BREAKING NEWS

Rama nuk pranon formulën e 5 qershorit, del pro listave të hapura dhe vulos divorcin me SHBA pas kërkesës së Yuri Kim për rrotacion politik

Rama nuk pranon formulën e 5 qershorit, del pro listave të hapura dhe
x

Sport

Basketbolli bashkon Shqipërinë me Kosovën, Liga Mbarëkombëtare është gati, pret “vulën” e FIBA-s

Basketbolli bashkon Shqipërinë me Kosovën, Liga

Studiues të mëdhenj europianë në fushën e gjeopolitikës, sociologjisë etj, kanë nënvizuar herët që aktivitetet sportive dhe kulturore janë dëshmi e fortë paraprirëse për bashkime ose ndarje politike. Si shembull mund të merret Britania e Madhe, ku Skocia, Irlanda e Veriut dhe Uellsi kanë aktivitete sportive të ndara nga Anglia, dëshmi kjo e një largimi. Kurse vendet që bashkojnë aktivitetet sportive e kulturore shkojnë drejt bashkimit politik. Si duket kjo po ndodh me Shqipërinë dhe Kosovën dhe sporti i parë që e dha këtë shenjë është padyshim basketbolli, me vendimin e marrë për krijimin e Ligës Mbarëkombëtare. Kjo ligë pret tashmë vetëm “vulën” e federatës europiane dhe për këtë ka pasur edhe kontakte konkrete nga zyrtarët e dy federatave shqiptare. Kështu, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka marrë pjesë në video-konferencën e dytë e organizuar nga FIBA Evropë, gjatë të cilës njoftoi edhe për procesin e krijimit të ligës së përbashkët me Shqipërinë. Në këtë takim ishin të pranishëm presidenti i FIBA Europës, Turgay Demirel, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis, tre zëvendës presidentët e FIBA Europës, Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak dhe përfaqësues të Federatave tjera Nacionale të Evropës. Në këtë takim është diskutuar mbi gjendjen në vendet e ndryshme dhe masave të sigurisë dhe shëndetit, të cilat janë të zbatueshme për Federatat pjesëmarrëse. U inkurajua shfrytëzimi i platformës së FIBA-s për këmbim të informatave dhe zhvillimi i aktiviteteve jashtë sallave, në veçanti 3×3, në momentin e parë që kjo të lejohet nga autoritetet në Kosovë. Duke falënderuar FIBA-n dhe FIBA Europe për përkrahjen e madhe të dhënë në procesin e planifikimit strategjik, si procesi më madhor për basketbollin e Kosovës në vitet e fundit, Kryetari Fetahu njoftoi për të gjitha zhvillimet e fundit dhe planin e kthimit në terrene sportive, natyrisht në bazë të udhëzimeve të FIBA-s dhe autoriteteve vendore. Gjithashtu u theksuan proceset e përgatitjes për Ligën Mbarëkombëtare me Shqipërinë, punën e bërë bashkë me SHTBK-në për edukimin dhe licencimin e trajnerëve, kampet e zhvillimit dhe avancimit të Gjyqtarëve dhe kampet për Përfaqësueset e Kosovës që janë planifikuar për muajin gusht.

Cfarë thonë specialistët?

Specialistët kanë mbajtur qëndrimet e tyre për këtë rast, padyshim që një bashkim ligash, ose më saktë një ligë mbarëkombëtare që do të kishte shumë ndeshje dhe vëmendjen e duhur mund të nxiste një kampionat të përbashkët në të ardhmen, duke e bërë basketbollin tonë në rajon konkurrues dhe më cilësor. Por bashkime të tilla deri në këtë stad nuk lejohen nga institucionet eprore sportive siç janë ato europiane dhe botërore. Por FIBA mund të bindet në vijimësi se kjo i bën mirë nivelit basketbollistik dhe në këtë frymë mund të jetë tolerante për një bashkim të kampionateve në të ardhmen, për krijimin e një superlige të përbashkët shqiptare. Specialistët e shohin pozitive këtë lëvizje. Kështu, tekniku i njohur shkodran, ish-basketbollisti Bledar Gjeçaj, në një intervistë të dhënë për gazetën “SOT” para pak ditësh, u shpreh se liga në fjalë do të nxiste më shumë rivalitet dhe për basketbollin kjo ishte pozitive. Megjithëse, Gjeçaj nënvizoi se ende nuk dihen modalitetet se si do të funksionojë liga. “Nuk e dimë se si do të funksionojë, kush do të marrë pjesë dhe si do të rregullohet organizimi i saj. Natyrisht, një ligë e tillë është gjë e mirë, plus që shton numrin e ndeshjeve sezonale, rritet rivaliteti, interesi etj. Pra është mirë, por mbetet të shihen modalitetet e funksionimit. Dihet, basketbolli në Kosovë ka përparësi, është sport në të cilin investohet dhe merr vëmendje. Ka pasur progres dhe kjo do të rrisë rivalitetin në një garë, që e parë në këtë formë, duket shumë pozitive. Këtu tek ne një investim të mirë bënë skuadrat e Durrësit (Goga Basket dhe Teuta), ndërsa ata të Tiranës mëkat që nuk kanë sponsor të fuqishëm për të rritur nivelin e tyre. Niveli i basketbollit rritet kur ka rivalitet, por konkurrencën e mundësojnë investimet dhe politikat sportive afatgjata”, theksi ai.