BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Sport

Bajerni jep spektakël por 1 gol s’mjafton, në gjysmëfinale shkon PSG

Bajerni jep spektakël por 1 gol s’mjafton, në gjysmëfinale

Liga e Kampioneve dhuroi mbrëmë emocione të veçanta, ku Bajerni i Mynihut dha spektakël përballë Paris San Zhermenit, fitoi 1-0, por një gol nuk mjaftoi, kështu që në turin tjetër kaluan francezët falë më shumë golave në fushë kundërshtare. Kështu, PSG vinte në këtë duel të kthimit çerekfinal në avantazhin e fitores së parë, 3-2. Gjermanët nuk kishin rrugë tjetër veçse të sulmonin, pasi nuk kishin çfarë të humbisnin. Për këtë arsye pritej një ndeshje spektakolare dhe niveli i mbrëmshëm i lojës u shkonte për shtat dy skuadrave më të mira të momentit në Europë. Në fakt, në 10 minutat e para të takimit skuadrat luajtën të tërhequra, me një rast të vetëm nga ana e PSG-së, por më pas Bajerni do të niste vallëzimin e tij në fushë, duke bërë një lojë të disiplinuar nga ana taktike dhe duke zgjedhur të luajë si “pykë” përpara me Çupo-Moting. Hap pas hapi bavarezët e rritën lojën sulmuese dhe krijuan shumë raste shënimi, duke vënë në vështirësi skuadrën franceze. Nejmar dhe Mbape u izoluan mirë në fraksionin e parë të lojës dhe PSG humbi terren në kontrollin e topit. Duke mbajtur topin më shumë Bajerni e diktoi ritmin e saj dhe në minutën e 41-të goditi me anë të Çupo-Moting, duke realizuar golin e epërsisë që i dha një avantazh të dukshëm përballë parizienëve. Sa i takon PSG-së, më i miri në fushë ishte padyshim Nejmar, që goditi dy herë shtyllën në këtë ndeshje, por fati nuk ishte me të. Në pjesën e dytë Bajerni ruajti një nivel të lartë loje, duke u përpjekur të gjejë golin e dytë me të gjitha mënyrat, por hasi në një mbrojtje të kujdesshme të francezëve, të cilët, duke parë euforinë e gjermanëve u bënë “gardh” në kufijtë e zonës, duke mbuluar si duhet hapësirat. Loja merr pamje spektakolare në mesin e pjesës së dytë, kryesisht me Bajernin që sulmon me furi, por edhe me emocionet e kundërsulmit të PSG-së. Minutat e fundit ishin vërtet dramatike, pasi të dyja skuadrat patën raste shënimi, por mungoi finalizimi. Si përfundim ndeshjen e fitoi Bajerni 1-0, por në gjysmëfinale të Champions shkoi Paris San Zhermen, falë fitores 3-2 në ndeshjen e parë, pra për gola më shumë në fushë kundërshtare. Ndërkohë, ndeshja tjetër çerekfinale e luajtur mbrëmë, ishte ajo mes Çelsit dhe Portos. Anglezët kishin fituar ndeshjen e parë me shifrat 2-0 dhe kishin qetësinë e duhur për të administruar epërsinë. Detyra e tyre mbrëmë ishte të ruanin epërsinë e ndeshjes së parë dhe për këtë kishin marrë masat që të izolonin sulmuesit kundërshtarë. Në pjesën e parë portugezët luajtën më mirë dhe krijuan më shumë raste në sulm, por kjo gjë pritej prej tyre pasi vinin nga humbja e parë. Sidoqoftë, Çelsi u mbrojt mirë dhe në mënyrë efikase për rezultatin. Në pjesën e dytë anglezët ia lënë iniciativën Portos dhe kjo e fundit e gjeti golin, por atëherë kur ishte shumë vonë. Mehdi Taremi shënoi në sekondat e fundit të takimit, një gol nderi, një fitore nderi për portugezët, por në gjysmëfinale kalon Çelsi, falë fitores 2-0 në takimin e parë.