BREAKING NEWS

E papritur/ Jep dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë Durrës, ja cilit koalicion do t’i bashkohet për zgjedhjet e 25 prillit

E papritur/ Jep dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë Durrës, ja
x

Sport

Bledar Gjeçaj: Nuk bëhet sport pa para, basketbolli i femrave në vështirësi serioze

Bledar Gjeçaj: Nuk bëhet sport pa para, basketbolli i femrave

Basketbolli ka gati një muaj që ka marrë dritën jeshile nga qeveria për të nisur aktivitetet sportive, një vendim i marrë me shumë vonesë, pasi në të gjithë Europën basketbolli është zhvilluar normalisht dhe pa probleme. Sidoqoftë, shprehja “më mirë vonë se kurrë” merr vlerë në këtë rast dhe më në fund sporti i koshit do të kthehet në parket, me ndeshjet e para që janë planifikuar të luhen më 27 shkurt. Një javë më parë, sekretari i përgjithshëm i FSHB-së, Korab Llazani, bëri një analizë të situatës dhe dha garanci për zhvillimin e veprimtarive. Por cila është gjendja e klubeve të basketbollit në këtë periudhë? A janë sportistët gati për garë? A rrezikojnë dëmtime nga koha e gjatë e ndërprerjes? A kanë klubet burime financiare? A do të ketë kampionati cilësinë e kërkuar? Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera ngrihen në këtë fazë. Edhe pse pranohet se është gjë e mirë rifillimi i kalendarit sportiv, duket se situata nuk ndihmon shumë për të pasur një sport cilësor. I këtij mendimi është dhe ish-basketbollisti i Vllaznisë dhe Kombëtares, aktualisht trajner i skuadrës shkodrane të femrave, Bledar Gjeçaj. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Gjeçaj krahason infrastrukturën tonë të basketbollit me ato të fqinjëve, përfshi dhe Kosovën, si dhe vështirësitë për gjetjen e një ligji sporti efikas që do ta nxirrte përfundimisht nga kriza sportin shqiptar.

- Vendimi për të kthyer basketbollin në parket është marrë tashmë dhe në fundjavë do të luhen ndeshjet e para të sezonit. Natyrisht, entuziazmi është i madh, por për afro një vit ndërprerje pasojat kanë qenë negative. Çfarë ka humbur basketbolli gjatë kësaj periudhe?

Do të donim të thonim sa ka fituar por fatkeqësisht kjo situatë e solli basketbollin në pikë kritike, me një ndërprerje shumë të gjatë ku askush nuk e mori vesh pse shkoi në këto limite. Natyrisht janë humbje të mëdha në shumë drejtime. Më së pari në përgatitjen e sportistëve. Nëse 1 ditë lihet stërvitja, atëherë i ke çuar dëm 3 ditë stërvitje intensive. Sporti po e le, të lë, prandaj ndërprerja e përgatitjeve ka pasoja të rënda. Lojtarët s’kanë luajtur për një kohë të gjatë dhe mungesa e aktivitetit e ka zbehur forcën, por njëherësh do të ketë sforcim për të kapur fillimisht nivelin që kishim. E thënë ndryshe, janë hapa prapa që shpresoj të kemi forcën dhe mentalitetin e duhur për ta përballuar dhe të ktheheshim më e pakta atje ku ishim para se të ndërpritej. Unë personalisht e shoh si një periudhë me ndikim shumë negativ tek të rinjtë, të cilët kanë nevojë për stërvitje të fortë e të pandërprerë. Për këto arsye unë e kam parë si një periudhë të dëmshme e me pasoja të rënda. Megjithatë, ka nisur puna përgatitore për sezonin e ri, për garat që nisin së shpejti. Urojmë dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë e të kemi një garë normale. Sidoqoftë, unë e di që do të ringrihemi, por a do ta kapim shpejt nivelin që kemi humbur? Unë nuk pres ndonjë aktivitet me nivel, të them të drejtën, sepse është kohë shumë e gjatë shkëputjeje, por të paktën të kapim nivelin që kishim para se të ndërpriteshin aktivitetet. Ky duhet të jetë një objektiv madhor i të gjithëve. Që të kapësh nivel të lartë duhet kohë, investime dhe natyrisht jo pengesa që i dikton koha prej pandemisë. Pjesa tjetër varet se si do ta menaxhojë federata aktivitetin dhe këtu përgjegjësia është e madhe.

- Ju drejtoni skuadrën e Vllaznisë së femrave. Si është gjendja e skuadrës tuaj në prag të startit të aktivitetit?

Vllaznia është një skuadër që ka lakmuar vazhdimisht elitën, pra të jetë në majë dhe është përpjekur të rivalizojë skuadrat e mëdha të kryeqytetit. Vllaznisë nuk i mungojnë idetë, as dëshira, por ana financiare në basketbollin e femrave në përgjithësi është i dobët. Sezonin e kaluar ne na ikën 7 lojtare dhe unë mora dy lojtare cilësore, duke rregulluar gjendjen. E vërteta është se u paraqitëm mjaft mirë dhe ndodheshim në vend të tretë. Më pas u ndërpre kampionati dhe jetojmë këtë situatë që unë e përshkrova më lart. Kemi anët e mira pozitive por kemi dhe vështirësi. Ana e mirë është se Vllaznia ka shumë elemente të reja, që kanë të ardhme në këtë sport. Kemi plot vajza të moshës 14 vjeç që janë një bazë e mirë për të ardhmen. Më shumë se gjysma e skuadrës janë të reja, vetëm tre lojtare janë nga titullaret. Kuptohet, periudha që kaluam ka lënë pasojat e saj, por nuk na mungon dëshira dhe puna për të arritur më të mirën.

- Çfarë objektivi keni ju si skuadër? A jeni informuar si është gjendja e skuadrave rivale?

E vështirë ta them, pasi situata nuk është më e një viti më parë. Jua thashë, kemi plot vajza të reja në ekip. Në të vërtetë ne duam që të kemi një skuadër me vajza shkodrane, në mënyrë që t’u japim një mundësi. Për momentin nuk e di sa skuadra do të jenë në garë pasi ka plot zëra për vështirësi në radhët e klubeve të tjera. Mbetet të shihet sa janë regjistruar në federatë dhe cila do të jetë gjendja në përgjithësi në kampionatin e vajzave. Problemi im si trajner dhe i kolegëve të mi është koha e paktë përgatitore, është kohë minimale. Megjithatë, edhe pa stërvitje nuk jemi, pasi përgatitje kemi bërë, jemi përpjekur të shfrytëzojmë hapësirat që na janë lejuar që të mos mbetemi pa gjë fare. Unë përgatitjen e Vllaznisë në Shkodër do ta quaja stërvitje me hope. Kurse sa i takon cilësisë, ajo do të kërkojë shumë kohë të arrijë në nivelin optimal, pasi të jetë punuar shumë jo vetëm fizikisht, por edhe në planin tekniko-taktik.

- Si është gjendja e pallatit të sportit në Shkodër?

Pallati mirë, por pandemia po e kthen në funksion të vaksinës. Se d’i si do të zgjidhet kjo situatë... Pastaj, duhet parë gjendja e klubeve se kjo është e rëndësishme. Klubet tona të basketbollit janë në vështirësi të mëdha. Klubet në sportin tonë në tërësi nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare për të mbajtur një nivel të lartë përfaqësimi.

- Para pak ditësh Kombëtarja e meshkujve u paraqit në kualifikueset e Botërorit. Ishte një pjesëmarrje e sforcuar, e pranoi dhe vetë federata. Si u duk paraqitja e skuadrës?

Ekipi vuajti problemet e situatës që po kalojmë dhe ndërprerjes së gjatë të aktiviteteve. Nuk mund të jemi kaq naivë për të mos e kuptuar këtë gjendje me pasoja të rënda. Gjithsesi, rëndësi ka pjesëmarrja dhe kjo u realizua. Sa i takon nivelit të performancës u pa qartë se pjesën e parë të ndeshjes rivalizonim, më pas binin “bateritë”, gjë që lidhet drejtpërdrejt me pasojat e kohës që kemi kaluar, pra mungesën e garave dhe një stërvitje të munguar për periudhën gjithëvjetore.

- Ju keni ca kohë që drejtoni skuadër në basketbollin e femrave. Më herët në këtë gjini kemi pasur probleme, si e shihni të ardhmen?

Është një moment i vështirë, ka pak femra që angazhohen në basketboll. Ka një ecuri të kundërt me volejbollin në këtë drejtim, pasi tek volejbolli ka shumë ekipe vajzash dhe prani të këtij elementi me shumicë, gjë që ne e kemi tek meshkujt e basketbollit, kurse volejbolli ka mangësi tek djemtë, njëjtë sikurse ne e kemi me vajzat. Basketbolli është sport që kërkon shumë punë, nuk është rastësi që në botë një basketbollist paguhet dyfish nga një volejbollist. E pra, po hasim në vështirësi, pasi ndryshe nga djemtë ku ka prurje të konsiderueshme dhe ka shumë ekipe, tek femrat nuk ka një prurje të tillë dhe nuk është aq cilësore. Të ardhmen nuk e shoh me optimizëm tek basketbolli i vajzave.

- Si mund të kalohet kjo gjendje?

Problemet e sportit tonë janë të mëdha e në disa plane. Më së pari të gjithë duhet të kuptojmë që nuk bëhet sport pa para. Që sporti të shpëtojë nga kjo situatë pa rrugëdalje duhet një ligj sporti tamam, një ligj efikas që të japë rrugëdalje dhe të shohë orientime të reja në përputhje me sportin profesionist europian, më e pakta sikurse e ka rajoni. Këtu nuk është fjala vetëm për zhvillimin e aktiviteteve, por duhet të shkojmë më tej: sa paguhen sportistët, si paguhen, çfarë bën një sportist? Të mos shkojmë më larg, ja të shohim Kosovën, e cila nuk e ndërpreu basketbollin, palestrat po i bën me ngrohje, investohet në pallate sporti. Është shumë më përpara nesh, sepse ata ndërtojnë impiante sportive. Kurse këtu tek ne vjen dimri ngrin së ftohti, vjen vera plas nga të nxehtët. Ore, nuk bëhet sport kështu! Pse nuk shikojmë vendet e rajonit, të cilat kanë bërë progres të madh në këtë drejtim, sidomos në infrastrukturë. Kosova i hapi dhe po i zhvillon aktivitetet, pasi u ngritën në protestë, e detyruan qeverinë të merrte vendim në favor të tyre, e të hapë palestrat. Pse ndodh kjo, sepse atje ka investim, punohet. Këtu tek ne, hiq futbollin që ka ditur të menaxhohet vetë, sportet e tjera janë me probleme serioze. Dhe këto probleme janë thelluar së tepërmi me pandeminë, duke sjellë një situatë shumë të vështirë, që uroj ta kalojmë me sa më pak dëme.

Bledar Gjeçaj: Nuk bëhet sport pa para, basketbolli i femrave