BREAKING NEWS

Nobelisti rrëzon skemat e OBSH: Izolimi nuk ka asnjë vlerë për parandalimin e koronavirusit, ka shkaktuar më shumë të vdekur

Nobelisti rrëzon skemat e OBSH: Izolimi nuk ka asnjë vlerë
x

Sport

Alban Bushi harron hallet e futbollit pas koronavirusit, premton vend të tretë në eliminatore me Kombëtaren U-21

Alban Bushi harron hallet e futbollit pas koronavirusit, premton vend të

Federata Shqiptare e Futbollit po bën gati të gjithë “arsenalin” e saj për të rikthyer në “shinat” e normalitetit futbollin shqiptar, i ndërprerë prej datës 10 mars, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, pandemi që gjunjëzoi veçanërisht Europën e zhvilluar Perëndimore. Natyrisht, është caktuar një datë nga qeveria për kthimin në stërvitje (fillimisht individuale) me 18 maj. Por ndërsa futbolli po pret të zbresë në fushë, duket se trajneri i Kombëtares së moshës deri në 21 vjeç, Alban Bushi, po përgatitet që tani për sfidat e ardhshme të skuadrës së tij, e cila luan në eliminatoret e Kampionatit Europian të kësaj moshe dhe synon një vend nderi në grup. ecuria e deritanishme nuk është më e mira, por shpresë për në renditje cilësore në grup ka. Kështu, në një intervistë për “RTSH Sport”, Bushi thekson se kjo pauzë i ka shërbyer edhe atij për të studiuar futbollistë për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, ish-sulmuesi tashmë në rolin e trajnerit beson se ekipi Shpresa mund ta mbyllë në vendin e tretë këtë edicion të kualifikueseve për Europian, çka do të ishte një rezultat i rëndësishëm duke qenë se në grup janë Anglia dhe Austria që shihen si favorite ndaj të tjerave. Më së pari ai flet për gjendjen e futbollistëve kuqezi, të cilët shihen edhe si e ardhme e mirë për ekipin përfaqësues të trajnerit Edi Reja. “Me lojtarët e ekipit Shpresa kam kontaktuar thuajse me të gjithë, ata si të gjithë sportistët e tjerë janë duke u stërvitur në shtëpi dhe kush ka mundësi ka bërë pak vrap. Gjithsesi, mendoj se do të jetë një detyrë e madhe e preparatorëve teknik dhe stafit për të patur një program të specifikuar që të merret me detaje, pasi pas një pushimi kaq të gjatë çdo futbollist mund të dëmtohet”, nënvizoi Bushi. Më tej komenton Bushi analizon situatën, elementët e rinj dhe besimin që këta elementë do të spikasin në kohën e duhur edhe në ekipin e parë përfaqësues. Ai nuk jep garanci për objektivat në këto eliminatore, megjithëse një pozicion nderi në grup është i mundshëm dhe aty e ka edhe qëllimin e tij. por si në çdo gjë edhe këtu Bushi duket i përmbajtur.

Pauza e garës dhe objektivat në eliminatore

Në fillim tekniku i Kombëtares U-21 foli për pauzën e bërë gjatë këtyre dy muajve të fundit si pasojë e pandemisë së koronavirusi dhe problemeve të shfaqura, por pa e ndarë lidhjen nga ekipi i tij dhe ambiciet në krye të skuadrës. “Kam bërë një rezyme se ka qenë një kohë e gjatë pushimi dhe kam parë e stërparë lojtarët e ndeshjet, apo kam parë edhe lojtarët që mund të jenë për sezonin tjetër dhe kam krijuar një ide më të qartë. Plus na ka ndihmuar edhe nga ana profesionale për t’u zhvilluar edhe ne vetë si trajner sepse ka qenë një kohë e madhe studimi e duke lexuar librat sportive apo duke parë programe sporti”, theksoi Bushi. Më tej tekniku i Shpresave del drejt e në temë, tek objektivi në grupin ku ndodhte skuadra jonë e ku një vend i tretë duket i arritshëm dhe mjaft komod për Bushin. “Këtë edicion nuk është se na kanë munguar rezultatet, por kemi bërë një hap fals me Andorrën dhe ato dy pikë të lëna mbase do t’i kërkojmë në fund. Gjithsesi, kemi edhe katër ndeshje dhe jemi në vend të katërt, por kemi besimin se mund ta mbyllim në vend të tretë këtë edicion. Ka shumë futbollistë dhe po të shohim ekipi kombëtar A, ka një moshë relativisht 23 apo 24 vjeç. Ka shumë alternativa, plus që do ketë edhe këtë sezon, do të ketë akoma tre apo katër lojtarë që do shkojnë te ekipi kombëtar A, të cilët i tha edhe trajneri Reja që do t’i provonte në ndeshjen me Slloveninë”, përfundoi Bushi. Pranohet gjerësisht se Anglia dhe Austria janë dy skuadra të nivelit të lartë dhe kuqezinjtë e rinj nuk duket të kenë shanse të mposhtin këto dy ekipe. Natyrisht, më e mira duhet të ndodhë dhe Bushi shpreson që pas kësaj pauze skuadra të formatohet mirë e të realizojë objektivat e veta.