Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Sport

Armando Sadiku firmos për Erzurumsporin në Turqi, shansi i ri në karrierë

Armando Sadiku firmos për Erzurumsporin në Turqi, shansi i ri në

Një nga futbollistët më të spikatur të Kombëtares kuqezi, Armando Sadiku, ka vendosur të luajë në Turqi sezonin tjetër, pikërisht me ekipin e Erzurumsporit. Ai ka firmosur me klubin turk një kontratë dyvjeçare. Siç dihet, Levante e la të lirë bomberin kuqezi, teksa lojtari kishte oferta dhe nga klubi i Arisit të Selanikut, por në fund zgjodhi klubin turk, në elitën e futbollit të këtij vendi. Edhe pse detajet financiare të kontratës nuk janë zbuluar në media, mësohet se Sadiku i ka pranuar kushtet e nga ana tjetër klubi besohet se ia ka plotësuar dëshirën në këtë aspekt futbollistit shqiptar. Duket e pabesueshme, por elbasanasi ka ndryshuar shumë skuadra në karrierën e tij, tepër shumë. Erzurumspori do të jetë ekipi i 11-të në karrierën e tij. E ka nisur nga Cërriku, Gramozi dhe Elbasani në Superligën shqiptare, për të përfunduar në Zvicër (ka luajtur me katër ekipe të ndryshme në këtë vend), më pas në Poloni, Spanjë e gjetkë, pothuajse rreth e përqark Europës. Por ka një të përbashkët rreth tij, pasi ai mbetet i kërkuar dhe nuk i humbet vlera. Kulmin e regjistroi me atë gol historik për Kombëtaren në Europianin e Francës. Ndërsa tashmë nis një aventurë e re, në një vend krejt tjetër dhe mentalitet ndryshe. Sadiku është pjesë e Kombëtares shqiptare që nga viti 2012 dhe ka shënuar 12 gola për ngjyrat kuqezi, edhe mbrëmë ishte pjesë e ekipit shqiptar ndaj Lituanisë. Mbrëmjen e së hënës në “Air Albania” ai nuk mundi të gjente dot rrugën e rrjetës dhe ishte mjaft i shkëputur nga mesfusha dhe i pamundur për të operuar së bashku me Manajn në vijën e parë të sulmit. Mbetet, sidoqoftë, një nga pikat e forta të ekipit kuqezi, të paktën dhe për këtë edicion. Në Turqi do të gjejë shumë elementë shqiptarë si Selmani, Cikalleshi e ndonjë tjetër nga Shqipëria dhe Kosova. Sadiku ka ende ç’të japë në fushën e lojës dhe eksperienca e grumbulluar deri tani e ndihmon mjaft atë. Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë me Erzurumsporin, më së pari si do ta nisë aventurën e tij të re në Superligën e Turqisë.

Talenti i U-21 në merkato, Atalanta nuk do t’ia japë Palermos

Në Itali po shtohet përditë kolonia shqiptare. Një tjetër talent shqiptar do të tregojë vlerat e tij në Serinë C në edicionin që po fillon. Mesfushori i talentuar Erdis Kraja, pasi shfaqi të gjitha vlerat dhe cilësitë e tij te Palermo në edicionin e kaluar, tashmë do të veshë fanellën e një klubi tjetër, duke u ngjitur një kategori më lart. Te sicilianët, Kraja u kthye në një nga futbollistët më të vlerësuar në Serinë D dhe ishte titullar i paprekshëm te Palermo. Por në fund të sezonit mbaroi edhe marrëveshja e huazimit të tij nga Atalanta dhe futbollistit i duhej të kthehej te bergamaskët. Palermo u mundua që të blinte kartonin e tij dhe negocioi gjatë gjithë verës me Atalantën. Por klubi zikaltër nuk pranonte të shiste lojtarin dhe kështu, Palermo u detyrua të hiqte dorë nga ai, pasi nuk mund ta huazonte për shkak të kuotave në rregulloret e Serisë C. Ndaj Kraja kërkoi një sistemim të ri në Itali dhe ai ka nënshkruar sot marrëveshjen me klubin e Grosetos, në Serinë C, ku Atalanta e ka huazuar për edicionin e ri.

Albion Ademi, fenomeni shqiptar në Finlandë

Një tjetër element shqiptar spikat në vendet nordike. Kështu, mediat finlandeze raportojnë se Albion Ademi është një nga surprizat e këtij sezoni te skuadra e Marieham në Finlandë. Sulmuesi i talentuar shqiptar ka një vazhdimësi të madhe, teksa në shtatë ndeshjet e zhvilluara në muajin gusht, ia ka dalë të realizojë po shtatë herë, duke i dhuruar pikë të çmuara ekipit. Në këtë formë, 21-vjeçari është shpallur si lojtari më i miri i muajit gusht, teksa është votuar nga kolegët e tij të kampionatit finlandez. Ademi i është bashkuar Marieham këtë sezon nga klubi i PS Kemi ku ka qenë i huazuar, ndërsa mesa duket është përshtatur më së miri dhe po shfaq të gjithë potencialin e tij. Nëse vazhdon në këtë formë, Ademi shumë shpejt mund të marrë ftesën për të veshur fanellën kuqezi.