BREAKING NEWS

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e
x

Sport

Alegri shfaqet krah Anjelit, orët e Pirlos në krye të Juves të numëruara

Alegri shfaqet krah Anjelit, orët e Pirlos në krye të Juves

Juventusi ka probleme këtë edicion. “Zonja e Vjetër” nuk po arrin të jetë kompetitive në aktivitetet e rëndësishme. E eliminuar nga Champions League prej Portos, fokusi i saj ishte të përsëriste suksesin viteve të fundit në kampionatin italian, pra të fitojë titullin. Por ky objektiv duket tashmë shumë i vështirë të realizohet pas barazimit të fundit në derbin me Torinon. Është fakt që presionin po e vuan trajneri Andrea Pirlo, i cili i ka orët e numëruara në krye të pankinës. Dhe sinjalet u dhanë që gjatë ndeshjes me torinezët, ku presidenti Andrea Anjeli ishte së bashku me ish-trajnerin masimiliano Alegri, duke dëshmuar se diçka po gatuhet. Në fakt, Juventusi nuk shkoi përtej barazimit 2-2 në derbin ndaj Torinos dhe doli nga gara për titullin e 10 kampion radhazi, pasi tashmë Interi është shkëputur ndjeshëm me plot 12 pikë përpara, kur kanë mbetur edhe 10 javë deri në fund të sezonit. Trajneri Andrea Pirlo nuk e fshehu zhgënjimin në fund të derbit dhe pranoi momentin e vështirë që po kalon skuadra, teksa tha se për të dalë nga kjo gjendje, nevojiten disa fitore radhazi. “Kur nuk fiton, nuk mund të jesh i kënaqur, por thjesht duhet të punosh dhe të përmirësohesh. E dimë që po kalojmë një moment të vështirë dhe po punojmë për t’u përmirësuar, por kemi nevojë për disa fitore radhazi, që të rritemi moralisht”, u shpreh tekniku bardhezi. Juventus kaloi i pari në avantazh në derbi, por më pas pësoi dy gola, duke komplikuar totalisht ndeshjen, ndërsa Pirlo pranoi se gabimet po ndodhin shpesh dhe po bëjnë që skuadra të lërë pikë rrugës. “E kemi komplikuar vetë ndeshjen, pasi kaluam në avantazh dhe mund ta menaxhonim shumë më mirë lojën. Ai gabim si te goli i dytë ndodh në një ndeshje futbolli, por ne po na ndodhin pak si shpesh. Nuk jemi të kënaqur me ecurinë e sezonit, pasi po lëmë shumë pikë rrugës, por duhet të punojmë edhe më shumë për t’u përmirësuar”, mbylli deklaratën e tij Pirlo. Ndërkohë, sipas mediave italiane, presidenti Andrea Anjelli ka ndjekur derbin e djeshëm me Torinon nën shoqërinë e Masimiliano Alegrit, pasi të dy janë miq shumë të mirë, por nuk përjashtohet mundësia që të kenë biseduar për një rikthim të bujshëm të Alegrit në pankinën bardhezi. Momentalisht në Itali janë të sigurt që nëse Juventusi nuk arrin të fitojë ndeshjen me Napolin të mërkurën, atëherë Pirlo do të shkarkohet dhe i vetmi emër i madh që mund të ulet menjëherë në stol është pikërisht Alegri. Megjithatë edhe nëse bardhezinjtë arrijnë të fitojnë me Napolin dhe arrijnë të sigurojnë një vend në zonën Champions, presidenti Anjeli duket i bindur të ndërpresë bashkëpunimin me Pirlon në fund të sezonit, pasi Juventusi i tij nuk ka arritur të tregojë një identitet të qartë loje. Në këtë rast diferenca është se nëse Pirlo do të arrijë të mbyllë sezonin në pankinën e Juventusit, atëherë për të pasuar ish mesfushorin italian favorit nuk do të jetë më Alegri, por njëri mes Zinedine Zidane dhe Simone Inzagit. Të dy këta janë trajnerë të rinj dhe me entuziazëm e dëshirë për të bërë mirë, ndaj Anjeli do të ishte gati t’u besonte pankinën, duke qenë se nuk është shumë fans i rikthimeve si në rastin e Alegrit, që ka fituar 5 tituj radhazi me Juventusin.