BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Sport

Arben Milori: Imazhi i futbollit shqiptar i cenuar, më parë shteti kishte përkujdesje të veçantë për sportin

Arben Milori: Imazhi i futbollit shqiptar i cenuar, më parë shteti

Kampionati ka ende një xhiro për të mbyllur aktivitetin sezonal në Kategorinë Superiore, por verdiktet pak a shumë janë dhënë. Kjo pasi Tirana është shpallur kampione edhe matematikisht, ndërsa Kukësi dhe Laçi kanë siguruar vendin e dytë dhe të tretë. Në “play-out” shkon Vllaznia si vend i tetë, ndërsa me formulën e tanishme Flamurtari dhe Luftëtari, si dy vendet e fundit në renditje, bien nga kategoria. Kampionati i sivjetëm ishte i veçantë dhe në një aspekt tjetër, pasi një pjesë e rëndësishme e tij u luajt në kushte të pazakonta për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërkohë që mbetet ende pa u zgjidhur dilema e Kupës së Shqipërisë, ku në finale ballafaqohen Tirana dhe Teuta. Duke analizuar garën, problemet dhe arritjet e saj, fituesin, por dhe infrastrukturën, arbitrimin dhe teknologjinë, ish-futbollisti i njohur i Dinamos dhe Kombëtares, Arben Milori, theksoi në këtë intervistë për gazetën “SOT” se futbollit shqiptar i janë “qepur” disa fenomene negative që e kanë prishur imazhin e tij dhe pavarësisht investimeve në infrastrukturë, në aspektet e tjera ka shumë propagandë dhe pak pozitivitet. Sipas tij, asgjë nuk krahasohet me futbollin e para viteve 90-të, ku shteti kishte vëmendje të veçantë ndaj të gjitha disiplinave sportive dhe këtë e shpreh edhe prania e një publiku të zjarrtë e të shumtë, gjë që mungon krejtësisht në ditët e sotme. Sidoqoftë, për atë që dhanë skuadrat në fushë, Milori beson se Tirana e meritoi trofeun.

 

-Kampionati po shkon drejt fundit dhe nuk ka shumë dilema për të zgjidhur, pasi Tirana fitoi titullin, vendi i dytë dhe i tretë janë përcaktuar, mbetet vetëm një finale Kupe. Por, edhe pse në kohë pandemie, tërhoqi vëmendjen ndeshja në Ballsh midis Bylisit dhe Tiranës, e dyshuar si e trukuar. Një fenomen që po e bren përditë futbollin tonë dhe cenon rëndë imazhin e tij. Ju, personalisht, a e besoni se kjo ndeshje ishte e kurdisur?

Mendimi ynë nuk vlen nëse nuk ka hetim korrekt dhe të thellë të fenomenit. Unë nuk di ta them me siguri këtë, ndoshta nuk është e drejtë. Nuk di ta ndaj nëse ishte një ndeshje e trukuar apo jo, por me aq sa pashë, konstatova se nuk ishte një ndeshje normale. Gjykimi tjetër u takon autoriteteve. A ndodhin këto fenomene në futbollin shqiptar? Sigurisht që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve dhe për këtë është diskutuar edhe në media e ka shumë raporte. Trukimi i ndeshjeve duhet parë si pjesë e këtij sistemi anormal nëpër të cilin ka kaluar tranzicionit e tij futbolli shqiptar.

-E megjithatë Tirana fiton titullin. Në këndvështrimin tuaj, a ishte një trofe i merituar?

Gjykimi vlen për atë që treguan skuadrat në fushë dhe e parë në tërësinë e një edicioni, mendoj se Tirana ishte skuadër më e qëndrueshme, më e motivuar dhe padyshim e meritonte titullin. Pikërisht falë ecurisë së saj e meritonte këtë sukses. Gjërat duhen parë edhe në një kompleks më të gjerë, sepse ky ishte një sezon ku pandemia kushtëzoi shumë gjëra. Për Tiranën u tha në formë dyshimi se ishte stërvitur gjatë kohës së pandemisë, por unë ndjek linjën e rezultateve, ku Tirana duket se ka pasur një përqendrim dhe bindshmëri më të madhe se skuadrat e tjera rivale, sidomos kur e krahason me Kukësin që pretendonte titullin. Kurse pjesa tjetër, që ka të bëjë me futbollin në tërësi, ka ato probleme që ne i dimë, e keqja është se gara nuk është e vërtetë në disa aspekte të saj dhe duke qenë e tillë vë në diskutim edhe vetë aktivitetin. Futbolli tek ne nuk është shumë pozitiv, ta themi këtë gjë, por unë dua të përgëzoj lojtarët e Tiranës dhe stafin për arritjen e titullit. Pra, unë mendoj se në këtë ambient, pavarësisht problemeve, ata e merituan.

-Shumë vende europiane e kanë futur VAR-in si pjesë të lojës. Ka diskutime shumë, pro e kundër, por ky është një proces i pakthyeshëm...

Ai që vendos në fund është njeriu, sado teknologji të futet, sërish në fund vendimet i merr njeriu. Megjithatë, është fakt që VAR ka dhënë cilësi në argumentim. Dua të them që nëpërmjet VAR-it i jepet mundësia kujtdo të gjykojë për rastin dhe mendoj se në tërësinë e tyre pikëpyetjet e një rasti, aksioni, 11-metërshi etj, i ka zgjidhur drejt, sepse e ka ndihmuar gjyqtarin të ndërmarrë një vendim më të drejtë. Mendoj se VAR do të jetë diçka pozitive dhe për futbollin tonë, sepse do të largojë subjektivizmin, plus që u jep një shans arbitrave të jenë më të drejtë. Për më tepër, futja e VAR është një veprim në sinkron me vendet e tjera anëtare të UEFA-s.

-Meqë përmendëm arbitrat, në Shqipëri këta kanë një histori të mbuluar me mistere dhe shpesh vendime të padrejta. Në këndvështrimin tuaj, a janë gabimet e tyre të ndikuara, apo pjesë e mangësisë profesionale?

Nuk mendoj se janë për shkak të mangësisë profesionale. Arbitrat, si kudo gjetkë, trajnohen, ndjekin kurse, mësojnë etj, pra nuk janë gabime të lidhura me profesionin, por ka ca gjëra, ta pranojmë këtë, që bëjnë “mu”. Specialistët e dinë që nuk janë gabime njerëzore, sepse ka vendime që janë dukshëm përtej kësaj, që ndikojnë në ndeshje, në garë. Por edhe kjo e arbitrave nuk duhet parë e shkëputur nga sistemi me plot mangësi ku operon sporti ynë.

-Është folur shumë për infrastrukturën gjatë këtyre viteve. Për hir të së vërtetës ka impiante të reja më cilësore, rikonstruksione etj. Por mbetet problemi i pakësimit të fushave sidomos tek moshat. Cili është mendimi juaj?

Unë konstatoj se është punuar në këtë drejtim dhe kemi disa impiante të mira tani, që plotësojnë standardet. Cilësia e fushave është dukshëm më e mirë, por ka aksesorë ndihmës më pak. Fusha ndihmëse janë shumë më pak dhe kjo ka impaktin e vet negativ. Në këtë aspekt të dytë shoh se ka më shumë propagandë sesa punë konkrete.

-Duket e habitshme, por gjithnjë e më shumë klubet e traditës po vuajnë. Shumë skuadra të qyteteve të mëdha janë në inferiore. Klube dikur kaq të forta si Flamurtari, Elbasani, Besa, Tomori e ndonjë tjetër po lëngojnë. A nuk është dhe kjo një anomali e futbollit shqiptar?

Në fakt, klubet e mëdha shkojnë në sinkron me popullsinë e qytetit ku shtrihen. E përgjithshmja është kështu, por edhe ky fakt nuk është se ka domethënie të madhe. Problemi i klubeve tona është më i gjerë se kaq. Klubet tona kanë pësuar ndryshime në strukturë, në organizim. Ju e keni vënë re se tek Elbasani dhe Flamurtari ka shumë pak lojtarë vendas, madje vendasit po u ngjiten ekipeve dytësore siç ndodh me Orikumin apo ndonjë tjetër, çka tregon se në ekipin kryesor gjërat nuk shkojnë mirë. Pra, është prishur emri i madh i klubeve. Flamurtari s’është më ai i dikurshmi, që ballafaqohej me dinjitet e sukses me Partizanin e Beogradit, Barcelonën etj. Ishte kohë tjetër, ekip tjetër, mentalitet tjetër. Këto arritje sot nuk ekzistojnë dhe është prishur balanca jo vetëm e klubeve të veçantë, por e traditës në tërësi.

-Është dhe kjo çështja e Ligjit të Sportit, apo trajtimi i sportit nga autoritetet shtetërore...

Këtu është “thembra” e krejt problemit, sepse ne kemi kaluar një tranzicion jo korrekt dhe sporti nuk ka bërë përjashtim nga ky “rregull”. Sporti është lënë herë në dorë të bashkive e herë ministrive dhe sot është kjo gjendje që shohim. Pse? Sepse sporti është parë si dora e fundit. Për nostalgji ndihem keq, pasi, edhe pse kam luajtur në kohë të vështirë, dora e shtetit në sport ndihej, ishte evidente. Dhe këtë e dëshmon fakti se sporti ndiqej më shumë, kishte rezultate më të mira dhe kryesorja stadiumet ishin plot. E ardhmja duhet ta kthejë sportin tek publiku, jo në duar të njerëzve të panjohur, por të rikthehet raporti emocional sportist-fans, që impiantet të jenë plot. Vetëm atëherë merr vlerë sporti. Por që të ndodhë kjo duhet që shteti ta ketë sportin në vëmendjen e tij.

-Janë lëshuar shumë licenca trajnerësh të rinj, por pak dimë rreth cilësisë së tyre. A ka futbolli shqiptar sot trajnerë të rinj të aftë? Flas sidomos për moshat...

E kuptova qëllimin e pyetjes tuaj. Janë shumë gjëra që ndikojnë në këtë aspekt. Marrja e një licence është formalitet. Që të bëhesh trajner i mirë duhet të ushtrohesh, pra të zhvillohesh vetë. Për këtë duhen studiuar materialet, të ndjekësh metodat e kohës. Të them të drejtën nuk është se i kam ndjekur, plus që futbolli ynë ka probleme në infrastrukturë, pagesa etj. Finalja tek moshat është se duhen prodhuar elementë cilësorë. Duhet përmirësuar teknika e fëmijëve. Nëse një kampionat nuk prodhon cilësi, atëherë duhet parë produkti që sjellin ata poshtë. Nëse s’ka cilësi, atëherë diçka çalon.

-Skuadrat tona do të marrin pjesë në kompeticionet europiane. Kë sheh më cilësoren për të avancuar?

Është herët për ta thënë, duhet mësuar më parë shorti, pra kundërshtarët. Tirana do të luajë në Champions do ta ketë të vështirë sigurisht, pasi në këtë kompeticion luajnë më të mirët dhe ka shumë cilësi. Ecuria varet nga shorti, por e shoh të vështirë. Sa i takon Kukësit, ka disa sezone që luan në Europë, ka krijuar një traditë të kalimit të tureve. Është një skuadër që ka cilësi dhe shoh që mund të surprizojë. Por e parë në tërësi, për më tepër që kanë vetëm nga një ndeshje në tur, e shoh paksa të zymtë të ardhmen në këto eliminatore.

-Shpesh bëjmë krahasime me brezin e shkuar, atë të rinisë tuaj, dhe jo vetëm për Dinamon, por për të gjitha skuadrat. Kishte cilësi, masivitet por edhe emocion të madh. Janë ca gjëra që futbolli ynë duket se i ka humbur apo jo?

Unë gëzoj respekt për atë kohë dhe jo vetëm nostalgji. Ishte një emocion i madh, kohë tjetër, ku nuk kishte interesa të tjera në futboll përveçse të fitosh ndeshjen, ta përjetosh atë. Sot mungon interesimi i asaj kohe edhe nga instancat shtetërore, ky është fakt. Nuk ishte vetëm futbolli, por të gjitha disiplinat, që kishin marrë hov. Ishte investuar në sport në tërësi dhe në shumë disiplina Shqipëria kishte bërë një prezantim dinjitoz. Kishim ski, alpinizëm e lloj-lloj sportesh me nivel cilësor. Vëmendje e madhe ndaj sportit sepse të shkosh në elitë kërkohet një përkujdesje e shtetit dhe kjo përkujdesje nis me infrastrukturën, me trajnimin, me trajtimin dhe mbështetjen psikologjike. A ka pasur mangësi? Sigurisht që po, mangësi të mëdha madje, por ne i kënaqshim njerëzit në atë kohë, kishte një raport besimi dhe një raport emocional shumë të fortë. Nuk besoj se gabohem, përkundrazi, duket një kohë tjetër krejt e paarritshme.

Intervistoi: Adriatik BALLA