BREAKING NEWS

“Nga nesër dita e fundit me fashën orare deri në 13:00”, kryeministri Edi Rama njofton masat e rrepta për fundjavën dhe javën në vazhdim

“Nga nesër dita e fundit me fashën orare deri në
x

Sport

Bajerni shkatërron Çelsin brenda në Londër, Napoli frenon Mesin dhe Barçën

Bajerni shkatërron Çelsin brenda në Londër, Napoli frenon

Liga e Kampioneve u rikthye këtë javë me duelet e radhës në fazën e 1/8 të finales, ku padyshim të dy takimet e mbrëmjes dhuruan emocione. Napoli priti Barcelonën në “San Paolo”, kurse Çelsi priti Bajernin e Mynihut në “Stamford Bridge” të Londrës. Gjermanët shpartalluan Çelsin 3-0, duke qenë thuajse në çerekfinale, kurse italianët frenuan Barcelonën dhe Mesin me një barazim 1-1 që, sidoqoftë, favorizon katalanët në duelin e kthimit. Napoli kishte zgjedhur të mbrohej në këtë ndeshje, me strategji efikase taktike në repartin difensiv, por me ambicie në kundërsulm, gjë që i dha avantazhe në menaxhimin e takimit, pavarësisht se Barcelona e dominoi ndeshjen në mbajtjen e topit me 66%. Duhet thënë se në fraksionin e parë të lojës, Napoli ishte kaq entuziast dhe aq i vendosur taktikisht sa edhe psikologjikisht ishte i pathyeshëm. Edhe pse dominonte Barça në mbajtjen e topit, lojtarët që vrapuan më shumë ishin ata të Napolit dhe kjo e bëri diferencën. Goditjet në portë për Barcelonën munguan tërësisht dhe kapiteni Mesi u shfaq i izoluar. Edhe Griezman u mbulua rreptësisht dhe mesfusha bashkë me sulmin nuk shfaqën ide si të depërtonin. Kjo i dha avantazhe Napolit që pati dy raste në pjesën e parë, por njërin mundi ta konkretizonte me gol në minutën e 30-të, kur Dres Mertens realizoi një supergol me një goditje nga jashtë zonës, pikërisht nga një kundërsulm i frikshëm, i saktë dhe i shpejtë napolitan. Madje në minutën e fundit të pjesës së parë Napoli pati dhe një rast tjetër shënimi me Manolas, por goditja e tij e dobët përfundoi jashtë. Në pjesën e dytë Barcelona vijoi të qarkullojë dendur topin, por këtë herë me disa ndryshime në skemën ofensive, e cila e dha efektin në minutën e 56-të, kur Semedo asistoi për Griezmanin e francezi barazoi shifrat 1-1. Më pas Napoli u përpoq të mos lejonte hapësira dhe ia doli në një farë mase, pasi askush nga katalanasit nuk ia doli të rrezikojë, pavarësisht volumit të lojës. Në minutat e fundit Barça mbeti me 10 vetë, pasi Vidal mori kartonin e dytë të verdhë dhe u largua me të kuqe. Ndeshja tjetër e mbrëmjes, ajo e zhvilluar në “Stamford Bridge” të Londrës midis Çelsit dhe Bajernit të Mynihut, ishte një tjetër duel spektakolar i mbrëmjes së djeshme në Ligën e Kampioneve. Të dyja skuadrat luajtën në mënyrë të kujdesshme, por Bajerni e kontrolloi më mirë takimin, jo vetëm në mbajtjen e topit, por edhe në fazën ofensive me rastet e krijuara, ku në fraksionin e parë të lojës bëri 3 goditje drejt kuadratit nga 2 të vendasve. Gjithsesi, në 45 minutat e para mungoi goli. Në pjesën e dytë gjermanët do të gjenin shpejt rrugën e suksesit, me dy gola të shënuar nga talenti Gnabri në minutën e 51-të dhe të 54-t, gola që i dhanë jo vetëm avantazhin në rezultat skuadrës bavareze, por edhe i hap rrugën e kualifikimit për më tej. Për të vulosur këtë objektiv mendoi Levandovski në minutën e 76-të, duke trefishuar rezultatin. Për Çelsin gjërat u vështirësuan më tej pasi Alonso doli me karton të kuq në minutën e 83-të dhe kjo ia bëri më të lehtë, në krahun tjetër, Bajernit, i cili me shifrat 3-0 i mbetej vetëm të administronte lojën dhe rezultatin. Dhe në fund ia doli, duke e bërë kualifikimin një formalitet, pasi dueli i kthimit do të jetë në Gjermani.