BREAKING NEWS

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e paralajmërime Bashës të refuzojë ofertën e Ramës

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e
x

Sport

Arben Sako: Pandemia la pasoja në sport, tani është koha t’i kthehemi volejbollit bio, trajnerët në provë

Arben Sako: Pandemia la pasoja në sport, tani është koha

Pandemia e koronavirusit goditi të gjithë botën dhe u shoqërua me pasoja të rënda në njerëz, por edhe në ekonomi. Pandemia goditi, gjithashtu, sportin shqiptar, të cilit i shkaktoi dëme të mëdha financiare. Me përjashtim të futbollit, i cili i rinisi shpejt aktivitetet, sportet e tjera qëndruan për një kohë të gjatë mbyllur, duke vënë në pikëpyetje ekzistencën e tyre. Madje shumë sporte nuk e kanë marrë ende “dritën jeshile” të nisjes së aktiviteteve, teksa u lejua, më në fund, basketbolli e volejbolli të zbresin në parket. Janë luajtur ndeshjet e para, por nuk bëhet fjalë për cilësi. Në kushte të tilla të jashtëzakonshme, ambiciet e federatave janë të kompletohet kalendari i ndeshjeve, pra të bëhen aktivitetet, e më pas të mendohet për cilësinë. Masat e protokollit shëndetësor kanë qenë të forta dhe në volejboll ca më shumë. Për momentin po luhet në dy fronte, në kupë e kampionat. Sidoqoftë, edhe pse me vështirësi, duket se kjo periudhë sjell favore në një plan tjetër: U jep mundësinë elementëve të rinj të angazhohen në formacionet e skuadrave, si dhe teston aftësitë e trajnerëve, pasi këtë herë mungojnë lojtarët e huaj që bëjnë diferencë. I këtij mendimi është dhe një prej trajnerëve të spikatur të volejbollit tonë, Arben Sako, suksesi i të cilit me Erzenin gjatë viteve të fundit ka qenë mbresëlënës. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Sako analizon situatën, pritshmëritë nga gara dhe ambiciet me Erzenin e tij.

- Pandemia ka gjunjëzuar rëndë sportin shqiptar. Çfarë humbi volejbolli ynë gjatë kësaj periudhe?

Kjo është një periudhë e vështirë për sportin në tërësi. Pati refleksione në disa aspekte, një ndikim negativ në të gjithë sportin tonë, e në veçanti për volejbollin. Në fakt, ne si Erzen nuk është se jemi pa stërvitje, pasi, siç edhe e dini, skuadra ishte pjesëmarrëse në Champions League të volejbollit të meshkujve, pra është përpjekur të jetë në linjë përgatitore. Mendoj se mbi gjithçka, pandemia ka pasur ndikim negativ në cilësi dhe volejbolli do ta vuajë këtë.

- Në tërësi, federatat dhe klubet në sporte të tjera “qajnë” më shumë aspektin financiar. Kjo pasi sporti ynë mbështetet pak dhe nga aktivitetet gjeneroheshin ato pak të ardhura. Si do të përballohet kjo gjendje?

Në këtë pikë nuk mund të flas për të gjithë volejbollin dhe për situatën financiare të klubeve të tjera, pasi nuk jam i informuar, por duke qenë trajner i Erzenit mund të them se skuadra ka shpëtuar falë ndihmesës së Bashkisë së Shijakut, e cila ka dalë garant dhe ka mbështetur ekipin. Është një mbështetje e madhe dhe djemtë janë të kënaqur. Erzeni është skuadër që luan në Europë dhe të garosh në Europë është pjesë e suksesit. Gjithsesi, cilësia nuk do të jetë si më parë dhe kjo është pasojë direkte e pandemisë dhe volejbolli do ta vuajë këtë. Natyrisht, financat janë ato që goditen fort, pasi ka pasur mungesë të gjatë të ndeshjeve, nuk ka tifozë, mungon suporti anësor etj. Të gjitha këto japin efekte negative në cilësinë e garës.

- Jo përmendët paksa skuadrën tuaj, Erzenin, e cila ndër vite ka qenë një skuadër e elitës në volejbollin e meshkujve. Si paraqitet gjendja sportive e ekipit tuaj?

Ne jemi stërvitur, nuk kemi qëndruar në vend, por nuk mund të them se stërvitja jonë ka qenë në ato nivele që dëshironim. Është pikërisht situata me pandeminë që nuk na ka lejuar të arrijmë atje ku dëshironim dhe kjo nuk vlen vetëm për ne, por për të gjitha skuadrat e volejbollit. Por edhe pse situatë e keqe, ka diçka tjetër të kundërt që është e mirë. Këtu është fjala për të rinjtë, sepse pandemia na ka kthyer volejbollin bio. Çfarë do të thotë kjo? Kjo nënkupton se në mungesë të lojtarëve të huaj, klubet do të detyrohen të aktivizojnë të rinj nga skuadrat e tyre zinxhirë dhe ky është një moment pozitiv, padiskutim, duke u dhënë mundësinë të rinjve të tregojnë vlerat e tyre e nga ana tjetër edhe vetë klubet të kthejnë kokën nga ekipet e moshave. Elementi i dytë që duhet parë me pozitivitet lidhet me trajnerët. Teknikët e volejbollit do të duhet të kalojnë këtë fazë për të parë e testuar aftësitë e tyre. Në mungesë të elementëve cilësorë nga jashtë që bënin diferencë, tani do të shihen trajnerët se si operohen me “mallin” vendas. Me këtë rast do të shohim edhe nivelin e trajnerëve e në fund kujt do t’i buzëqeshë fati i trofeut.

- Kur flasim për elementët e rinj, si qëndron ky tregues tek Erzeni, pra skuadra juaj?

 Ka elementë, sigurisht, këtu në Shijak kemi prurje të reja të mira. Janë 2-3 lojtarë të rinj që kanë cilësi dhe të ardhme. Madje unë mendoj se janë të nivelit ndërkombëtar sa u takon parametrave sportivë. E vërteta është se ne jemi para ekipeve të tjera në këtë drejtim, sepse kemi skuadrat zinxhirë. Unë e thashë dhe më sipër që tani, si asnjëherë tjetër më parë ne do të kemi mundësinë të shohim kapacitetet e të rinjve, shanset e tyre. Në kushtet kur s’ka prurje nga jashtë, të rinjtë janë opsioni më i mirë, prandaj fola që në fillim për volejboll bio. Mendoj se do të kemi surpriza edhe në këtë kampionat që do të luhet me kalendar të ngjeshur.

- Cila është gjendja e rivalëve tuaj në volejboll? Me aq sa informacion keni, kush paraqitet pretendent?

Momentalisht që flasim po luajmë me Teutën ku shpresojmë të kalojmë më tej. Besoj se do t’ia dalim me sukses. Teuta ka një skuadër të mirë, por rivalë të fortë janë dy ekipet e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani, që kanë grupe cilësore. Natyrisht, në radhët e skuadrave pretendente është dhe Vllaznia. Për momentin ne jemi në vend të parë në grupin tonë e Vllaznia e dyta. Faza e parë e kampionatit mbaroi, do të përcaktohen dhe finalistët e Kupës e më pas do të zhvillohet faza e dytë e kampionatit. Këtë edicion, për shkak të protokollit mjekësor dhe kushteve të krijuara, po zhvillohet një kampionat me formulë të veçantë dhe me kalendar të ngjeshur. Ka qenë renditja e fazës së parë që kushtëzoi edhe kalendarin e kupës, pra ishte një formulë e veçantë për nevojat që lindnin si pasojë e situatës.

- Një kalendar i tillë i ndeshjeve të ngjeshura mund të ketë pasoja tek shëndeti i sportistëve. Ju jeni trajner dhe e dini këtë. Si do të jetë zgjidhja?

Është një kalendar i pazakontë për një situatë të pazakontë. Duhet të kuptojmë një gjë, që federata botërore dhe ajo europiane ka vendosur afate për mbylljen e aktiviteteve sezonale. Këtu është fjala për urdhrin e dhënë prej saj që kampionatet kudo në Europë të mbyllen brenda 15 prillit, në mënyrë që të caktohet më pas kalendari i ndeshjeve në Europë. Këtu do të luhet kupa më 14 mars e më pas do të nisë direkt faza e dytë e kampionatit, kështu që ngjeshja e kalendarit është e pashmangshme dhe shpresojmë shumë të mos ketë dëmtime e pasoja të rënda, pasi shpeshtësia e ndeshjeve është e tillë që mund të vërë në provë të gjitha skuadrat dhe ne të gjithë, në fakt, dëshirojmë më së pari shëndetin e sportistëve. Ndeshje të shpeshta është një tjetër risi e këtij kampionati, sepse unë e thashë që ana e mirë është se do të kemi një kampionat bio me elementë vendas e kryesisht të rinj, por nga ana tjetër, kjo do të testojë trajnerët, do t’i vërë ata në provë sa të zotë janë dhe a do të mund t’ia dalin mbanë me sukses. Ai që do të dijë të luajë në mënyrë të zgjuar në këtë periudhë do të ketë edhe suksesin e trofeut. Fitorja do t’u buzëqeshë atyre që do të dinë të menaxhojnë më mirë situatën e pazakontë të ngjeshjes së kalendarit. Unë kështu besoj se do të ndodhte.

- Me këtë situatë pandemie, të gjitha federatat u gjendën “jashtë loje”. Nuk duhet të harrojmë që federatat sportive tek ne kanë buxhet të limituar dhe për më tepër në këtë periudhë të gjatë ndërprerjeje nuk kishin asnjë mundësi të operonin ndryshe. Sa ka ndikuar tek volejbolli federata përkatëse? Cilat qenë projektet e saj për të dalë nga kjo krizë?

Shiko, federata jonë e volejbollit ishte pararojë nga të gjitha federatat e tjera. Ajo kishte përgatitur disa plane për rinisjen e garës dhe kishte të qartë idetë e realizimit, mjafton që ekspertët e shëndetësisë të lejonin të bënim aktivitetin. Kjo sakrificë në fakt ka qenë për të gjitha sportet, por ku është fjala për sportet kolektive si volejbolli duhet një qasje vërtet e studiuar dhe FSHV-ja ishte gati sipas situatës së krijuar. Kishte një plan A, por edhe një plan B e C. Ky plan parashikonte që të realizohej projekti sezonal.

- Deri ku mund të shkojnë të rinjtë e kampionatit shqiptar të volejbollit? A ka ndërmjet tyre elementë që mund të çajnë në këtë moment në Europë?

Unë e theksova dhe më lart që volejbolli ynë prodhon elementë cilësorë dhe jo vetëm klubi ynë i Erzenit, por edhe klube si Skënderbeu, Tirana, Partizani etj, kanë elementë cilësorë. Madje ne kemi një 16-vjeçar që është 203 cm, parametra fizikë të mrekullueshëm. Pra, kemi elementë cilësorë dhe të gjatë që mund të luajnë edhe në Europë, por që të shkojnë deri atje ata kanë nevojë për shumë punë, jashtëzakonisht shumë. Jo vetëm për të rinjtë, por në tërësi në sportin tonë ka nevojë të punohet, madje me stërvitje më të shtrirë në orar sesa bëjmë aktualisht. E theksoj, ka elementë cilësorë, por me këto kushte dhe me këtë stërvitshmëri duket e vështirë që të depërtojnë në një kampionat më të fortë dhe elitar të volejbollit në Europë. Sidoqoftë, është një brez që po rritet dhe mund të ketë të ardhme. Ndërkohë, përfitoj nga rasti të uroj një sezon pa probleme dhe të përfundojë ashtu siç nisi, në mënyrë që të mos kemi dëmtime, shqetësime të natyrave të ndryshme dhe deri tani, fatmirësisht, nuk kemi pasur probleme infektimi me koronavirus.

Intervistoi: Adriatik BALLA