Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Autokritikë” e kuqezinjve, i japin “leksione” Islandës dhe fitojnë me goleadë

Postuar: 11/09/2019 - 07:26

Shqipëria më në fund ka fituar, madje me goleadë. Ka bërë një autokritikë të fortë pas disfatës ndaj Francës, duke mundur mbrëmë në Elbasan Islandën, me rezultatin 4-2 dhe duke forcuar paksa pozitat e saj në renditjen e grupit H. Ishte një fitore morali për kuqezinjtë dhe stafin teknik me në krye Edi Rejën, ndërsa në vijim na presin sfida edhe më të vështira. Në fakt, Shqipëria duhej ta fitonte ndeshjen e mbrëmshme në “Elbasan Arena” përballë Islandës, me çdo kusht, si e vetmja rrugë për të mbajtur gjallë ëndrrën kualifikuese. Stadiumi në Elbasan kishte më shumë spektatorë se zakonisht, si duket ngaqë në mesin e pjesës së parë u hapën dyert dhe nuk mungoi mbështetja për kuqezinjtë. Trajneri Edi Reja bëri ndryshime të forta në skemë dhe në formacion, duke qenë tërësisht i ndryshëm nga dueli me Francën që e humbëm thellë 4-1. Ndaj Islandës duhej më shumë forcë sulmuese dhe trajneri kishte bërë ndryshime radikale në të gjitha repartet, duke i besuar përfundimisht fort skemës së tij 3-5-2, me Hysajn dhe Lenjanin të avancuar në krahë. Në mbrojtje luajti nga minuta e parë në vend të Mavrajt Kastriot Dermaku, kurse në mesfushë regjisori ishte Ledian Memushaj që mungoi në duelin e parë ndaj Francës. Në sulm nuk ishte Balaj, por Cikalleshi dhe Manaj, ndërsa krah Memushajt në mesfushë u radhitën dy të rinjtë, Bare dhe Gjasula, që kanë kualitet të lartë teknik. Dhe loja e përfaqësueses është funksionale, dëshmuar me krijimin e shumë rasteve për shënjim dhe me një përkushtim më të madh se ndaj Francës. Për minuta të tëra Manaj shndërrohet në problemin kryesor të mbrojtjes islandeze, duke qenë mjaft agresiv. Loja e tij pëlqehet, sidomos për tentativat e guximshme në drejtim të portës kundërshtare, kurse Cikalleshi është më i mbuluar dhe më i tërhequr. Hysaj ishte mbrëmë në rolin e Dani Alveshit, kurse Lenjani, i munguar prej shumë kohësh në përfaqësuese, pati përkushtimin e mjaftueshëm të operonte me Memushajn mjaft mirë në korridoret e ngushta të krahut të majtë. Padyshim, regjisori i vërtetë në mesfushë ishte Bare, i cili shfaqi cilësi teknike të admirueshme. Islandezët tentojnë të befasojnë me të vetmin sulmues, Sigurdson, që ishte rrezik konstant, por gjuajtjet e tij nuk e kaluan Strakoshën, kurse për tanët kulmi i ndeshjes në pjesën e parë ishte minuta e 32-të, kur Memushaj nga e djathta realizon një “perlë”, një krosim ekzakt për Dermakun në vijën fundore që me kokë e devijon në rrjetë. Një gol që solli entuziazëm në “Elbasan Arena”. Në pjesën e dytë islandezët befasojnë që në aksionin e parë, duke gjetur të papërgatitur mbrojtjen kuqezi dhe me dy pasime të sakta shtangin stadiumin me golin e barazimit të shënuar nga Sigurdson. Ekipi kuqezi bie moralisht, por e merr veten shpejt dhe kapiteni Elseid Hysaj bën mrekullinë në minutën e 52-të, duke shënuar golin e parë me Kombëtaren, nëpërmjet një aksioni krejt personal dhe një kombinimi perfekt me Baren. Po islandezët do të befasonin sërish në minutën e 58-të, kur Sigthorson i sapofutur në fushë, nuk mbulohet nga Hysaj e Ismajli dhe shënon golin e barazimit. Situata në kampin kuqezi tensionohet jo pak dhe Reja shfaq nervozizëm në pankinë, por mbështetja e tifozëve dhe ndryshimet që bëri trajneri Reja dhanë efektet e duhura. Roshi i sapofutur në fushë jep shkëndija në krahun e majtë dhe në minutën e 79-të, pasi merr një krosim të saktë nga Bare, stopon, pozicionohet si duhet dhe lëshon një “predhë”, e cila devijohet paksa nga një mbrojtës dhe topi përfundon në rrjetë. Entuziazëm në kampin kuqezi që tani ka moralin e duhur për të përballuar kundërshtarin dhe për ta fituar ndeshjen. Islanda del përpara me shpresën e përmbysjes, por e pëson, pasi në minutën e 82-të, pas një inkursioni të gjatë të Roshit në zonë, topi përfundon tek këmbët e Cikalleshit, i cili me një të majtë të fuqishme shënon golin e katërt. Praktikisht ndeshja merr fund këtu dhe Shqipëria siguron fitoren e parë të thellë në këto eliminatore, 4-2 me një rival direkt si Islanda, por mbetet në vend të katërt, me 9 pikë, 3 më pak se Islanda e vendit të tretë. Kurse Franca dhe Turqia marshojnë përpara me nga 15 pikë.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/09/2019 - 23:13

Milani ka shënuar fitoren e dytë në sezonin e ri të Serie A.
 
Rosonerët kanë mposhtur Veronën me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e xhiros së tretë.
 

Postuar: 15/09/2019 - 22:13

Pas golave që shënoi në kualifikueset e Euro 2020 përballë Francës dhe Islandës, Sokol Cikalles

Postuar: 15/09/2019 - 09:19

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edi Reja ka rrëfyer detaje nga jeta e tij.

Postuar: 15/09/2019 - 07:49

Në stadiumin “Artemio Franchi” të Firences, Fiorentina arriti të frenojë kampionët në

Postuar: 15/09/2019 - 07:47

Dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar u përballën dje në stadiumin “Selman Stërmasi&rdqu

Postuar: 15/09/2019 - 07:46

Gazeta “Sot” sjell për lexuesit këtë fundjavë intervistën me një prej figurave të shq

Postuar: 14/09/2019 - 18:59

Një skandal i vërtetë u cilësua incidenti i ndodhur para fillimit të ndeshjes Francë-Shqipëri, e