BREAKING NEWS

Të shtëna me armë në Durrës, dalin detajet e para

Të shtëna me armë në Durrës, dalin detajet e para
x

Sport

Arben Sako: Erzeni e meriton titullin, t’i jepet Çezarit ajo që i takon

Arben Sako: Erzeni e meriton titullin, t’i jepet Çezarit ajo

Trajneri i Erzenit në volejboll për meshkuj, njëherësh trajneri i përfaqësueses U-20 në këtë gjini, Arben Sako, komentoi pritshmëritë e këtij edicioni, të ndërprerë prej muajit mars si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Asambleja e mbledhur para pak ditësh ka lënë në pritje datën 23 qershor, kur mbyllet edhe periudha e emergjencës, për të vendosur për zhvillimin ose jo të garës, por shtimi i rasteve të reja duket se do ta bëjë të pamundur rinisjen e aktiviteteve të volejbollit. Ndërkohë, një debat mbi titullin, nëse duhet apo jo të jepet në tavolinë, vijon të jetë i ndezur brenda gjirit të komunitetit të volejbollit. Këtë situatë e sqaron në këtë intervistë për gazetën “SOT” edhe trajneri Sako, i cili nuk lë jashtë vëmendjes edhe punën që po bëhet për evidentimin dhe stimulimin e elementëve të rinj që do t’i japin premisa të mira zhvillimi volejbollit të meshkujve në Shqipëri. Sako foli dhe për ekipin kombëtar që drejton si dhe dëshirën e një kualifikimi të Shqipërisë në fazën finale të një Europiani, pa lënë mënjanë edhe komentin e tij mbi një ligë mbarëkombëtare me Kosovën.

 

- Si paraqitet gjendja në volejbollin shqiptar në këtë periudhë dhe a ka shanse që të rifillojë kampionati?

Pandemia solli, si kudo, probleme, pasi kushtëzoi ndërprerjen e garës për një kohë të gjatë. Në lidhje me rinisjen e garës unë po i përmbahem asaj që është thënë në asamblenë e federatës së volejbollit, e cila vendosi që të marrë fillimisht një vendim me datën 23 qershor, kohë e caktuar për emergjencën nga qeveria. Të shohim se çfarë vendimi do të merret, megjithëse, duke pasur parasysh situatën, kur rastet janë shtuar ditët e fundit, vështirë se do të ketë një vendim pro rifillimit të kampionatit. Një alternativë është zhvillimi i një faze “play-off”, por siç thashë kjo situatë mund të na kushtëzojë në vendimmarrje.

- Ju drejtoni Erzenin që është në vend të parë. Nëse nuk fillon gara u takon titulli kampion. Çfarë do të ndodhë nëse gara nuk fillon dhe vendimi jepet në tavolinë?

Erzeni, sikurse e dini, është në krye të renditjes, por ne duam që titullin ta fitojmë në parket. Megjithatë, jo pse jam trajner i kësaj skuadre, por logjika e do, nëse gara nuk rifillon, titulli duhet t’i përkasë Erzenit. Edhe jashtë vendit kështu ka ndodhur. Atje ku janë ndërprerë garat titulli u ka shkuar ekipeve që janë në vend të parë. Edhe federata europiane e botërore njeh vendin e parë si fitues, përderisa e lejon të marrë pjesë në Champions. Nëse një skuadër tjetër do të ishte në vend të parë në këtë moment, unë do ta votoja atë për titullin kampion.

- Këto janë vendime që merren sipas rregulloreve të FSHV-së…

Po, por kryesia ka vendosur që të na i njohë të gjitha të drejtat si vend i parë, që marrim pjesë në Europian, por nuk na njeh titullin. Nuk dua të hyj në debat, por një skuadër në vend të parë dhe e shkëputur me pikë besoj e meriton titullin e një aktiviteti, edhe nëse ky aktivitet ndërpritet përfundimisht. Ndërprerja nuk po ndodh për faj të Erzenit, ne thjesht duam hakun tonë.

- Me sa duket kërkesa juaj ka hasur në kundërshti nga rivalët. Çfarë i pengon anëtarët kundërshtarë të japin votën e tyre nëse merret një vendim në tavolinë?

Epo nuk është normale, mendoj unë, që të mbyllësh një sezon në vend të parë e të mos marrësh titullin. Madje është ky fakt që ne si Erzen kemi kërkuar të luhen ndeshjet, në mënyrë që ta fitojmë titullin në parket. Kundërshtarët tanë nuk duan të rifillojë gara, por ama nuk pranojnë që titulli t’i shkojë Erzenit. Ata e dinë që në parket Erzeni është i pathyeshëm. Pastaj është dhe çështja e imazhit. Të rroftë që je në vend të parë, pasi nuk fiton titull dhe s’ta njeh njeri titullin! Kjo gjë nuk do t’i pëlqente popullit të Shijakut, plus që sponsorët që synojmë t’i thithim në vazhdim, largohen kur mësojnë se skuadra nuk paska fituar zyrtarisht titullin. Edhe një herë, ne nuk e duam titullin në tavolinë, por në fushë. Por nëse gara nuk rifillon, atëherë na takon titulli në tavolinë. Partizani, Korça, Tirana, Vllaznia etj, janë skuadra rivale me ne. Kundërshtarëve nuk u vjen mirë që titulli të shkojë zyrtarisht tek Erzeni. Është një situatë e pazakontë dhe nëse gara nuk rifillon na takon titulli. Natyrisht që vendimin përfundimtar do ta marrë kryesia e federatës, por unë nuk pres që kundërshtarët të votojnë në favorin tonë. Kanë trumbetuar dhe në media se unë dhe Erzeni kërkojmë titullin në tavolinë, në një kohë që ne kemi kërkuar të luhet gara. Në fakt e bëjnë këtë sepse vetë ata nuk duan që të rinisë gara. Kurse federata e la këtë diskutim të hapur në mënyrë demokratike. Kjo është një zhurmë e pakuptimtë dhe, sipas meje, e padrejtë ndaj Erzenit të Shijakut. Janë dy skuadra që meritojnë titullin nëse gara nuk përmbyllet sipas kalendarit. Erzeni tek meshkujt dhe Minatori i Rrëshenit tek femrat. U takon titulli prandaj apeloj “jepini Cezarit atë që i takon Cezarit”. Mos harroni, kemi lojtarë të huaj, që paguhen, plus ekipi që ka shpenzime. Ne na mbështet Bashkia e Shijakut, por siç thashë nëse nuk fitojmë titullin nuk na afrohen sponsorët.

- Cili është mendimi juaj për nivelin e garës në këtë sezon?

Volejbolli i meshkujve ka bërë një hop cilësor përpara. Në rang ndërkombëtar meshkujt janë paraqitur më mirë sesa femrat. Kemi në Kombëtare 8-9 lojtarë të nivelit të lartë që luajnë në Europë. Mbetëm pa u kualifikuar në Kampionatin Europian vetëm për 1 set, në ndeshjen ndaj Austrisë. Vërtet nuk ia dolëm për një set, por objektivi mbetet i njëjtë, të kapim Europianin në kualifikueset e radhës.

- Kjo është Kombëtarja, kurse klubet kanë nivel tjetër përfaqësimi, apo jo?

Jo, më vjen keq, këto gjëra janë të lidhura. Këtë e shpjegon edhe paraqitja që bëri Erzeni në Europë, ku ne u përballëm me dinjitet me skuadrën italiane, e cila është pretendente për trofeun europian. Niveli i kampionatit tonë, është i tillë që të çon në Kombëtare. Janë shumë skuadra që rivalizojnë për titull në volejbollin e meshkujve, ku përveç Erzenit është dhe Partizani, Tirana, Vllaznia, Korça, Farka. Mbi 5-6 ekipe që pretendojnë trofe dhe kjo rrit cilësinë. Kombëtarja është produkt i kampionatit, prandaj dhe jam optimist për përmirësimin e situatës.

- Ju përmendët 8-9 lojtarë që luajnë në nivele europiane, por ne vetëm për një nga vajzat kemi dëgjuar, Erblira Bicin, që luan në nivel të lartë. Si qëndron ky raport gjinor në përfaqësimin e volejbollit tonë jashtë vendit?

Bici është volejbolliste e kompletuar, ka dhe të tjera, si Prenga etj, por tek meshkujt janë 8-9 elementë të nivelit europian, por janë dhe 3-4 elementë të kampionatit që synojnë të luajnë jashtë vendit. Tek femrat ka një situatë rivlerësimi, po përtërihet ekipi, kurse tek meshkujt po merren frytet e një pune të gjatë e të mirë.

- Ju drejtoni edhe Kombëtaren U-20. Si paraqitet gjendja e ekipit dhe kur do ta keni testin e parë ndërkombëtar?

Vijoj ta drejtoj këtë skuadër dhe ne po përgatitemi për Europianin e kësaj moshe. Ky është një cikël ku shpresojmë të korrim sukses. Rezultatet do të vijnë, pasi kemi bërë punë të mirë. Ekipi kombëtar duhej përgatitur për Ballkaniadën, në Prishtinë, presim urdhrat që do të vijnë nga federata europiane, pasi ende kemi probleme me pandeminë.

- Të rikthehemi tek Erzeni. Cila është gjendja e grupit dhe ambiciet tuaja në vazhdim?

Erzeni është skuadër e konsoliduar dhe me objektiva të qartë. Nuk është rastësi që jemi në vend të parë dhe me pretendime të mëdha. Në këtë periudhë ne stërvitemi tek kompleksi “Goga”, që është nga më të mirët jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Po punojmë fort për të qenë atje ku duhet dhe të gatshëm nëse merret vendim për të rinisur kampionatin.

- Ju përmendët pak më lart se keni lojtarë të huaj në skuadër. Çfarë do të ndodhë me ta pas kësaj periudhe? E kjo nuk vlen vetëm për Erzenin...

Kontrata me të huajt ka mbaruar, por ata nuk mund të largohen, pasi federata botërore e ka shtyrë për më vonë. Megjithatë, të shohim çfarë do të ndodhë në vijim. Erzeni do të përpiqet të ruajë grupin.

- Basketbolli krijoi Ligën Mbarëkombëtare. Pse po hesht volejbolli?

E kemi ngritur edhe ne këtë çështje, por siç e dini dhe ju Kosova ka federatën e saj që njihet ndërkombëtarisht. Pra ne jemi dy vende me dy federata. Që të kesh një kampionat të përbashkët duhet leje nga federata europiane dhe ajo botërore, megjithatë, ky është një projekt i së ardhmes. Sidoqoftë, disa turne të karakterit të përbashkët mund të bëhen. Për mendimin tim një bashkim kampionatesh duket i vështirë për momentin, por mund të krijohet aktivitete që ngjajnë me atë të Balkan League në basketboll.

- Në basketboll, një nga problemet e mprehta është gjyqtaria. Ka mjaft kontestime. Si paraqitet arbitrimi në volejboll?

Volejbolli shqiptar ka 4-5 arbitra ndërkombëtar dhe janë ky grup gjyqtarësh që mbajnë peshën edhe në ndeshjet e kampionatit. Nuk kemi pasur vërejtje, që do të thotë se gjyqtaria ka qenë korrekte, madje, mund të konstatoj se ka pasur rigorozitet prej tyre. Nuk duhet të harrojmë se volejbolli në vendet e zhvilluara ka në ndihmë edhe sistemin VAR dhe në këtë kuadër po bëhet progres edhe në volejboll.

- Një nga hallkat për të pasur sport cilësor është trajningu. A ka Shqipëria trajnerë të rinj të aftë dhe që japin garanci për vazhdimësinë?

Në asamblenë e fundit u mor vendim që teknikët e rinj të testoheshin, të nisnin kurse etj. Duhet të marrin licencë për Kategorinë e Parë, që të jenë analoge me ato që jepen në Europë. Diplomat janë të domosdoshme në këtë fushë dhe diplomat maten me nivel ndërkombëtar. Niveli i parë e kanë shumë trajnerë, unë personalisht kam diplomë të nivelit të dytë ndërkombëtar, që mund të trajnoj kudo. Por ka dhe një nivel superior, lektor, që e kanë pak veta, kryesisht ata që vijnë e bëjnë trajnime. Kemi fatin që federata jonë është e zhvilluar në këtë drejtim dhe ka krijuar mundësinë për të gjithë të shpalosin aftësitë e tyre.

- Si mund ta gjejë një trajner talentin e volejbollit dhe a kemi ne talente?

Po, ka talente, por është në dorën e trajnerit të testojë e përzgjedhë më të mirët. Këtu në Shijak unë kam pasur mundësinë të zgjedh elementë shtatlartë dhe me brumë shumë të mirë në këtë sport. Trajneri është ai që e kërkon elementin e gjatë dhe cilësor dhe është pikërisht trajneri që e bën dallimin. Ai zgjedh brumin, e përpunon dhe e vë në efikasitet. Kjo bëhet me pasion dhe një trajner pasionant do të gjejë vazhdimisht elementë cilësorë.

Intervistoi: Adriatik BALLA