BREAKING NEWS

Ja ministrat që pritet të shkarkohen në vjeshtë, Majko e Lleshaj më të rrezikuarit, sondazhet fundosin shumicën e anëtarëve të kabinetit

Ja ministrat që pritet të shkarkohen në vjeshtë, Majko e
x

Sport

Barça B tenton të largojë Manajn, e quan të papërshtatshëm, Kosova mbledh kuqezinjtë e Superiores

Barça B tenton të largojë Manajn, e quan të

Lojtarët e Kombëtares që janë në “udhëkryq” po tentojnë të gjejnë ekip për sezonin e ri, duke lakmuar destinacione të reja më cilësore për të ardhmen. Por ka nga ata futbollistë, që duke kërkuar vazhdimisht shpërthimin e madh, po i kthehen dështimet varg dhe ky është një problem. I tillë është fati me sa duket me Rei Manajn, një lojtar që kishte pritshmëri shumë të mëdha, por skuadra e radhës ku po dështon është Barcelona B, objektivat e së cilës nuk i ndihmoi dot as Manaj. Nga ana tjetër, shumë lojtarë që janë në fokusin e trajnerit Edi Reja nga futbolli në Shqipëri, po kalojnë me shpejtësi në Kosovë dhe kjo duket të ketë lidhje me pagesat më të mira që bëjnë klubet kosovare. I fundit që iu ngjit njërës prej skuadrave të Superligës së Kosovës ishte elementi cilësor i Laçit, Eglentin Gjoni, tashmë edhe i zyrtarizuar tek skuadra e Llapit.

Manaj nuk bind tek Barcelona, tentohet të largohet nga klubi blaugrana

Sulmuesi kuqezi, Rei Manaj, në janar të këtij viti bëri shumë bujë me transferimin e tij te Barcelona në muajin janar teksa nga Albasete e Ligës së Dytë, firmosi një kontratë prej tre vite e gjysmë kontratë me blaugranët. Katalanasit shpenzuan 700.000 euro për sulmuesin e kombëtares, ndërsa në varësi edhe të rezultateve sportive, Albasete mund të përfitonte edhe dy milionë të tjera. Mirëpo, edhe pse lushnjari është stërvitur me ekipin e parë disa herë dhe madje ka qenë i grumbulluar për një ndeshje, ndërkohë që me të rinjtë ka gjetur edhe rrugën e rrjetës, sërish nuk ka bindur. Sakaq, e përditshmja katalanase “Mundo Deportivo” thekson se pasi ekipi i të rinjve dështoi në “play-off” për të provuar shijen e La Liga, bën që klubi të mendojë për disa ndryshime dhe të shesë futbollistë. Këtu është edhe emri i Rei Manaj, për të cilin klubi do të dëgjojë oferta dhe nëse vjen e duhura nuk do ta kishte problem ta largonte, teksa cilësohet si i papërshtatshëm për filozofinë e klubit.

Kosova mbledh më të mirët e Superiores

Vetëm pak ditë pasi shpalli zyrtarisht lamtumirën nga Laçi, ish-kapiteni i kurbinasve Eglentin Gjoni ka gjetur një skuadër të re për të vazhduar karrierën. 27-vjeçari ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me Llapin në Ipko Superligën e Kosovës. Me skuadrën nga Podujeva, Gjoni do të mbajë veshur fanellën me numër 16. Gjoni u largua nga kurbinasit pas plot 5 vitesh eksperiencë te Laçi. “Zyrtare: Kapiteni i Laçit, Eglentin Gjoni nga sot pjesë e KF Llapit! Qendërmbrojtësi i gjatë 1.94 m përforcon edhe më tepër repartin difensiv. Podujevë, 29 korrik 2020 – Përforcimi më i ri i skuadrës së Llapit për edicionin 2020/21 është qendërmbrojtësi i cili bie nga Kategoria Superiore, i cili në edicionin e fundit mbrojti ngjyrat e KF Laçit. Marrëveshja e nënshkruar me Gjonin është 1 vjeçare. Eglentin Gjoni, 27 vjeçar, i lindur më 02.12.1992 në Vorë, i gjatë 1.94 m, luan me këmbën e majtë. Pozita e tij natyrale është qendërmbrojtës. Në edicionin e fundit ka zhvilluar gjithsej 20 ndeshje(19 kampionat/1 kupë). Mirësevjen Eglentin Gjoni”, shkruhet në njoftimin e klubit kosovar.

Mesfushori/ Vajushi kalon pa probleme Covid 19, rikthehet me gol në Rumani

Mesfushori me tipare sulmuese i Shqipërisë, Armando Vajushi, ka gjetur rrugën e golit në ndeshjen e fundit në kampionatin rumun me skuadrën e Petrolul, sa i përket Ligës së Dytë. Shkodrani, i cili më herët në këtë sezon, nuk i shpëtoi as infektimit me koronavirus, u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 15-të, teksa dërgoi sferën në një krah dhe portierin në krahun tjetër. Mirëpo, në ndeshjen e katërt “play-off” të grupit për të gjetur kampionen, goli i shqiptarit nuk vlejti shumë pasi ekipi i tij në vazhdimin e ndeshjes u mposht me rezultatin 1-2 nga Arges. Ekipi i Vajushit ka pas shanse për t’u shpallur kampion, megjithatë mund të shpresojë të arrijë elitën e sezonit të ardhshëm nëse renditet në vendin e tretë.