BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Sport

Alarmi i specialistëve, lojtarët do të preken nga dëmtime masive, e vërteton edhe një studim gjerman

Alarmi i specialistëve, lojtarët do të preken nga dëmtime

Federata Shqiptare e Futbollit ka caktuar 3 qershorin si datë për nisjen e aktiviteteve futbollistike, fokusuar tek Kategoria Superiore, një datë që ende nuk shihet me optimizëm nga qeveria, pavarësisht se autoritetet shëndetësore hapën “dritën jeshile” për rikthimin e lojtarëve në stërvitje. Por tani, përveç frikës së infektimit nga koronavirusi, duket se po del në pah një tjetër dobësi që lidhet direkt me anën fizike të lojtarëve, konkretisht frikën e dëmtimeve. Është provuar tashmë në shumë vende që kanë vendosur të rikthejnë kampionatin, se stërvitjet nuk kanë shkuar sipas planit, pasi ka dëmtime të mëdha, ndoshta 3 herë më shumë sesa në situata normale. Lojtarët vijnë nga një kohë relativisht e gjatë ndërprerjeje, pothuajse 3 mujore, dhe kjo lë pasoja. Me siguri që ky shqetësim do të zero vend edhe në radhët e klubeve tona dhe tek ekspertët e FSHF-së, të cilët duan që ta mbyllin garën në fushë, por mungesa e profesionalizmit në klubet shqiptare i ka nxjerrë zbuluar në këtë drejtim.

Çfarë thonë teknikët shqiptarë?

Nga intervistat që gazeta “Sot” ka realizuar me teknikë e specialistë të ndryshëm, ka mësuar se rikthimi në fushë mund të shfaqë probleme dëmtimi nga më të ndryshmet, për këtë kërkohet një stërvitje e kujdesshme që lojtarët të marrin ngarkesën e duhur brenda afatit, por është e qartë për të gjithë se koha nuk është e mjaftueshme për një përgatitje të stabilizuar, efikase dhe në përputhje me normat profesioniste të trajnimit. Ekspertë të ndryshëm si Teodor Vaso e Rrapo Taho kanë propozuar ndeshje me minutazh më të shkurtër se normalisht, me 30 ose 35 minuta një pjesë, në mënyrë që të evitohen traumat fizike të lojtarëve. Ka të tjerë që mendojnë se duhej zgjatur afati i nisjes së garës, për t’u dhënë ekipeve dhe lojtarëve kohën e mjaftueshme në dispozicion për t’u përgatitur. Nga ana tjetër, ka specialistë që mendojnë se duhet zgjatur koha e luajtjes së ndeshjeve, pra të mos ketë një kalendar të ngjeshur në qershor, por të kombinohet afati për qershorin dhe korrikun, e gjitha kjo që të mos ketë ndeshje çdo dy-tri ditë, por të paktën në katër ose pesë ditë.

Studimi gjerman

E ndërsa në Shqipëri ka nisur të diskutohet shqetësimi për dëmtimet e mundshme të lojtarëve në fazën e përgatitjes por edhe gjatë ndeshjeve, në Gjermani kanë avancuar në këtë drejtim dhe kanë bërë studime. Dihet që Bundesliga u bë pararojë e nisjes së futbollit në periudhën pas pandemisë dhe sipas analizës së bërë nga Doktor Joel Mason, një australian që punon në Institutin e Shkencave Sportive në Universitetin e Jena-s, risku i dëmtimit është rritur ndjeshëm. Kështu vetëm në javën e parë të zhvilluar ka pasur 12 të dëmtuar dhe risku i lëndimit të lojtarëve është rritur nga 0.27 në 0.88 dëmtime për ndeshje, ose me rreth 266% më tepër sesa ishte gjatë sezonit në kushte normale. Edhe më shqetësuese bëhet situata kur llogarit të dëmtuarit në total gjatë përgatitjeve dhe dy ndeshjeve të para të zhvilluara nga klubet e Bundesligës, pasi në total numërohen 65 futbollistë të dëmtuar, një shifër kjo që korrespondon me rreth 3 dëmtime për skuadër. Koha e shkurtër e përgatitjes, kalendari i ngjeshur, por edhe rritja e temperaturave në javët në vijim, pritet të përkeqësojë edhe më shumë shifrat, ndërsa përveç klubeve të Bundesligës, edhe në kampionate të tjera trajnerët po përballen me dëmtime që gjatë ditëve të përgatitjes. Kështu në kampionatin italian është ndalur Zlatan Ibrahimoviç, në Spanjë Umtiti, Joao Feliks dhe Funes Mori kanë shfaqur probleme muskulore, ndërsa edhe në Angli frika e dëmtimeve mbetet shumë e madhe. Megjithatë, pavarësisht shifrave dekurajuese, të gjithë kampionatet po bëjnë përpjekje për të rinisur sa më shpejt dhe për të mbyllur në fushën e lojës sezonin 2019-2020, pasi janë të paktë ata që mbështesin dhënien e vendimeve në tavolinë.