BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Sport

Ahmataj: Tërmeti la pasoja tek lojtarët, pushimi i bëri mirë Tiranës

Ahmataj: Tërmeti la pasoja tek lojtarët, pushimi i bëri mirë

Lojtarët e Tiranës, sikurse të gjithë futbollistët që janë ndodhur në zonën e influencës së tërmetit të 26 nëntorit, kryesisht në Durrës, Tiranë, Krujë e Lezhë, kanë përjetuar panik të madh dhe akoma nuk e kanë marrë veten. Këtë e pranon dhe trajneri i Tiranës Julian Ahmataj, i cili beson se lojtarët e tij ende nuk e kanë kaluar këtë shok, megjithëse ditët e pushimit pas tërmetit kanë dhënë efekt pozitiv, sepse grupi ka nisur ta marrë veten, të paktën në planin psikologjik por edhe atë fizik. Duke folur për “Supersport”, ai komentoi stërvitjet e para pas tërmetit por njëkohësisht edhe te ndeshja e radhës. “E rëndësishme për skuadrën është si do përqendrohen pasi mendja nuk është këtu. Po bëjmë stërvitje të ekuilibruar për t’i sjellë ku duhet dhe me përqendrim por futbollistët kanë kurajo dhe nga vështirësitë se si kanë ardhur këtu. Ndoshta janë frikësuar nga familja që kanë pas dhe jo vetë personalisht. Është gjë shumë e mirë ndihma sepse të gjithë janë munduar duke bashkuar shqiptarët pa parë asnjë pikëpamje dhe kanë ndihmuar me aq sa kanë mundësi. Ka bërë mirë shtyrja e kampionatit pasi duhej kohë të largohej nga mendja. Duam të japim më të mirën nga vetja jonë. Kukësi është rival i fortë por ne do t’ia dalim”, tha Ahmataj.

Lojtarët e Tiranës rrëfejnë tmerrin nga tërmeti i 26 nëntorit

Nuk është vetëm trajneri Ahmataj që komenton shqetësimin psikologjik të grupit, pasi edhe lojtarë të tjerë të Tiranës kanë dhënë përshtypjet e tyre nga ajo që kanë përjetuar mëngjesin e 26 nëntorit. Dy futbollistët e Tiranës Majkëll Ngo dhe Edon Hasani tregojnë si e kanë përjetuar momentin kur tërmeti goditi vendin. Britaniku tregon se në atë moment u shpreh në shqip duke iu drejtuar zotit, ndërsa Hasani shfrytëzoi pushimin e kampionatit dhe u largua drejt Shkodrës. “Ditën e parë isha i frikësuar. Tërmeti ndodhte për herë të parë në jetën time. Jetoj në katin e shtatë të një pallati, mendova se ishte një bombë. Kur dola jashtë mësova se ishte tërmet. Ndenja poshtë për dy orë. Edhe një herë mendja të shkon te njerëzit që humbën jetën dhe kjo është një situatë shumë e vështirë”, theksoi Majkëll Ngo. Më pas ai komenton edhe zbritjen me frikë në stërvitje, me mendjen gjithmonë tek viktimat e tërmetit. “Kur erdha në stërvitje ishte më qetësi në fushë, por sa herë dilnim nga stërvitja mendja na shkonte njerëzit që humbën njerëzit dhe shtëpitë. Ndeshja me Kukësin? Do të luaj për ato familje që pësuan humbjen e të afërmeve. Do të luajmë për ta. Me Kukësin është e vështirë por trajneri e ka përgatitur mirë. Do të japim 120% për njerëzit që patën fatkeqësi”, shtoi ai Ngo. Në një linjë me të ishte dhe mesfushori bardheblu Edon Hasani, një nga pikat e forta të Tiranës. “Ishte tmerr i vërtetë dhe isha. Dola nga banesa dhe mora familjen në telefon. Të gjithë po dilnin jashtë po hynin në makina për të ikur. E di atë imazh dhe e kam në mendje. Ishim pushim në stërvitje dhe ika në Shkodër 3 ditë. Kishim frikën e përsëritjes së diçkaje të tillë dhe nuk mund të stërviteshim normalisht”. Kukësi? “Ka ekip cilësor dhe pretendent për të dalë kampion duhet të jemi të përqendruar për të marrë më të mirën”, tha Hasani.

Dëmtimet shqetësojnë Ahmatajn

Ndërkohë, nga kampi bardheblu mësohet se Tirana ka humbur shërbimet e Ismael Dungës për pjesën e mbetur të vitit. Sulmuesi prej disa kohësh kishte shqetësimin e një dëmtimi dhe nuk ishte i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në fushë. Keniani nuk mund të shmangë operimin dhe në këtë formë ka mbyllur këtë vit, teksa parashikohet të jetë gati për pjesën e dytë të sezonit, në janar. Dunga u transferua këtë verë nga skuadra e Luftëtarit, megjithatë hapësirat për sulmuesin kanë qenë të pakta, edhe pse ia ka dalë të shënojë tre gola në kampionat. Një telash më shumë për trajnerin e bardhebluve Julian Ahmataj, teksa në horizont janë dy sfida deçizive si ajo ndaj Kukësit dhe më pas derbi me Partizanin.

Adriatik BALLA