BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Armir Grima: Ka ardhur koha e Vllaznisë së madhe, presim dy trofe në Shkodër

Armir Grima: Ka ardhur koha e Vllaznisë së madhe, presim dy trofe

Futbolli i femrave në Shqipëri ka pak vite që është organizuar në kampionate dhe në një rrjet veprimtarish të ligjshme që orientohen e menaxhohen nga FSHF. Por edhe pse me pak eksperiencë, ai po rritet dhe kohët e fundit ka pasur progres të qëndrueshëm, kjo edhe falë investimeve që janë bërë nga federata dhe me mbështetjen e projekteve nga UEFA e FIFA. Tashmë FSHF ka fituar projekte për futbollin e femrave dhe janë vendosur disa piketa për të ardhmen, duke pasur dëshirë që të fuqizohet futbolli në këtë gjini. Ekipin kombëtar të femrave e drejton Armir Grima, ish-portier i Vllaznisë, i cili, në këtë intervistë për gazetën “SOT”, analizon pritshmëritë e ekipit, seleksionimin e grupit, shortin e ardhshëm dhe natyrisht fuqizimin në tërësi të futbollit të femrave në Shqipëri. Nga ana tjetër, duke komentuar zhvillimet në kampionatin e meshkujve, në Kategorinë Superiore, Grima vuri në dukje se Vllaznia qëndron në pozita të forta dhe pavarësisht rivalitetit, uron e shpreson që të dy trofetë të vijnë në Shkodër këtë herë. Sipas tij, ka ardhur koha e Vllaznisë së madhe me trofe në kampionat e kupë.

- Bëtë kohë si drejtues i ekipit kombëtar të femrave. Është evident fakti se futbolli në këtë gjini ka pasur rritje të kënaqshme, por si është gjendja e skuadrës në këtë periudhë dhe cilat janë objektivat tuaja në vazhdim?

Në këtë moment ne jemi në pritje të shortit për eliminatoret e Botërorit, short që hidhet në fund të këtij muaji. Shpresojmë që goglat të na sjellin pak fat, në kuptimin që të jemi në një grup me 6 ekipe, e që të kemi mundësinë të fitojmë sa më shumë pikë. Ne ndodhemi në vazon 4, nuk jemi në pozita të dobëta, përkundrazi, jemi në pozita të mira. Është herët për të folur për objektiva madhorë, pra për kualifikim në fazën finale të Botërorit, por ajo që ne dëshirojmë është të kemi fat në short që të mundësojmë një rritje më të madhe nga sa kishim deri tani. Në mënyrë që ky progres në futbollin e femrave të vijojë pa ndërprerë edhe në fazën e ardhshme eliminatore.

- Cili është grupi i vajzave aktualisht, a ka talente?

Natyrisht që ka vajza me kualitet dhe futbolliste që janë rritur shumë në nivelin sportiv. Ajo që më pëlqen tek grupi që kemi është përkushtimi i vajzave që shkon deri në sakrificë për skuadrën, rritja e tyre profesionale dhe dëshira për të bërë më shumë në tërësi. Natyrisht, ne duam sukses madhor, por kjo nuk arrihet në një ditë, që të shkohet tek objektivat e mëdha duhet punë e madhe. Mos harrojmë se futbolli i femrave në Shqipëri nuk e ka përvojën e shumë vendeve europiane që kanë dekada që investojnë në këtë gjini. Megjithatë, për kohën e paktë që kemi futbolli i femrave ka një shpërthim dhe një nivel shumë të mirë. Me kohën ne e kemi rritur nivelin edhe në futbollin e femrave dhe duke qenë se jam pjesë e skuadrës kombëtare, si trajner i saj, ndihem krenar me punën e bërë por më së pari krenar për vajzat dhe punën që është bërë nga të gjithë aktorët në këtë drejtim. Nuk jemi maja e Europës në futbollin e femrave, por, e thashë, duke ditur se ku ishim, prapë kemi bërë arritje.

- Si qëndron futbolli i femrave në raport me fqinjët, ndoshta skuadra greke është diçka më lart...

Jo, absolutisht jo, ne jemi më mirë se greket, pasi i kemi lënë pas ato në renditje. Në aspektin rajonal, përfaqësuesja e futbollit të femrave në Shqipëri është më lart se skuadrat e vendeve të rajonit. Maqedonia, Mali i Zi, Kosova e Greqia, që janë fqinjet tona, nuk kanë skuadër më cilësore sesa ne, përkundrazi, e them me bindje e më së pari mbi rezultatet, që ekipi ynë qëndron më lart.

- Kush e përbën bazën e grupit të skuadrës, lojtaret vendase apo ato që vijnë nga jashtë?

Përgjithësisht kam marrë vajza nga jashtë, duke seleksionuar vajzat më cilësore, qoftë në Kosovë, por edhe nga ata që luajnë në Europë, por baza këto kohët e fundit ka qenë Vllaznia, skuadër e cila ka cilësi dhe ka mundur të luajë edhe në Europë. Kjo skuadër është kampione, ka vajza me kualitet dhe bërthama e ekipit ka dalë nga gjiri i kësaj skuadre. E parë në këtë formë kemi qenë të kënaqur pasi kjo tregon se kemi brumë në futbollin e femrave brenda kampionatit vendas dhe kjo është pozitive dhe për ardhmërinë. Janë 7-8 vajza të formacionit titullar që luajnë në kampionatin vendas dhe kjo e dëshmon më së miri këtë që cilësova më lart.

- Si paraqitet aspekti tekniko-taktik në ecurinë e skuadrës. A ka përfaqësuesja jonë cilësi në këtë drejtim?

Nuk mund të them se kemi arritur majën, por përmirësim është bërë edhe në këtë drejtim. Shiko! Që të kesh një skuadër që funksionon mirë në këtë aspekt duhet të kesh futbolliste profesioniste të nivelit të lartë, por me kohën edhe këtë parametër do ta përmirësojmë dhe unë e di që skuadra është rritur në këtë drejtim. A mund të bëjmë më shumë? Natyrisht që po dhe ka vende të punohet edhe më tepër në këtë drejtim. Jam i kënaqur me atë që paraqet skuadra dhe për këtë e pres i qetë shortin, me shpresën që goglat do të na sjellin fat dhe falë grupit mund të rrisim pretendimet tona. Qëllimi mbetet i njëjtë, të kapërcejmë një shkallë më lart, ky ishte dhe mbetet objektivi madhor, pasi momentalisht ne nuk kemi skuadër që mund të fitojë titull europian apo botëror.

- Të flasim pak për kampionatin e meshkujve. Vllaznia, ish-skuadra juaj, ndodhet në krye, por rivaliteti është shumë i madh. Si e shihni garën në këtë fazë të fundit?

Në kampionat kemi një luftë të fortë sportive dhe një rivalitet mjaft i shprehur për kreun, pasi ka shumë skuadra që pretendojnë titullin. Vllaznia dhe Partizani duken më afër, por nuk qëndrojnë larg as Teuta dhe Laçi, ndërkohë që edhe Tirana mund të merret seriozisht në këtë fazë dhe mund të llogaritet edhe ajo si një skuadër që rivalizon fort për titullin. Sa i takon Vllaznisë, shoh që ka bërë përmirësime. Pati një moment ngërçi, një moment uljeje, por e ka rimarrë veten dhe tani po bën lojëra të mira e rezultative, duke qenë në pozita të forta për objektivat e saj. Unë mendoj që Vllaznia është skuadër e aftë ta fitojë titullin dhe e dëshiroj fort ta realizojë këtë mision. Do të ishte diçka e mirë për ekipin, stafin dhe natyrisht tifozët e Vllaznisë që e meritojnë më shumë se kushdo tjetër këtë sukses. Unë mendoj se ka ardhur koha për Vllazninë e madhe, me pretendime në të dy kompeticionet dhe shpresojmë të vijnë, pse jo, të dy trofetë në Shkodër, si kupa dhe kampionati. Kanë mbetur edhe disa javë garë, rivaliteti është shumë i fortë, edhe Partizani është skuadër cilësore e me pretendime, por edhe të tjerat, kështu që garës nuk i dihet, megjithatë, unë e thashë që Vllaznia po rritet në lojë, po bën ndeshje të mira dhe ndoshta ka ardhur koha e kësaj skuadre, e një Vllaznie të madhe.

- Nëse do të kishit një “shkop magjik” në duar, çfarë do të bënit për të ndryshuar pozitivisht diçka në futbollin shqiptar?

Shikoni! Futbolli që të zhvillohet ka nevojë për projekte të mëdha dhe angazhimin e të gjithëve. Mbi gjithçka në futboll kërkohet bashkëpunim, bazuar në parime sportive dhe në zhvillime të bazuar në punë shkencore e sportive. Kjo duhet të bëhet me qëllim që të shtohet masiviteti, por edhe të rritet cilësia. Një tjetër element që ndikon është infrastruktura, kryesisht terrenet. Që të kesh një futboll me ardhmëri nevojiten shumë fusha, ku të stërviten të rinjtë dhe fëmijët në përgjithësi. Sot terrenet ku stërviten fëmijët lënë për të dëshiruar. Nëse do të kisha diçka në dorë pikërisht këtu do të investoja fuqishëm.

- E vërteta është se në infrastrukturë janë bërë disa investime serioze...

Nuk i mohoj investimet që janë bërë por futbolli ynë ka nevojë për shumë më tepër. Fushat na duhen me patjetër, kanë nevojë fëmijët kudo nëpër Shqipëri. Bashkëpunimi është shumë i domosdoshëm dhe koha ka vërtetuar që aty ku ka pasur bashkëpunim janë bërë investime dhe ka arritje të qëndrueshme. Por ky bashkëpunim është arritur me FSHF-në dhe është pikërisht federata ajo që e mundëson drejtpërdrejt këtë arritje. Ju e dini që federata ka një projekt që konsiston në 100 fusha dhe kur të realizohet ky projekt do të ishte një fitore madhe për futbollin në rang kombëtar. Por që ta realizojë duhet ta mbështesin aktorët politikë, veçmas qeveria. Ndoshta nuk e shpëton përfundimisht problematikën që ka ky sport në Shqipëri, por zgjidh një element të rëndësishëm që ka të bëjë me terrenet. Dhe ky projekt konsiston kryesisht në futbollin e moshave dhe duhet mbështetur nga të gjithë. Me këtë rast falënderoj mediat dhe të gjithë dashamirësit që duan një futboll më të mirë, si për meshkujt dhe për femrat, dhe të ketë bashkëpunime nga të gjithë palët që projektet zhvillimore në të mirë të sportit të mbështeten pa hezitim.