BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Berisha euforik: Shqipëria ka kualitete që mund ta kualifikojnë në Botërorin “Katar-2022”

Berisha euforik: Shqipëria ka kualitete që mund ta kualifikojnë

Etrit Berisha, portier i SPAL-it në Serinë B, në një intervistë të gjatë për mediet italiane foli për “finalen” e sezonit dhe objektivin që ka skuadra e tij. Aktualisht SPAL-i renditet në vendin e shtatë, në zonë “play-off”. Për sportdashësit kuqezi, ka interesim pyetja e gazetarëve për praninë e “gardianit” në radhët e përfaqësueses së Shqipërisë, ku ai ka qenë titullar në ndeshjet e para dhe është parë nga trajneri Reja si element me përvojë që mund të ketë ndikim pozitiv në frymën e grupit. I pyetur a keni ndonjë ëndërr me Shqipërinë, Berisha pranoi se përfaqësuesja ka elementë kualitativë që janë të aftë ta kualifikojnë Shqipërinë në Botërorin “Katar-2022”. “Ne besojmë në mrekullinë e kualifikimit për Kupën e Botës tjetër. Kjo, sepse kemi një trajner me përvojë si Reja. Në grupin tonë kemi kundërshtarë shumë të vështirë, por objektivi ynë është kualifikimi në Botëror. Sa i takon Rejës, ai është i dashuruar me Ferrara dhe Spal, di gjithçka për këtë klub. Më pëlqen të flas shpesh me të”, theksoi ai

Ecuria me SPAL

Më tej portieri kuqezi Etrit Berisha foli për veten e tij në radhët e klubit të Spalit. “Ne duam të fitojmë sa më shumë pikë për të kapur kreun e renditjes dhe luajtur “play off”. Kemi atë që duhet për t’u kthyer në Seria A. Ne kemi pasur shumë dëmtime dhe nuk kemi qenë në gjendje të mbajmë të njëjtin standard të performancës si në shtëpi, edhe jashtë. Gjithashtu kemi humbur besimin kur, pavarësisht lojës së mirë, disa rezultate nuk ishin të duhurat. Situata nuk ishte e lehtë për t’u menaxhuar. Gjithsesi, kemi akoma kohë për të rikuperuar”, theksoi Berisha. Më pas portieri i përfaqësueses kuqezi foli për ndryshimin e trajnerit në mes të sezonit dhe pasojat që pati një lëvizje e tillë. “Me Marinon kemi bërë mjaft mirë, gjithashtu duke marrë parasysh që po vinim nga një rënie dhe kjo ishte një goditje e rëndë për të gjithë. Pastaj patëm një rënie dhe duke pasur parasysh që ekipi nuk reagoi, ndryshimi në drejtim ishte i nevojshëm. Rastelli u përpoq mbi të gjitha të punonte për besimin e grupit dhe reagimi ynë u pa”, shtoi më tej portieri i kombëtares së Shqipërisë dhe titullari kryesor i portës së Spalit në këtë edicion.

Numri 1 i Spalit

Më tej Berisha foli për formën e tij dhe rolin që ka pasur tek skuadra në dy vitet e fundit. “Të jesh numri një nuk është e lehtë. Unë punoj shumë për të bërë ndryshimin në çdo ndeshje. Me kënaqësi e pranova sfidën e Serie B, sepse e njoh mirë këtë klub, edhe nëse nuk është e lehtë të zbresësh në kategori. Këtu ka ekipe të forta dhe është kënaqësi të përballesh me lojtarë të shkëlqyeshëm”, shtoi ai. Më tej portieri kuqezi flet për sezonin e ardhshëm dhe pamundësinë për të dhënë një përgjigje se ku do të jetë, duke e lënë të hapur edhe mundësinë e kalimit në një skuadër tjetër, me shumë gjasë në Serie A italiane. “Sinqerisht, nuk e di akoma. Ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare edhe për mua, por nuk kam folur ende për të ardhmen. Në fund të muajit tjetër do të di më shumë. Nuk kishte si të mungonte qasja e Berishës në lidhje me modulin e preferuar taktik, sidomos me radhitjen e mbrojtjes. “Për mua si portier nuk ndryshon shumë. Personalisht mendoj se Spal duhet të mësohet të luajë në të dyja mënyrat, sepse trajneri vendos gjithashtu në bazë të dëmtimeve. Gjëja më e dobishme është të jesh në gjendje të prodhosh shfaqje të mira në shtëpi me formacione të ndryshme”.

Kovidi dhe pasojat e tij

Siç dihet, Berisha përfundoi në spital pasi u infektua me koronavirus. Për këtë është shkruar gjerë e gjatë në mediat italiane, por ai i dha përgjigje këtë herë edhe përjetimeve të tij personale për këtë çështje. “Ishte shtrimi im i parë në spital dhe gjithmonë do ta kujtoj atë si një moment shumë të vështirë. Kam parë vuajtjet e kaq shumë njerëzve nga afër. Tani jam i lumtur të shoh që situata globale po përmirësohet”, theksoi portieri Berisha.