj etj. Ne e dimë cakun e kampionatit shqiptar, prandaj eksperienca jashtë është vendimtare për të qenë në Kombëtare.

Ka dhe lojtarë të rinj të ftuar nga kampionatet e tjera, një ndër ta Bujar Lika, vjen për herë të parë. Si duket pista zvicerane dhe jo vetëm po ndiqet nga Panuçi njësoj sikurse dhe De Biazi. A besoni se ne ende varemi nga lojtarët e rinj shqiptarë që luajnë jashtë?

Kombëtarja është niveli më i lartë dhe lojtarët duhet të jenë më të mirët. Ekipi po bën një transformim cilësor. Ne nuk kemi njohjet e duhura për shumë elementë të rinj, por jam i sigurt se këta futbollistë meritojnë vëmendje. Kombëtarja është një zëvendësim brezash, ajo ka nevojë vazhdimisht për lojtarë të rinj dhe freskim të grupit. Kombëtarja është skuadër që kërkon shumë kualitet, por edhe një gërshetim të lojtarëve me eksperiencë, atyre mesatarë dhe të rinjve. Rëndësi ka që të gjenden lojtarët e duhur për të realizuar objektivat.

A mund të quhen këto lëvizje të Panuçit një revolucion në Kombëtare?

Është fillimi i një transformimi, më parë ai nuk kishte kohë ta bënte këtë. Kur erdhi gjeti një grup të ndërtuar nga De Biazi dhe zhvilloi ndeshjet e mbetura eliminatore të Botërorit me grupin që ishte. Tani ai po bën lëvizjet e tij, pra është koha e tij dhe kjo duhet parë si një transformim i ngadaltë i grupit, le të themi një revolucion i ngadaltë. Thuhet që u la Memushaj jashtë, por shumë prej këtyre elementëve ai do t’i ftojë në ndeshjet zyrtare të vjeshtës. Në këtë moment ai ka vëmendjen tek të rinjtë, për të parë aftësitë e tyre dhe të zgjedhë grupin e tij për ndeshjet zyrtare.

Kampionati këtë edicion është bërë interesant jo për titullin, pasi nuk ka rivalitet për kreun, por për vendin e dytë që të çon në Europa League. Janë 6 ekipe për këtë pozicion. Si njohës i kampionatit, si e shihni fundin e garës?

Rivaliteti është i madh pikërisht mes këtyre skuadrave, pasi Skënderbeu është aq i shkëputur në kryesim sa nuk ka rivalitetin e të tjerave. Në këtë këndvështrim, Skënderbeu nuk ka pasur luhatje në ecurinë e tij, por në të njëjtën kohë nuk ka pasur as konkurrencë. Ai diti të ruajë balancën e duhur në garë dhe e ka bërë si duhet punën e tij. Klasifikimi e tregon më qartë këtë, sepse ndodhet shumë pikë para. Për kushtet e kampionatit tonë dhe gjendjen e skuadrave, kjo diferencë është shumë e madhe, prandaj i mëshoj idesë se rivalët e Skënderbeut janë më të dobët, nuk kanë pasur qëndrueshmëri në ecurinë e tyre. Këtë dobësi mund ta shpjegojmë me lëvizjet që ata kanë bërë, sidomos Kukësi e Partizani që shiheshin në fillim si konkurrentë të fortë. Pati afrime e largime të shumta dhe kur bën lëvizje të tilla vuan dhe pasojat. Kjo ka sjellë, për mendimin tim, edhe këto diferenca jo normale mes kryesuesit të garës, Skënderbeut, dhe rivalëve të tij. Dua të veçoj këtu, madje të përgëzoj, Laçin, i cili ka bërë një skuadër shumë të mirë dhe që ka nxjerrë në pah një grup të suksesshëm. Laçi, në fakt, ka shfrytëzuar maksimalisht grupin. Në 3-4 kampionatet e fundit Kukësi e Partizani kanë qenë pretendentë, ruajnë një farë stature, por këtë edicion bënë lëvizje jo të goditura. Sidomos te Kukësi, i cili bëri shumë largime dhe ka ardhur në situatën kur nuk ka më pretendime për titullin. Edhe pse matematika i mban në garë për titullin, vetë ata e dinë që ky kampionat është mbyllur, prandaj objektiv është vendi i dytë.

Vllaznia e Teuta janë në garë mbijetese. Njëra prej tyre do të shoqërojë Lushnjën. Kë shihni më të përgatitur për të qëndruar në Superiore?

Është ende herët, është shpejt për ta thënë dhe eksperienca nuk ma lejon të them njërën ose tjetrën. Vllaznia ka grup më të mirë për momentin, edhe psikologjikisht qëndron më lart dhe në ndeshjet e fundit është konstatuar ky fakt. Por të dyja skuadrat duhet të bëjnë maksimumin për të përmbushur objektivin e tyre. Ka shumë pak kohë dhe pikët janë të limituara. Sa më shumë ikin ndeshjet, aq më e vështirë bëhet. Teuta do ta ketë të vështirë ta konkurrojë Vllazninë, por në futboll ndodhin edhe të papriturat. Unë shpresoj që të qëndrojë në kategori ekipi më i mirë, ai që gabon më pak. Në fakt, të vjen keq kur sheh këto dy skuadra me emër të madh në kampionat që të ndodhen në këto pozita, por futbolli i tillë është. Ka një problem, me Lushnjën, e cila ka dalë dhe nuk ka motivim. Problemi është se të gjitha skuadrat që shkojnë të luajnë me Lushnjën e shohin si mundësi për të marrë pikë. Shpresojmë që gara deri në fund të ruajë seriozitetin që të mos ketë devijime anësore e të papëlqyeshme.

Kampionati ynë ka treguar në këtë fazë që aleancat e dëmtojnë imazhin e garës. A do ta vuajmë sërish këtë fenomen?

Rivaliteti midis vendit të dytë dhe të shtatë është aq i fortë sa e heq mundësinë e krijimit të aleancave në garë, pavarësisht se ky fenomen në kampionatin tonë (dhe jo vetëm) ka ekzistuar. Shqetësimi lind nëse krijohen diferenca me pikë ndërmjet këtyre skuadrave që rivalizojnë për vend të dytë. Duhet pasur kujdes që të kemi një garë të ndershme dhe që të mos ketë debate për ekipin që bie nga kategoria apo për atë që siguron pjesëmarrjen në Europa League.

Së fundi, deshëm mendimin tuaj për atë që po ndodh me arbitrimin në futbollin tonë. Thuajse të gjithë trajnerët e klubet kanë ankesa. Nuk e di nëse kjo vjen nga paaftësia, apo ndoshta një orkestrim në nivel komandues. Cili është opinioni juaj për këtë fenomen?

Në gjykimin e ndeshjeve ka shumë të rinj dhe është fakt që po bëhet një transformim, ose një zëvendësim i “bilbilave të vjetër” me të rinj. Personalisht nuk e fsheh që kam parë dhe paaftësi, por edhe gjëra që nuk janë normale e bëhen në dritë të diellit, siç ishte një penallti e dhënë në Laç, ku gjyqtari ishte fare pranë aksionit e jep një penallti që nuk ekzistonte. Por ky debati për vendimet e arbitrave nuk është i ndezur vetëm tek ne. Në ndeshjen mes Çelsit e Barcelonës nuk u dha një penallti fare e hapur, por nuk mund të themi se gjyqtari ishte i “orkestruar”. Pra, polemika do të ketë dhe si shembull tjetër mund të jap atë midis Paokut e Aekut, ku pati dhe trazira për një vendim të arbitrit. Unë kam qenë vetë në stol dhe e di mirë emocionin e çdo vendimi që mund të marrë arbitri. Çfarë duhet të bëjmë? Të mendojmë për rrugët që mundësojnë një arbitrim sa më profesionist dhe larg komenteve negative apo ndërhyrjeve të llojeve të ndryshme. Ne duhet të punojmë si ta përmirësojmë e jo si ta dëmtojmë arbitrimin, se gjyqtari është element thelbësor në lojën e bukur të futbollit.

Intervistoi: Adriatik BALLA