BREAKING NEWS

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv nga koronavirusi

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv
x

Sport

Barcelona bën detyrën ndaj Getafes, Manaj ndjek triumfin nga stoli

Barcelona bën detyrën ndaj Getafes, Manaj ndjek triumfin nga stoli

Barcelona vijoi me fitore edhe këtë javë, duke u mjaftuar me një triumf 2-1 ndaj Getafes, rezultat që i jep tri pikë që e barazojnë me Realin dhe e mbajnë në vallen e titullit, paçka se numri i golave ka ardhur në rënie dhe shqetësimi pse Lionel Mesi nuk po shënon po kap nivele alarmante në Katalonjë. “Pleshti” është në “thatësirë” prej disa javësh, por skuadra po funksionon dhe kjo e ndihmon Barçën të marrë atë që dëshiron, paçka se Mesi nuk po gjen rrugën e rrjetës. Të paktën dje argjentinasi ishte asistues, duke kontribuar në fitore, ndërsa shqiptari Rei Manaj e pa suksesin nga pankina, duke mos marrë minutazh në fushë. 90 minuta në stolin e rezervave për Rei Manaj sulmuesin e kombëtares shqiptare në fitoren 2-1 që Barcelona arriti ndaj Getafes në “Camp Nou” në javën e 24-t të La Ligas. Një sukses i vuajtur i skuadrës së Kuike Setien ndërkohë që Rei Manaj i grumbulluar për herë të parë në një ndeshje nga skuadra e parë e Barcelonës nuk arriti të luante qoftë edhe 1 minutë. Shifrat për katalanasit në këtë sfidë i zhbllokoi Antuan Griezman në minutën e 33-të me asist të Mesit ndërkohë që 6 minuta më pas Serxhi Roberto shënoi edhe të dytin për Barcelonën. Një gol spektakolar i Angel në të 66-ën u duk sikur riktheu Getafen në ndeshje por vetëm kaq për madrilenët e vegjël pasi për meritë edhe të Ter Stegen Barça ruajti epërsinë deri në fund dhe mori një tre pikësh me shumë vlera. Për momentin Barcelona barazoi në kuotën e 53 pikëve me “Los Blancos” që luajnë të dielën në “Santiago Bernabeu” ndaj Celta Vigos.

Griezman: Jam ende duke mësuar të luaj me Mesin

Antuan Griezman ende nuk është adaptuar në fushë me Mesin, madje e pranon se s’po e kupton edhe aq mirë. Antuan Griezman thotë se i duhet ende kohë që të kuptojë lëvizjet e Lionel Mesit në fushë. Francezi shënoi në fitoren 2-1 ndaj Getafes pas një asisti fantastik nga ana e Mesit. Ai beson se për të bërë më mirë i duhet kohë të luajë dhe ta njohë Leon. “Kam qenë këtu për gjashtë muaj, kështu që kemi ende për të menduar. Duhet të mësoj lëvizjet e Mesit, ai duhet të mësoj lëvizjet e mia. Jemi duke shijuar punën që bëjmë së bashku dhe çdo ditë e më shumë gjërat janë mirë e më mirë. Humba shanse që nuk është dashur t’i humbas, erdhi te këmba ime e dobët”, u shpreh pas ndeshjes Griezman. Pas fitores 2-1 ndaj Getafes, siç thamë më lart, Barça ka shkuar në kuotën e 53 pikëve, duke barazuar Realin e Madridit, i cili të dielën pret Celta Vigon në “Santiago Bernabeu”, duke pasur një shans më shumë që të avancojë me tri pikë në kryesim e për të ruajtur kështu linjën drejtuese në kampionat, pra për të qenë favoriti kryesor për titull në La Liga. Duke u kthyer tek grupi duhet thënë se Mesi dhe Griezman kanë filluar të funksionojnë, por Barcelona po vuan mungesën e Luis Suarezit, që është “pyka” e ekipit dhe një nga bomberat më të mirë në La Liga. Manaj nuk e pati mundësinë sot ta zëvendësonte uruguajanin, por në duelet e ardhshme mund të ketë një shans.