BREAKING NEWS

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë, zv/ministra, drejtorë e ish-anëtarë të LSI, zbulohen emrat që spostojnë veteranët

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë,
x

Sport

Boksi apelon të lejohen aktivitetet, Zef Gjoni: Po hyjmë në vit olimpik, u duhet dhënë shansi sportistëve

Boksi apelon të lejohen aktivitetet, Zef Gjoni: Po hyjmë në vit

Boksi futet në rangun e sporteve që kanë një bazament të fortë në Shqipëri. Kjo vjen nga tradita që kanë në vendin tonë sportet e rënda, si dhe elementët cilësorë që ka prodhuar. Ka elementë të mirë dhe shumë përkushtim, por mungesa e qëndrueshmërisë dhe investimet jo në lartësinë e duhur kanë sjellë të mos realizohet objektivi për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike. Këtë objektiv të hershëm të boksit tonë duket se e kanë marrë seriozisht protagonistët e “dorezave” në palestrat e boksit, duke synuar që të kapin normën në muajin shkurt 2021 e të sigurojë për herë të parë pjesëmarrjen e boksit shqiptar në Olimpiadë. Kështu mendon dhe një prej veteranëve të boksit, njeriu që ka nxjerrë shumë sportistë nga duart e tij dhe vijon të punojë me përkushtim për këtë objektiv, trajneri historik i boksit, Zef Gjoni, i cili, duke folur për gazetën “SOT”, tha se situata e krijuar nuk po e ndihmon sa duhet qëllimin e federatës dhe të komunitetit të boksit, pasi moslejimi i garave në Shqipëri nuk sjell bërjen e kampionatit e të kupës e për rrjedhojë nuk seleksionohet elementi më cilësor.

- Boksi ka qenë prezent në disa grumbullime dhe aktivitete zyrtare gjatë javëve të fundit. Ju jeni trajner i Kombëtares dhe mbi këtë status, si e shihni prezantimin e sportistëve tanë në këtë periudhë të pazakontë pandemie?

Më lejoni t’ju them që në fillim, qoftë dhe për krenari, se boksi shqiptar dhe federata jonë e ka sfiduar dhe deri tani e ka mposhtur me lehtësi virusin. Me përjashtim të futbollit, i cili organizon gara, e vetmja federatë nga shumësportëshi që sfidon me gara ndërkombëtare dhe me punë është pikërisht federata e boksit. Nuk duhet të harrojmë se bëmë dy grumbullime të fuqishme të ekipeve kombëtare, njërin në Velipojë e tjetrin në Voskopojë, ku sportistët testuan forcën e tyre, por edhe përfituan nga trajnimi, për të qenë më kompetitiv në gara. Përveç grumbullimeve, kemi pasur fatin të shkojmë në gara serioze që janë certifikuar nga federata europiane, pra janë në kalendarin vjetor. Kjo është shumë pozitive për sportistët tanë, pasi marrin eksperiencë. Në Kosovë janë zhvilluar gara shumë cilësore. Aktiviteti i parë ishte “Limani”, që u zhvillua në shtator në Prishtinë, ku ne morëm pjesë dhe u paraqitëm mjaft mirë. Një tjetër aktivitet ku morëm pjesë ishte Turneu i Kroacisë, ku kishin ardhur boksierë me tituj kampionë bote. Edhe atje u prezantuam mjaft mirë, duke respektuar si duhet edhe rregullat antikovid që ishin vendosur nga organizatorët. Aktiviteti i tretë ishte pjesëmarrja jonë në Kampionatin Europian të moshës U-18, në Budva të Malit të Zi, aktivitet që u zhvillua para dhjetë ditësh, e ku ne patëm një sportist të Flamurtarit që garoi në peshën 75 kg që fitoi medalje bronzi. Aktiviteti i katërt ishte Turneu “Adem Jashari” në Kosovë, i cili, siç dihet, ka prej dy dekadash që zhvillohet dhe vijnë sportistë shumë cilësorë nga vende të ndryshme. Sportistët tanë edhe në këtë aktivitet u paraqitën shumë mirë, morëm medalje dhe ajo që ka shumë rëndësi të theksohet është se nuk patëm kurrfarë problemi, pasi Kosova e kishte organizuar mirë turneun dhe ne iu përmbajtëm protokolleve zyrtare. Natyrisht nuk lejoheshin tifozët, por për sportistët dhe stafet, që kishin bërë më herët tamponet, nuk kishte asnjë problem. Dhe siç e dini dhe ju, Kosova i ka zhvilluar aktivitetet sportive krejt normalisht, pa i harruar masat organizative e rregulloret antikovid. Aktiviteti i pestë në radhë i këtyre muajve të fundit është Europiani U-16 që zhvillohet në Bullgari, e ku ne kemi dërguar dy boksierë, Zenelin dhe Koçin, ku shpresojmë të kemi përfaqësim me medalje. Këtë aktivitet të fundit dhe dërgimin e sportistëve në Bullgari, të themi të vërtetët ashtu siç është, e ka mbuluar presidenti i federatës, Kalivopulli, me paratë e xhepit të tij dhe për këtë meriton përgëzime.

- Ju keni apeluar vazhdimisht për lejimin e garave, edhe pse pandemia është rikthyer fuqishëm këto kohë. Pse?

Të kuptohemi, unë nuk jam kundër masave antikovid, por jam kundër ndërprerjes dhe moslejimit total të aktiviteteve, në një kohë kur ky sport nuk shfaq rrezikshmëri, menaxhohet lehtë dhe ne jemi të gatshëm të diskutojmë edhe për terrenin ku mund të bëhet. Madje Federata Shqiptare e Boksit është në gjendje të mbulojë shpenzimet, kurse boksierët tanë as e njohin virusin. Këtë e them jo për të krijuar ide negative, por se sportistët kontrollohen para se të futen në gara, nuk ka tifozë në pallate sporti dhe natyrisht masat dhe kufizimet e tjera janë të zbatueshme. Të gjitha këto nuk e cenojnë bërjen e garës. Unë kam apeluar për bërjen e veprimtarive sportive pasi janë domosdoshmëri. Është veçanërisht e nevojshme të bëhen garat kombëtare, nga ku do të seleksionohen elementët më të mirë. Nëse ne nuk i bëjmë garat, atëherë seleksionimi nuk ka vlerë. Ky është një shans që u duhet dhënë sportistëve. Në fakt është një e drejtë e tyre e pamohueshme. Ne si federatë boksi dhe komunitet i boksit, kemi shprehur gatishmëri që për të mos cenuar rregullat, t’i bëjmë aktivitetet në palestra të hapura, që mund të jenë kalceto ose vende të tjera, pra të ngrihet ringu në mjedis të hapur. Çfarë problemi ka? Kemi shkuar në disa aktivitete ndërkombëtare, që unë i përmenda më sipër, dhe as ne e as të tjerët nuk kanë regjistruar asnjë rast me kovid. Atëherë, pse të mos i bëjmë dhe ne kampionat e kupë? Insistoj, garat janë domosdoshmëri, pasi duhen seleksionuar sportistët për garat e rëndësishme ndërkombëtare.

-Vitin tjetër zhvillohet Olimpiada. Boksi e ka objektiv pjesëmarrjen, por deri më sot keni dështuar...

Shiko! Është dëshirë e këtij komuniteti, e imja si trajner me kohë të gjatë në këtë sport, e miqve tanë, e sportistëve dhe drejtuesve të federatës, por edhe e KOKSH-it, që boksi të përfaqësohet këtë herë në Olimpiadë. Dhe i jemi afruar ndjeshëm, pasi vetëm një fitore larg është sportisti ynë (Zeneli) për ta realizuar këtë objektiv. Duhet që qeveria ta marrë parasysh këtë fakt dhe të na e japë shansin t’i bëjmë garat. Nuk ka asnjë kuptim që boksi të mos bëjë aktivitetet, nuk ka asnjë rrezik. Së shpejti hyjmë në vit olimpik, secila federatë ka objektivin e saj, por besoj se ne e kemi një shans më shumë se të tjerët. E që të shkojmë në Olimpiadë u duhet dhënë mundësia sportistëve të tregojnë vlerat e tyre në garat kombëtare, e që ne si staf teknik të bëjmë seleksionimet e nevojshme. E theksoj, ne bëmë 5 aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, u paraqitëm mirë e fituam medalje dhe nuk duhet që kjo punë e nisur të shkojë dëm. Do të ishte e pafalshme. Zeneli do të kthehet në dhjetor e do të përgatitet për Europian, që siç dihet u ndërpre në fillim të këtij viti si pasojë e pandemisë. Sportisti do të shkojë në muajin shkurt atje ku e la, e një fitore i mjafton që të kapë normën olimpike. Çfarë na kushton t’ia japim shansin atij, por edhe të tjerëve?

-Si është gjendja e boksit në vendet e tjera, a janë ndërprerë garat?

Pyetja është me vend, pasi asnjë vend europian nuk i ka ndërprerë garat e boksit. Madje shumica e aktiviteteve sportive në të gjitha vendet zhvillohen. Ne kemi qenë në 5 gara gjatë muajve të fundit dhe nuk kemi pasur asnjë shqetësim, asnjë problem. Natyrisht, rregullat ishin strikte dhe kishte kontrolle të forta, por kur zbatohen rregullat atëherë edhe rreziku i infektimit me virus bie. Ama sporti nuk mund të rrijë pushim, është e papranueshme kjo.

-Çfarë kërkoni atëherë?

Pikërisht këtë po kërkojmë edhe ne, që të lejohen garat e boksit, në mënyrë që të kemi mundësinë të bëjmë aktivitetet kryesore kombëtare. Do t’i zbatojmë të gjitha detyrat (rregullat) dhe unë e siguroj kryeministrin dhe zyrtarët e tjerë që nuk ka asnjë shans të futet virusi në ringun e boksit dhe palestrat e tij. Jo pse jemi të fortë (në fakt ne jemi të fortë), por se duke i zbatuar rregullat, ky sport nuk paraqet asnjë rrezik për përhapje të infeksionit. Të gjithë, me sportistë, trajnerë e federatë jemi dakord të bëjmë gara e të seleksionojmë më të mirët, prandaj, lutemi që të na jepet kjo mundësi. Duke shpresuar që qeveria dhe instancat përkatëse ta marrin në konsideratë këtë apel timin, desha ta përgëzoj dhe një herë presidentin e federatës së boksit, zotin Kalivopulli, për interesimin, mbështetjen financiare dhe përpjekjet për të çuar boksin shqiptar në Olimpiadën e Tokios në vitin 2021. Urojmë të bëhet më e mira, e t’i hapet rruga boksit të bëjë garat e rëndësishme vjetore, sikurse është kampionati kombëtar dhe aktivitetet e tjera madhore që janë në kalendar të FSHBo-së.

Boksi apelon të lejohen aktivitetet, Zef Gjoni: Po hyjmë në vit