BREAKING NEWS

Shpërthen një tjetër vatër, shënohet rasti i parë me koronavirus në qytetin që deri tani ishte imun, infektohet një shitës në treg

Shpërthen një tjetër vatër, shënohet rasti i parë
x

Sport

Agim Canaj: Të hapen dyert e futbollit, të ndryshojë rregulli për zëvendësimet dhe lojtarët e huaj

Agim Canaj: Të hapen dyert e futbollit, të ndryshojë rregulli

Futbolli po kalon momente të vështira si pasojë e pandemisë së koronavirusit, pandemi që mbi të gjitha bllokoi aktivitete sportive, e sidomos sportet kolektive si futbolli. Në shumë vende europiane po diskutohet nëse garat e sezonit të mbyllen në tavolinë apo të rikthehen ekipet në fushë për të dhënë verdiktet sezonale. Debati pro dhe kundër është i fortë. Ky debat po merr kohë edhe në Shqipëri, nisur nga pikëpamjet e ndryshme që janë dhënë. FSHF kërkon që të jepet leje për rikthimin e skuadrave në stërvitje, kurse qeveria nguron të lejojë grumbullimin e lojtarëve, prandaj ka caktuar 18 majin si datë për nisjen e stërvitjes individuale por jo atë kolektive. Në këto rrethana, gjasat për një rikthim të shpejtë të kampionatit janë të pakta. Ndërkohë, specialistët e futbollit mendojnë se duhet bërë një hap përpara, duhen hapur dyert e stadiumeve për ekipet. Ka mendime të ndryshme, sigurisht, por në tërësi bashkohen në një pikë që futbolli duhet të nisë stërvitjen. Kështu mendon dhe tekniku i njohur i futbollit tonë, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, Agim Canaj, i cili, në këtë intervistë për “gazetën “SOT”, thekson domosdoshmërinë e disa ndryshimeve të karakterit organizativ, si përfshirja pa kufi e lojtarëve të huaj në skuadrën që zbret në fushë por edhe rritjen e zëvendësimeve gjatë lojës, të paktën në 5 të tilla, dy tregues që mund të ndikojnë pozitivisht në përballimin e një gare të ngjeshur. Sidoqoftë, Canaj thotë që është e mira të ketë bashkërendim, pasi mendimet dhe rregullat e shëndetësisë vlejnë në këtë situatë.

- Ju keni karrierë të gjatë në futboll, si sportist e trajner. Gjatë karrierës dhe jetës tuaj, a keni hasur ndonjëherë një situatë të tillë, me ndërprerje totale të stërvitjes dhe aktiviteteve për më shumë se dy muaj? Sipas jush, a duhet të ndërpritet kampionati për këtë sezon apo duhet që verdiktet të jepen në fushën e lojës? Dhe, pasojë e dy të parave, a mund të ndikojë kjo situatë dhe stërvitja me nxitim që vjen më pas në dëmtimin e lojtarëve gjatë garës (mos harrojmë do të ketë ngjeshje)?

Përveç 97-s, e cila kishte specifikën e saj, unë vetëm kam qenë trajner, s’mbaj mend të ketë ndodhur një situatë e tillë e pazakontë dhe kjo kohë është vërtet e pazakontë në çdo drejtim. Natyrisht ka pasur ndërprerje të shkurtra edhe më parë, për shkaqe specifike, por stërvitjet janë zhvilluar dhe sezoni nuk është ndërprerë. Edhe atëherë (97-ën) janë bërë disa lëvizje, si ndeshje në fushë asnjanëse etj, por gara ka vazhduar. Sot kemi të bëjmë me një pandemi botërore, krejtësisht të pazakontë. Ndërkohë, futbolli ynë ka kushte të limituara, nuk është si futbolli në vendet e zhvilluara që kanë infrastrukturë, stafe të specializuara, mundësi alternative etj. Lojtarët tanë jetojnë në shtëpi të vogla, një pjesë e madhe me qera, me hallet e tyre. Që të kthehet futbolli duhet një stërvitje e avancuar. Duhen minimalisht 3 javë për të pasur një përgatitje normale për garën. Nga ana tjetër, unë gjykoj se duhen masa organizative dhe në këto masa të përfshihen edhe ndryshimet në rregullore, që parashikohen me zëvendësimet dhe lojtarët e huaj. E them këtë nga situata e krijuar, e pazakontë, që kërkon marrje edhe masash të pazakonta. Për shembull, duhet që zëvendësimet gjatë lojës të rriten nga 3 në 5 të tilla dhe një propozim i tillë po shqyrtohet edhe në futbollin europian, mund të jetë një zgjidhje e mirë, me impakt shumë pozitiv për situatën. Një tjetër ndikim pozitiv mund të jetë ndryshimi në rregullin për aktivizimin e lojtarëve të huaj. Me rregullore lejohen deri në 4 të luajnë njëherësh në fushë për një ekip. Unë gjykoj se kjo situatë nxjerr si domosdoshmëri që të mos ketë kufizime të tilla, për t’u dhënë skuadrave mundësinë të aktivizojnë potencialin e tyre pa qenë nevoja të sforcojnë lojtarët. Për mendimin tim janë dy elementë që evitojnë traumat e mundshme në ndeshjet zyrtare. Ndryshimi i formulës në lidhje me këto dy elementë besoj u vlen dhe i ndihmon klubet të përballojnë, në aspektin fizik, garën e mbetur.

- Është problemi i stërvitjes, nuk lejohen grumbullimet, futbollin kjo e dëmton…

Ky është një tjetër problem organizativ, pasi nuk ka pasur mundësi stërvitjeje të rregullt. Një pjesë e ekipeve janë stërvitur në Pezë-Helmës, por pa ndonjë dinamikë konkrete. Problem i futbollit tonë është se ka pak alternativa në këtë aspekt. Duhen gjetur kushtet për ta përballuar situatën. Federata ka gjetur një formulë, por askush nuk e di si do të zbatohet nëse nuk ka bashkërendim me autoritetet. E them këtë pasi edhe rregullat e vendosura nga autoritetet shëndetësore duhen respektuar. Janë elementë që nuk duhen anashkaluar. Gjithë problemi është tek stërvitshmëria e ekipeve, sepse aty është dhe rreziku. Sidoqoftë, ne kemi 4-5 stadiume cilësore që i përballojnë kushtet edhe për këto situata. Për të tjerat duhet menduar dhe vepruar me racionalitet dhe brenda kornizës së rregullave shëndetësore (higjienike).

- Ka mendime të ndryshme për kampionatin. Një pjesë besojnë dhe propozojnë të ndërpritet përfundimisht gara dhe verdiktet të jepen në tavolinë mbi bazën e renditjes ekzistuese. Kurse një pjesë tjetër mendojnë se gara duhet rikthyer dhe verdiktet duhen dhënë në fushën e gjelbërt. Si do ta argumentonit qëndrimin tuaj?

Verdikti më i mirë del nga fusha e lojës. Ky është një mendim që nuk mbart dilema. Vendet e tjera kanë problematikën e tyre, secili vend i merr vendimet bazuar mbi gjendjen që ka. Unë gjykoj se kemi mundësi ta mbyllim garën në fushë. E them këtë nisur dhe nga një aspekt tjetër domethënës. Pse? Sepse ende dhe sot diskutohet titulli i Tiranës me Tomorin, e që të mos e kemi këtë problem, që historia të mos merret me fenomene të tilla, për të mirën e të gjithëve, që të mos ketë diskutime më vonë, duhet që verdikti të jepet në fushë. Unë mendoj se do të kemi një përgjigje pozitive nga institucionet. Gjërat duken të komplikuara për momentin, nuk është vendim i lehtë dhe unë i kuptoj edhe ata të shëndetësisë, por ekzistojnë mundësitë për një formulë që i kënaq të gjithë. Dhe kjo formulë bëhet e pranueshme kur verdiktet e garës dalin nga fusha e lojës.

- Ka pasur disa mendime ditët e fundit nga specialistë të vjetër të futbollit, që thonë se në kushtet kur kalendari do të ngjishet, mund të luhen ndeshje futbolli me 25-30 minuta një pjesë. Pra një ndeshje të zgjasë 50 ose 60 minuta, për të mos u krijuar ngarkesë ekipeve e për të mos pasur të lënduar. Cili është mendimi juaj?

Nëse do të ndodhte kjo i bie që të bëhej një aktivitet sa për të kaluar radhën, sa për të thënë që e bëmë garën. Nuk mendoj se është e drejtë. Nëse luhen vetëm kaq minuta atëherë nuk është më futboll. Ky sport kërkon 90 minuta në fushë, vetëm atëherë është futboll. Nuk mendoj se paraqet rrezikshmëri nëse zbatohen ato kritere që folëm më lart, pra nëse bëhen ato ndryshime të cilat i përmendëm më lart. Ndoshta mund të shtyhet fasho e veprimit, pra të zgjasë gara deri në fund të korrikut e fillim të gushtit, por gara duhet bërë brenda kornizës së normalitetit. Ekzistojnë mundësitë për zhvillimin e një gare normale. Pavarësisht se ka qenë periudhë izolimi, lojtarët nuk vijnë nga zero, një farë përgatitje individuale e kanë bërë, duke marrë udhëzime nga stafet e klubeve. Mbetet të bëhet një stërvitje në grup për një periudhë 2.5-3 javë, ose minimalisht 15-18 ditë. Nëse respektohen rregullat, nëse krijohen kushtet dhe nëse e lejojnë rregullat e shëndetësisë, atëherë gara mund të luhet e përmbyllet normalisht brenda afateve të përcaktuara edhe nga UEFA.

- Desha një mendim edhe për klubet, veçmas Tiranën. Kjo skuadër është në krye, ka një diferencë jo të vogël me ndjekësit. Por situata mund të sjellë komplikime për renditjen në ditët kur të rikthehet futbolli, apo kjo nuk ka kuptim?

Nuk mendoj se janë krijuar diferenca të tilla që mund të komplikojnë garën në aspektin e objektivave. Skuadrat do ta nisin në pozita të barabarta sepse do ta nisin njëherësh stërvitjen. Më pas varet se si do të operojnë për t’i realizuar këto objektiva. Gjatë kësaj periudhe unë kam takuar shumë lojtarë, që kanë dalë për vrap, me biçikletë etj, kam folur me ta dhe kam konstatuar se kjo situatë është e njëjtë për të gjithë. Jam i sigurt se rinisja e garës i gjen në të njëjtin start e në të njëjtat kushte. Nuk besoj se ka diferenca që mund të kenë impakt, flas në planin e stërvitshmërisë. Jam i sigurt që edhe vetë skuadrat mezi presin të kthehen të bëjnë pjesën e mbetur të garës. Për këtë dua që verdikti të jepet në fushë.

- Duket që keni dhe një apel për të dhënë…

Po, dëshiroj dhe mendoj se është e rëndësishme që të hapen dyert e futbollit. Sidomos në Shqipëri është i fortë ky interes që të rikthehet futbolli, për të lënë pas këtë situatë të pazakontë. Mendoj se edhe në aspektin psikologjik do të ndikojë pozitivisht. Do të ketë një rilindje për futbollin dhe kjo është gjë e mirë. Natyrisht, duhet kujdes dhe unë besoj se kujdes ka, e kjo është padyshim gjë e mirë. Futbolli, si shumë fusha të tjera, do ta fitojë këtë betejë.