BREAKING NEWS

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv nga koronavirusi

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv
x

Sport

Atletiko mposht kampionët e Europës, Liverpulin, Dortmundi i jep “leksione” PSG-së

Atletiko mposht kampionët e Europës, Liverpulin, Dortmundi i jep

Liga e Kampioneve u rikthye në skenë pas një pushimi dymujor, tashmë më duelet e para të fazës para çerekfinale, me dy takimet e para të kësaj etape e ku vëmendja padyshim ishte mbërthyer në stadiumin “Vanda Metropolitano” të Madridit, ku Atletiko priti kampionen në fuqi të UEFA Champions League, Liverpulin, ndeshje e fituar nga spanjollët 1-0. Por më spektakolare ishte ndeshja Dortmund-PSG, ku fituan gjermanët 2-1 dhe ku shkëlqeu në veçanti talenti Erling Haland me dy gola. Sa u takon ndeshjeve, Liverpuli kishte dominim absolut të lojës, sidomos në mbajtjen dhe kontrollin e topit, në masën që shkonte deri në masën 70%. Por kjo nuk e pengoi Atletikon të shënonte e të administronte rezultatin në pjesën e parë, duke shfaqur një rreshtim taktik klasik 4-4-2 e mjaft të efektshëm. Edhe pse dominoi Liverpuli në këtë fraksion, skuadra angleze nuk ia doli të krijojë raste të mira shënimi, kurse në krahun tjetër, duke shfrytëzuar kundërsulmin, Atletiko pati disa raste të pastra shënimi që mund ta kishin ndëshkuar keqas Liverpulin. Shenjat e një ndeshje të madhe taktike, por edhe përplasjesh të forta fizike u dhanë që në fillim, ku Atletiko, duke shfrytëzuar një top të krosuar në zonë ia doli të krijojë rrëmujën ku përfitoi Saul Nigez i cili vetëm sa e shtyu topin në rrjetë. Ishte minuta e 4-t dhe gjërat për spanjollët po ecnin mirë. Liverpuli e mbledh veten shpejt dhe merr kontrollin e fushës. Nis me aksione sulmuese nga e majta dhe e djathta, duke tentuar të nxjerrë zbuluar egjiptianin Salah, por mbulimi nga ana e spanjollëve ishte mjaft efikas. Me përjashtim të një goditje të Salahut që u devijua nga mbrojtësit, asgjë tjetër për t’u shënuar për anglezët në fraksionin e parë të lojës, kurse pas golit të Nigez, Morata kishte dy herë shansin të dyfishonte rezultatin për Atletikon, gjë që nuk ndodhi. Në pjesën e dytë, Liverpuli e rriti akoma më tej fuqinë sulmuese, bëri shumë goditje drejt portës, por pa mundur ta prekë rrjetën. Edhe pse Klop bëri shpejt të tri zëvendësimet, ato nuk dhanë efekt, kështu që duelin e parë të 1/8 e fitoi Atletiko e Madridit, por fatet e kualifikimit do të vendosen në duelin e ardhshëm. Po dje, u luajt ndeshja e parë midis Borusias së Dortmundit dhe Paris San Zhermenit, e cila prodhoi spektakël në tribuna, pati përpjekje dhe në fushë, por si pasojë e mbrojtjeve të forta e hermetike dhe intuitës së ekipeve për të mos rrezikuar, nuk pati gola në pjesën e parë. Madje në këtë fraksion gjermanët ishin dominues në lojën sulmuese, ku krijuan më shumë raste, patën një goditje në kuadrat e 5 në drejtim të portës, kundrejt vetëm një gjuajtjeje të francezëve që nuk dha efekt. Në pjesën e dytë gjermanët e konkretizuan fuqinë e tyre sulmuese me golin e shënuar nga Erling Haland në minutën e 70-të, një gol që për pak i “vrau” shpresat e kampiones së Francës që të dilte me rezultat pozitiv nga “Signal Iduna Park”. Gjithsesi, në minutën e 75-të Nejmar barazoi shifrat 1-1, pas asistim të Mbape. Por entuziazmi i PSG-së do të zgjaste fare pak, pasi i njëjti lojtar, Erik Haland, vetëm 19 vjeç, shënoi golin e dytë për Dortmundin. Fituan gjermanët 2-1, por fatet e kualifikimit do të vendosen në Paris dy javë më vonë.