BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Sport

Bronz dhe argjend për Briken Caljen në Europianin e Moskës, sot radha e Qerimajt

Bronz dhe argjend për Briken Caljen në Europianin e Moskës, sot

Shtangisti ynë i njohur, Briken Calja, bëri një garë relativisht të mirë në kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në kryeqytetin rus, Moskë, duke fituar dy medalje nga gara e tij, një argjendi e një bronzi. Në fakt, Calja e kishte lajmëruar garën e tij për zonën e medaljeve dhe ambicia ishte për titull europian, por realizimi i provave nuk shkoi si duhet që në startin e garës, në stilin e shkëputjes, ndërkohë që pati sforcim në shtytje për të përmbushur me sukses objektivin e tij. Duhet thënë se rivaliteti në peshën trupore deri në 73 kg ishte shumë i madh. Briken Calja u përpoq të kapte majën e Europës në një garë ku ishin më të mirët e kontinentit. Garën e fitoi turku Ismailov, që ngriti 341 në total, duke marrë medaljen e artë në dygarësh, kurse sportisti ynë dygarëshin e mbylli në vend të tretë, duke marrë medalje bronzi. Por për të mbërritur deri aty ishin afro120 minuta plot ankth, duke studiuar kundërshtarët, por edhe duke matur kapacitetin e tij.

Gara

Calja e nisi garën e tij në stilin e shkëputjes me peshën 152 kg, që e realizoi me sukses. Por në këtë stil ai pati rivalitet shumë të fortë. Në fakt, në garën e shkëputjes shkëlqeu turku Danjar Ismailov që realizoi tri prova të sakta me 155, 158 dhe 160 kg, duke merituar vendin e parë, një stil që i dha atij kredite të forta për dygarëshin. Në provën e dytë shtangisti ynë tentoi të ngrinte 157 kg, që do ta fuste në garë për medaljen e artë, por ai dështoi ta fiksojë shtangën lart. Të njëjtën peshë e dështoi dhe në provën e tretë, duke e mbyllur stilin e shkëputjes me 152 kg, në vend të katërt. Kjo pasi vendi i tretë, Andrej Bozhidar, po me 152 kg, e fitoi medaljen e bronztë për 100 gramë peshë më të lehtë trupore se Calja ynë. Pra shtangistit shqiptar i iku medalja e bronzit në këtë stil se ishte thjesht 100 gram më i rëndë. Vendin e dytë në këtë stil e mori moldavi Marin Robu me 156 kg. Pra Caljen e Shqipërisë e penalizoi në këtë garë mosrealizimi i plotë i provave, që është një defekt teknik që vjen me sa duket nga trajningu jo i mirë. Në stilin e shtytjes Calja u sforcua për të qenë në zonën e medaljeve. Ai e nisi garën me 183 kg, por dështoi në provën e parë, provë që e kushtëzoi atë më pas të rriste peshat në favor të rezultatit. Turku Ismailov e mbylli stilin e shtytjes me 181 kg, në vend të 6-të, por kjo provë e saktë rezultoi vendimtare për të në dygarësh, ku ai me 341 kg në total, fitoi medaljen e artë si  vend i parë. Duke u kthyer te Calja, theksojmë se ai e rriti peshën në provën e dytë, duke e ngritur saktë atë me 184 kg, provë që e klasifikoi atë direkt në vend të dytë në stilin e shtytjes, pra i dha medalje argjendi. Vendin e parë në këtë stil e siguroi Maks Land i Gjermanisë me 185 kg, por kjo dhe për faktin se dështoi me 190 kg bullgari Bozhinov. Vendin e tretë në stilin e shtytjes e zuri david Sançez i Spanjës me 183 kg. Në dygarësh, vendi i parë Ismailov me 341 kg, vendi i dytë nga moldavi Marin Robu me 339 kg dhe vendi i tretë nga Briken Calja me 336 kg. Dy medalje për Caljen tonë, një argjendi e një bronzi, që rezultojnë të jenë sukses dhe shtysë para Lojërave Olimopike të Tokios.

Sot radha e Qerimajt dhe Godellit

Peshëngritja jonë do të zbresë në pedanë sot, në peshën trupore 81 kg, dy shtangistë të nivelit të lartë, Daniel Godellin dhe Erkand Qerimajn. Ky i fundit do të garojë në baterinë B, në mesditë, kurse Godelli në baterinë A në mbrëmje. Me peshat e deklaruara Godelli synon zonën e medaljeve, kurse Qerimaj shpreson për një surprizë, megjithëse nuk është në formën maksimale të tij. “Nesër është dita e garës time ne Kampionatin Europian Moske 2021,kualifikues për lojërat olimpike ! Në kampionatin kombëtar kalova një dëmtim në bërryl megjithatë, faleminderit Zotit u riktheva shpejt! Kësaj radhe jam pa trajnerin tim Zef Kovaçi sepse nuk erdhi për arsye personale! Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë në mënyrë që gjithë kjo lodhje, mund e sakrificë të finalizohet me realizim objektivash”, shkruan Qerimaj në profilin e tij në rrjetin social “facebook”. Garat e Europianit të shtangës për ekipin tonë mbyllen të enjten me Krenar Shorajn që garon në 89 kg.